Kryeministri Edi Rama komentoi projektin e investimit të Jared Kushner në Shqipëri, duke deklaruar se synimi është që ai të shërbejë si model për zhvillimin në harmoni me natyrën. Në konferencën për shtyp pas Konferencës së radhës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, Rama u shpreh se edhe protestat dhe reagimet publike kanë ndihmuar në përmirësimin e projektit. Kreu i qeverisë theksoi se projekti përfshin më shumë sesa emrin e investitorit dhe se Shqipëria ka ambicie të mëdha për realizimin e tij. Ai ftoi të interesuarit që të vizitojnë vendin për të kuptuar nga afër përmasat dhe objektivat e investimit. “Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën. Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim. Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet”, tha Rama. Gjatë konferencës, Rama iu përgjigj gjithashtu pyetjes së një gazetari lidhur me arrestimin e kreut të SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar zhvillimin e këtyre proceseve si shenjë se sistemi ka nisur të funksionojë. “Mund ta kuptoni shumë mirë se ç’nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Vijmë këtu sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, përfi kryeministri.
