Avokati Redi Ramaj ka kundërshtuar paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për vendosjen e gjobave dhe ashpërsimin e masave ndaj pjesëmarrësve në protesta. Në një intervistë për News24, Ramaj i cilësoi nismat e paralajmëruara si antikushtetuese dhe mekanizma shtypës, që sipas tij synojnë të frikësojnë studentët dhe qytetarët që protestojnë kundër qeverisë. Avokati theksoi se e drejta për të protestuar mbrohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe se asnjë ligj apo vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të cenojë liritë themelore të qytetarëve. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të përdorë shumicën parlamentare për të krijuar mekanizma ligjorë që kufizojnë protestat. Ramaj argumentoi se pjesëmarrja në një tubim paqësor nuk mund të trajtohet si vepër penale, ndërsa çdo akt dhune duhet të hetohet dhe të ndëshkohet individualisht. Ai akuzoi gjithashtu policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të miturit, duke kërkuar respektimin e të drejtave kushtetuese. Duke komentuar paralajmërimet për gjoba dhe masa të tjera ndëshkuese, avokati u shpreh se qytetarët nuk duhet të frikësohen nga ushtrimi i së drejtës së tyre për të protestuar. Ai paralajmëroi se, nëse nismat konkretizohen në ligje që cenojnë të drejtat kushtetuese, ato mund të kundërshtohen në Gjykatën Kushtetuese. Avokati Redi Ramaj: Kushtetuta është norma më e lartë në hierarkinë e normave në Republikën e Shqipërisë, që do të thotë se asnjë ligj apo vendim i Këshillit të Ministrave nuk mund të vijë në kundërshtim me këtë normë. Dhe kryeministri pikërisht këtë bën.
Unë nuk e di me kë është konsultuar, me cilin jurist, por të kufizosh një të drejtë kushtetuese… Vetë Kushtetuta jonë ka disa kufizime për sa i përket mënyrës së vendosjes së ligjeve, të cilat mund të çojnë në prekjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Vetë Gjykata Kushtetuese është garante e kësaj Kushtetute dhe, për më tepër, Shqipëria është pjesë e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Ato që ka thënë kryeministri, duke e nisur me gjobën ndaj atyre që marrin pjesë në tubime apo faktin që, në momentin e parë që policia bën thirrje për t’u larguar ose shpërndarë, çdokush ka detyrimin të shpërndahet, ndryshe konsiderohet vepër penale dhe më pas merren masa shtrënguese, unë mendoj se janë abuzime ose nonsense ligjore.
Për më tepër, bëhen në një moment të nxehtë, në një moment kur Shqipëria proteston dhe kryeministri ka një interes dhe asgjë tjetër. Ka interesin që të mos kemi protestat e studentëve që po zhvillohen.
Ose, më saktë, kryeministri po kërkon të shtypë protestat apo të gjejë një formë, një mekanizëm ligjor që do t’i shtrëngojë ata. Mekanizmi nuk është i duhuri. Është mekanizëm diktatorial, mekanizëm shtypës dhe nuk bëhet në këtë situatë ku jemi aktualisht.
Nëse kjo nismë do të konkretizohet në një paketë ligjore që do të prekë nenin 47 të Kushtetutës, i cili lidhet me tubimet paqësore, atëherë do të jetë subjekt i goditjes nga Gjykata Kushtetuese, minimalisht, por edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë ka të drejtën të marrë pjesë në tubime, sepse është shprehje e demokracisë.
Pastaj, nëse kryhen veprime të dhunshme në këto tubime, ajo është përgjegjësi individuale dhe nuk lidhet me sanksionime, ndryshime, ndëshkime apo shtimin e represionit policor mbi të drejtën që ka çdokush për të protestuar. Kryeministri nuk arrin të ndajë të drejtën e qytetarëve për të marrë pjesë në tubime nga elementët e dhunës brenda tyre, të cilët janë përgjegjësi e personave që e shkaktojnë dhunën.
Njësoj siç është përgjegjësi e atyre policëve që kanë rrahur dhe goditur të mitur, kanë dhunuar qytetarë që kanë marrë pjesë paqësisht në tubime. Këtë e kemi parë edhe nga vendimet e gjykatave, të cilat kryesisht i kanë shpallur të paligjshme arrestimet në flagrancë që ka bërë Policia e Shtetit.
Unë mendoj se kjo është thjesht një propagandë momentale e kryeministrit për të kaluar një situatë të vështirë në të cilën ndodhet. Në çdo rast kur një qeveri kërkon të mbrohet duke shtuar ligjet, ajo rrit pakënaqësinë qytetare dhe futet edhe më thellë në rrugën e autoritarizmit, të mbledhjes së të gjithë pushtetit në një dorë, siç po e bën kryeministri Rama.
Për sa u përket gjobave gjatë periudhës së Covidit, dy situatat nuk duhet të krahasohen, sepse ajo ishte një situatë tërësisht emergjente. Ishte një emergjencë shëndetësore e paparashikuar, një situatë botërore. Qeveria u detyrua të merrte masa ekstreme, deri në gjendje të jashtëzakonshme. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
