Kryeministri Edi Rama ka mbledhur grupin parlamentar të Partisë Socialiste para nisjes së seancës plenare, ku në rendin e ditës është edhe reforma territoriale. Mbledhja është zhvilluar pak para nisjes së diskutimeve në Kuvend, ndërsa deputetët socialistë janë thirrur për të koordinuar qëndrimin e tyre.
Sipas informacioneve, gjatë takimit Rama u ka kërkuar deputetëve të PS-së të votojnë pro reformës territoriale dhe ka kërkuar që i gjithë grupi parlamentar të jetë në unison gjatë votimit. Reforma parashikon ndryshime në organizimin territorial dhe është kundërshtuar nga opozita.
"Kush del nga vendimi i grupit për Territorialen, përjashtohet nga PS", ka qenë ky ultimatumi i Ramës.
Mësohet se kreu i qeverisë ka mbajtur një qëndrim të prerë për miratimin e reformës, duke kërkuar pjesëmarrjen e deputetëve socialistë në seancën plenare dhe votën e tyre pro. Reforma pritet të jetë një nga çështjet kryesore të diskutimit gjatë seancës së sotme në Kuvend.
Rama u ngujua për disa minuta në sallën e Kuvendit, ku ka zhvilluar një takim me deputetët socialistë, pak para nisjes së seancës plenare ku do të kalohet për votim reforma e re territoriale.

