Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se prej dy javësh nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me pretendimet e ngritura prej tij për një skemë të dyshuar financiare që, sipas tij, lidhet me persona pranë vëllait të kryeministrit, Olsi Rama. Në një status në Facebook, Këlliçi pretendon se pas kompanisë GLG Investment dhe një shtetasi venezuelian me mbiemrin Marquez fshihen persona të lidhur me Gert Hakën, të cilin ai e konsideron mik të ngushtë të Olsi Ramës. Sipas Këlliçit, bëhet fjalë për një tokë në Gjirin e Lalzit, e cila, sipas tij, është blerë fillimisht për rreth 320 mijë euro dhe vetëm dy muaj më vonë është rivlerësuar në rreth 26 milionë euro. Ai pretendon se kjo pasuri është përdorur më pas në një operacion që lidhet me transferimin e një licence kazinoje në ambientet e hotelit “Air Albania” në Tiranë.
Reagimi i plotë; 2 javë me akuzën e rëndë, Rama hesht, SPAK nuk bën asgjë dhe vijon pushimet!
Po bëhen 2 javë që Edi Rama është nën një akuzë të rëndë. Kemi njohur publikun dhe qytetarët me fakte dhe të dhëna që tregojnë se si, pas një kompanie fantazëm GLG Investiment dhe një venezueliani me mbiemrin Marquez, miqtë e ngushtë të Olsi Ramës kanë kryer në pak muaj disa operacione financiare që askush nuk do t’i realizonte dot.
Gjendet një tokë në prill të vitit të shkuar në Gjirin e Lalzit me vlerën 320 mijë euro. Pas 2 muajsh, rivlerësohet 26 milionë euro. Dhe me këtë aset tanimë të çmuar, transferohet liçensa e kazinosë në zemër të Tiranës, tek Hoteli i “Air Albania”. Të gjitha këto veprime, një i panjohur, venezuelian, me mbimerin Marquez, i kryen në 5 muaj!!!
Të dhënat që kemi publikuar bëjnë të qartë se venezueliani është thjesht një prestanome i Gert Hakës, pra rrjedhimisht i Olsi Ramës. Gert Haka është njohje e vjetër e vëllait të Kryeministrit, kur ai jetonte në Miçigan. Olsi me mikun e tij të ngushtë shihen kudo bashkë prej 13 vitesh.
Teksa janë larguar 1 milionë vetë nga qeverisja e keqe, Olsi me mikun e tij janë të vetmit që janë kthyer e kanë gjetur parajsën në Shqipëri.
E gjitha kjo aferë, ka ndodhur me bekimin e disa institucioneve, si Agjencia e Lojërave të Fatit, Drejtoria e Pastrimit të Parave, Autoriteti i Konkurencës, Hipoteka, Krimi Ekonomik, etj. Pra, marrja e një toke, rivlerësimi i saj për 2 muaj 80 herë më shumë, dhe përmes kësaj pasurie, marrja e kazinosë në zemër të Tiranës, e gjitha në 5 muaj, ka ndodhur me bekimin e Edi Ramës. Nuk ka askush tjetër në vend pushtetin për ta lehtësuar kaq shumë një operacion të tillë kaq të dyshimtë.
Prej 2 javësh, Edi Rama hesht, nuk bën asnjë shpjegim a transparencë për këtë akuzë të rëndë.
Këto fakte, dëshmojnë se si drejtohet qeveria dhe shteti sot, se çfarë përfitimesh burojnë për familjarët e Kryeministrit.
Por prej 2 javësh tanimë, me këtë skandal është njohur edhe SPAK, e cila nëse do të ishte prokurori dhe garante e zbatimit të ligjit, tanimë do të duhej të kishte nisur procedimin penal.
Edhe sa duhet të presim që të ketë një reagim ndaj abuzimit më të madh që ndokush ka bërë me pushtetin në historinë tonë?! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Belind Këlliçi SPAK

