I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me moderatoren Nisida Tufa, nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, e ka cilësuar vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së si një goditje të rëndë për të gjithë faktorin shqiptar në Ballkan, ndërsa ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qëndrimit të kryeministrit Edi Rama dhe diplomacisë shqiptare. Gjekmarkaj e nisi analizën e tij duke përshkruar peshën emocionale dhe kombëtare të këtij vendimi: “Ka qenë një ditë dëshpëruese. Mendoj është një ngjarje tragjike ai vendim, jo thjesht për individualitetin e katër komandantëve, por edhe personalitete shtetformuese të Kosovës së pavarur nën krye Hashim Thaçin. Po për krejt botën shqiptare, për të gjithë ata që besojnë tek lufta për liri, tek të drejtat e njeriut, tek shtetformimi.” Pavarësisht goditjes, ai bëri thirrje që faktori shqiptar të mos bjerë në dëshpërim, por të bashkohet për fazën e apelimit: “Mendoj që nuk duhet ta humbasim kurajën, nuk duhet të biem në gjeste të dëshpëruara, duhet të qëndrojmë të bashkuar bota shqiptare andej dhe këtej kufirit. Duhet të reagojmë si një trup i vetëm dhe të besojmë që drejtësia nuk është ende përfundimtare dhe do ta gjejmë atë shëlbim kombëtar, atë zgjidhje përfundimtare tek apeli i Hagës.” Gjekmarkaj u ndal gjatë te roli i kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për retorikë boshe dhe për marrëdhënie të tensionuara me lidershipin politik të Prishtinës përgjatë viteve.
“Unë mendoj që Edi Rama dhe qeveria e tij kanë konsumuar shumë retorikë për Kosovën, me Kosovën. Shpeshherë kanë patur marrëdhënie shumë acide me Kosovën. Nuk di që Edi Rama të ketë patur marrëdhënie korrekte dhe afatgjata me një kryeministër të Kosovës. Më stabile këto marrëdhënie ka patur me presidentin e Serbisë Vuçiç,” deklaroi Gjekmarkaj.
Nënkryetari i Kuvendit kujtoi gjithashtu angazhimin e dikurshëm politik për krijimin e kësaj gjykate, ndërsa nënvizoi se mbështetja e sotme nga Tirana zyrtare ka qenë tërësisht fiktive.
“E di që është i impenjuar në lobimin e gjykatës së Hagës pranë lidershipit të kohës në Kosovë, pranë Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Por përtej këtyre, më shumë se sa kartolina retorike dhe hartime mallëngjyese, nuk kam parë gjeste konkrete të diplomacisë shqiptare për të ndihmuar komandantët e Kosovës në Hagë.”
Në përmbyllje, Gjekmarkaj kritikoi ashpër mungesën e një reagimi institucional dhe strategjik nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, duke e konsideruar fjalën e kryeministrit si një përpjekje sipërfaqësore.
“Nuk kam parë një reagim solid të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Një fjalë e vetme gati folklorike e Edi Ramës dje e pardje kur ndodhi gjykimi, ndërkohë që duhet të kishte një mobilizim, një kontakt me Kosovën, një strategji të përbashkët bashkëpunimi. Sepse kjo nuk është një goditje thjesht për Kosovën, por është një goditje për të gjithë aspiratat e kombit shqiptar në Ballkan,” përfi Agron Gjekmarkaj. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
