Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit shqiptar kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u shtrirë edhe në Londër. Shqiptarë të diasporës janë mbledhur përpara Ambasadës së Shqipërisë në kryeqytetin britanik, ku kanë protestuar kundër qeverisjes dhe situatës politike në vend. Në një lidhje live për News24, aktivistja Silvana Xhaferri Hoxha tha se komuniteti shqiptar në Angli po e ndjek me shqetësim situatën në Tiranë dhe ndihet i prekur nga zhvillimet në Shqipëri. Ajo theksoi se protestuesit nuk janë ngritur vetëm për veten e tyre, por edhe për familjet dhe komunitetet që kanë lënë në atdhe, duke dënuar edhe dhunën ndaj aktivistëve në protestat e zhvilluara në kryeqytet. Sipas saj, përveç protestave, shqiptarët me shtetësi të dyfishtë kanë nisur edhe denoncime në institucione dhe gjykata ndërkombëtare për abuzimet që po ndodhin në Shqipëri. Aktivistja Silvana Xhaferri Hoxha: Shqiptarët kanë dalë të protestojnë edhe në Londër. Ata kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit në Londër dhe në mbarë Anglinë protestojnë për realitetin në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë. Ata nuk protestojnë vetëm për veten, por për familjen e tyre, si dhe komunitetin e tyre në Shqipëri. Qytetarët kanë parë sesi janë dhunuar aktivistët në Tiranë. Komuniteti shqiptar shikon me kujdes gjithçka ndodh.
Shqiptarët këtu po protestojnë kundër klasës politike në Shqipëri, e cila është e korruptuar dhe ku korrupsioni ka zënë rrënjë thuajse në çdo institucion.
Ka denoncime edhe në institucione ndërkombëtare. Aktivistët shqiptarë që janë me shtetësi të dyfishtë po bëjnë denoncime në gjykata ndërkombëtare për abuzimet. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: Londer protesta
