Kryeministri Edi Rama ka pasur këtë të premte një komunikim me mediat lidhur me protestën. Nën një slogan të ri pas krahëve të tij, “Student, jo”, Rama e ka nisur fjalën e tij duke thënë se do të tregojë komponentët e terrorit që, sipas tij, mbërtheu kryeqytetin. “Jam këtu për të ndarë me ju një nga komponentët e asaj që ndodhi në ditët e terrorit psikologjik mbi kryeqytetin dhe popullin e Shqipërisë. Komponentë që po zbërthehen dhe po çmontohen hap pas hapi. Ndërkohë që e drejta për të protestuar është një e drejtë e pamohueshme dhe e padiskutueshme e çdo qytetari, në Shqipëri dhuna është një krim i parelativizueshëm. Dhe, për fat të keq, në protestat e javës së fundit u bënë bashkë të dyja. Nga njëra anë, liria për të protestuar dhe, nga ana tjetër, dhuna si një krim u relativizua dhe u glorifikua në ekranet e korruptuara. Shqipëria, orë e çast, pa me ankth sesi terrori mori peng të gjithë dhe u mbingarkua me idenë tërësisht të rreme se studentë idealistë dhe të pafajshëm u vunë nën dhunë policore. Një përmbysje dramatike dhe manipuluese. Kam ndarë me ju raportet e policëve të plagosur dhe studentëve të lënduar. Pjesa më e dëmtuar është policia, gjë që ka bërë vaki këtu me shifra dhe fakte.”-tha Rama.
