Lajme Zone
Rama i ftoi në takim për pagat, Shoqatat e Gjyqtarëve dhe e Prokurorëve refuzojnë: Nuk marrim pjesë, presim vendimin e Kushtetueses!
PolitikëBalkanWeb

Rama i ftoi në takim për pagat, Shoqatat e Gjyqtarëve dhe e Prokurorëve refuzojnë: Nuk marrim pjesë, presim vendimin e Kushtetueses!

Shoqatat e gjyqtarëve dhe e Prokurorëve i kanë kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama lidhur me ftesën për takimin e planifikuar për sot, duke bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në tryezën e diskutimit. Në një shkresë drejtuar kreut të qeverisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh vlerësimin për ftesën dhe nënvizon rëndësinë e dialogut institucional për çështjet me interes kombëtar. Megjithatë, Unioni argumenton se në këtë rast çështja e pagave është tashmë pjesë e një procesi kushtetues të nisur nga shoqatat e magjistratëve dhe që nuk ka përfunduar ende në Gjykatën Kushtetuese.

Shoqatat e gjyqtarëve dhe e Prokurorëve i kanë kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama lidhur me ftesën për takimin e planifikuar për sot, duke bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në tryezën e diskutimit. Në një shkresë drejtuar kreut të qeverisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shpreh vlerësimin për ftesën dhe nënvizon rëndësinë e dialogut institucional për çështjet me interes kombëtar. Megjithatë, Unioni argumenton se në këtë rast çështja e pagave është tashmë pjesë e një procesi kushtetues të nisur nga shoqatat e magjistratëve dhe që nuk ka përfunduar ende në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Unionit, procesi lidhet drejtpërdrejt me kundërshtimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe me zbatimin e vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, për të cilin Unioni thotë se ka përcaktuar standardin minimal të pagës së magjistratëve. Pikërisht për këtë arsye, në shkresë theksohet se pjesëmarrja në tryezën e thirrur nga Rama, ndërsa çështja është ende në shqyrtim kushtetues, mund të cenonte kufijtë e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe parimet e ndarjes së pushteteve. “Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigjen e Unionit. Megjithatë, Unioni sqaron se mungesa në takim nuk duhet të interpretohet si një mbyllje e dialogut institucional me qeverinë. Përkundrazi, gjyqtarët shprehen se mbeten të hapur për komunikim dhe dialog në një moment të përshtatshëm, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë vendimin e saj. Në shkresë thuhet gjithashtu se Unioni dhe anëtarët e tij janë të gatshëm të kontribuojnë, brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore, në çdo proces institucional që synon një zgjidhje të qëndrueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese të një shteti demokratik. Ftesa e Ramës ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe shoqatave të magjistratëve për të diskutuar mbi një mekanizëm të ri për përcaktimin dhe rishikimin periodik të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Takimi ishte parashikuar të zhvillohej më 28 shtator, në një kohë kur përplasja për formulën e re të pagave vijon të jetë e hapur. Vendimi i shoqatave për të mos marrë pjesë vjen pasi tre organizatat përfaqësuese të magjistratëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Unioni i Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit të ri për pagat. Përplasja mes magjistratëve dhe qeverisë lidhet me formulën e re të pagave, të miratuar nga Kuvendi më 18 shtator. Shoqatat kanë kundërshtuar ligjin dhe kanë ngritur pretendime edhe për mënyrën e konsultimit gjatë procesit parlamentar. REAGIMI I SHOQATES SE PROKUROREVE

Në vijim të ftesës së Kryeministrit Z. Edi Rama për pjesëmarrjen në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026, dëshirojmë të shprehim vlerësimin tonë për ftesën dhe, në veçanti, për vullnetin për të zhvilluar një dialog institucional mbi çështje me rëndësi për sistemin e drejtësisë dhe statusin e magjistratëve. Shoqata e Prokurorëve e konsideron dialogun institucional një instrument të rëndësishëm për adresimin e këtyre çështjeve dhe mbetet e hapur për një komunikim konstruktiv me institucionet.

Megjithatë, duke pasur parasysh se çështja objekt i konsultimit lidhet drejtpërdrejt me një proces kushtetues të iniciuar nga shoqatat e magjistratëve pranë Gjykatës Kushtetuese, do ta vlerësonim që një tryezë e tillë të zhvillohej pas një qëndrimi të Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen, në mënyrë që dialogu institucional të zhvillohet mbi një kuadër më të qartë dhe duke respektuar plotësisht rolin dhe kompetencat kushtetuese të Gjykatës.

Gjithashtu, për ta bërë dialogun sa më konkret dhe efektiv, do ta vlerësonim që një takim i ardhshëm të organizohej mbi bazën e një agjendeje paraprake, së bashku me një draft ose pika konkrete diskutimi, si dhe me përcaktimin paraprak të modaliteteve dhe formatit të tryezës, në mënyrë që pjesëmarrësit të kenë mundësi të përgatiten dhe diskutimi të prodhojë rezultate konkrete.

Për sa më sipër, në vijim të qëndrimeve të koordinuara edhe me shoqatat e gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve nuk do të mund të marrë pjesë në tryezën e datës 28 shtator 2026, por duke mos e konsideruar këtë mospjesëmarrje si një mbyllje të dialogut institucional. Përkundrazi, mbetemi tërësisht të hapur për vijimin e komunikimit dhe për pjesëmarrjen në një tryezë të tillë, në një moment të përshtatshëm dhe në kushtet e sipërpërmendura.

Duke ju falënderuar për ftesën dhe për vullnetin e shprehur për dialog, ju përcjellim konsideratat tona më të mira.

Me respekt,

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: pagat Rama ftesa Shoqata e Gjyqtarëve