Lajme Zone
Rama deklaron: Avioni presidencial i SHBA do të prodhohet në Shqipëri
PolitikëJOQ Albania

Rama deklaron: Avioni presidencial i SHBA do të prodhohet në Shqipëri

Nga Ministria e së Vërtetës.

Nga Ministria e së Vërtetës.

Pasi pushtoi tregun global me produkte ushtarake të teknologjisë së lartë, Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se avioni i ardhshëm presidencial i Shteteve të Bashkuara, i njohur si Air Force One, do të prodhohet tërësisht në Shqipëri nga kompania “TIMAK Defence”.

Lajmi i bujshëm erdhi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku Kryeministri publikoi pamje nga makina e parë ushtarake “Made in Albania”, një mjet që sipas burimeve jozyrtare ka kaluar testet e NATO-s duke ecur me sukses mbi tre rrethrrotullime të reja në autostradën Tiranë-Durrës pa u gërvishtur. “Mirëmëngjes! Me krenarinë e prodhimit të parë ushtarak sipas standardeve super-NATO, ju njoftoj se brenda 30 muajve TIMAK jo vetëm që do të furnizojë ushtrinë tonë, por do të ndërtojë edhe avionin e ri të Shtëpisë së Bardhë. Pentagoni ka pranuar që avioni i tyre të ketë tapiceri me punim dore nga Përmeti dhe ngjyrë vjollcë me Nuancë Rilindjeje,” shkroi Rama në Facebook, shoqëruar me një video 8-minutëshe me muzike në prapavijë. Sipas kryeministrit, kompania vendase ka nënshkruar tashmë marrëveshje me 30 vende të botës, përfshirë fuqi të mëdha si San Marino dhe një fis i panjohur në Amazonë.

Burime nga Uashingtoni konfirmojnë se SHBA u bind përfundimisht kur Rama u garantoi se mjetet blinduara shqiptare vijnë me sistem automatik për shmangien e gropave të rrugëve dhe janë të pajisura me gomat më të mira të përdorura nga Zvicra.

I pyetur nga gazetarët se si do t'ia dalë një kompani që deri dje prodhonte ambulanca të ndërtojë një avion presidencial supersonik stealth, Rama u përgjigj shkurt: “Kush ka dyshime, le të shohë këtë render 3D në 4K që kemi bërë me 3D Max. Të tjerat janë kazani i opozitës. Ju uroj fundjavë të qetë!”