Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 40 mjeteve të para taktike të prodhuara në Shqipëri sipas standardeve të NATO-s, të cilat do t’i kalojnë në përdorim Forcave të Armatosura. Sipas kryeministrit, Shqipëria tashmë ka hyrë në një fazë të re, ku nuk është më vetëm përdoruese e teknologjisë së mbrojtjes, por edhe projektuese dhe zhvilluese e kapaciteteve të saj teknologjike. Me tej, ai foli dhe për bazën e re të logjistikës së ushtrisë, që sipas kryeministrit do jetë në shërbim të gjithë bashkive për infrastrukturën. “Kemi një risi qe vjen nga kjo forcë e re që kemi krijuar këtu, ku dua të falenderoj Shefin e Shtabit sepse kam marrë me seriozitet disa detyra. E kam fjalën për bazën e re të logjistikës sa që do jetë një kompani e ushtrisë shqiptare në shërbim të gjithë bashkive, një kompani e infrastrukturës që do bëjë mirëmbajtje, ndërhyrje që lidhen me infrastrukturën e kanaleve, rrugëve rurale etj. Do jetë në funksion të emergjencave, kur s’do ketë emergjencë do jetë në funksion të pushtetit. Gjë tjetër është hapja e Ministrisë së Mbrojtjes për turizmin për të krijuar atë që e kanë të gjitha ushtritë e NATO-s përveç nesh. Nga kjo gjë përsëri Forcat e Armatosura marrin pjesën e tyre. Këto partneritete janë rruga jonë e re. Do bëjmë partneritete të tjera në vazhdim duke vënë në dispozicion jo vetëm shërbimin por dhe fitimin për të marrë mbrapsht të ardhura nga arka e shteti të cilat ri-investohen në funksion te qytetarit. Është një ditë historike për industrinë tonë ushtarake”, tha kryeministri Rama
