Kryeinspektori Dashnor Sula, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me gazetaren Ola Bruko, ka folur për marrëdhënien e tij me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke treguar se me cilin prej tyre ndihet më komod në komunikim. Sula deklaroi se nuk është anëtar i Partisë Socialiste, por se ndien përgjegjësi për të kontribuar për qytetarët shqiptarë. Ai tha se ndjek rregullisht zhvillimet politike dhe komunikimet e Ramës dhe Berishës, duke e përshkruar pozicionin e tij aktual si të vështirë, pasi përballet me pritshmëri nga të dyja palët. Duke krahasuar dy politikanët, Sula vlerësoi karizmën e Berishës, por u shpreh se e gjen veten më komod në komunikimin me Ramën. Ai e cilësoi kryeministrin si “të tmerrshëm” për ritmin e lartë të punës dhe tregoi se në orën 05:30 të mëngjesit kishte marrë prej tij një shqetësim të një qytetari nga Vlora. Sula tha se e kishte ftuar qytetarin në zyrë për t’u takuar të nesërmen, në orën 09:00. “S’jam anëtar i PS-së. Ndjej përgjegjësi për shtetin shqiptar. Prej tetë muajsh drejtoj institucionin më të rëndësishëm shqiptar. A ka probleme? Sigurisht që ka. Ndjej që të kontribuoj për qytetarët shqiptarë. Unë jam një ndjekës i rregullt i televizioneve, për shkak edhe të zakonit tim dhe lidhjeve me politikën. I ndjek Ramën dhe Berishën. Jam mes dy zjarreve. Nuk ruhem dot me një krah, se më djeg tjetri. Nëse gaboj, më djeg Rama, se më shkarkon nëse nuk e bëj detyrën, por më djeg edhe opozita, që mund të thotë: ‘Ky ishte një limon i shtrydhur, i pavlerë’. Edhe Berisha ka karizmën e vet, në fillimet e veta politike. Por me zotin Rama e gjej veten për sa i përket komoditetit që krijon në komunikim. Nuk komunikon vetëm me mua. Rama është i tmerrshëm për të ndjekur ritmin e tij. Duhet të jesh i gatshëm për përcjelljen e ankesave dhe shqetësimeve.
Sot, në orën 05:30 të mëngjesit, kur kam qenë në gjumë, më ka përcjellë një shqetësim të një qytetari nga Vlora. Qytetarin e kam ftuar nesër në zyrë, nga ora 09:00. E vlerësoj kryeministrin në këtë qasje. Edi Rama ka 13 vite në pushtet. Në kuptimin e mirë të fjalës, nuk ka çfarë të kërkojë më me emër, pasi ka një kauzë: bashkimin e shqiptarëve në BE.”, tha ai. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: proteste sula
