Kryeministri Edi Rama tha se 10 mijë familje do të përfitojnë strehim gjatë vitit 2027, në kuadër të programit të ri të strehimit. Gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë, Rama deklaroi se objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2030 të sigurohen banesa për 55 mijë familje. Sipas kryeministrit, programi synon të mbështesë veçanërisht familjet e reja dhe personat që kanë nevojë për ndihmë për të siguruar një banesë. “Me buxhetin e ri dhe sistemin e ri të strehimit, 10 mijë të parët, familje të reja, do të kenë shansin të marrin çelësin e shtëpisë duke filluar nga viti i ardhshëm. Ne kemi ambicien që deri në 2030, e kemi të shkruar në programin e 2025, të dorëzojmë 55 mijë çelësa, ku shteti u gjendet pranë të gjithëve atyre që meritojnë një mbështetje për të pasur çatinë e tyre”, u shpreh Rama. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u ndal edhe te debati për ndërtimin e kullave në Tiranë, duke deklaruar se numri i tyre nuk është aq i lartë sa pretendohet dhe se ndërtimet gjenerojnë të ardhura për buxhetin e Bashkisë së kryeqytetit. “Nuk kemi ende faktikisht ndërtuar në Tiranë aq shumë kulla sa të ketë një pasojë, por nga ato pak kulla, të ardhurat në buxhetin e bashkisë janë domethënëse. Të gjithë kur shohin një kullë apo pallat të ri që ndërtohet, aty janë 3% për strehimin social, kontribut i kujtdo që ndërton një kullë apo pallat, ndërkohë që janë 8% taksë për kryeqytetin”, deklaroi kryeministri.
