Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të kërkuar ndihmë pas humbjes së portofolit në Kamëz më 7 korrik. Sipas tij, portofoli ka humbur rreth orës 14:30, në afërsi të Market Dibra, ndërsa ai shpreson që personi që e ka gjetur ta kthejë pranë të zotit. Qytetari ka dërguar edhe një video nga zona ku dyshohet se ka humbur portofolin.
Brenda portofolit ndodhet edhe patenta, ndaj humbja i ka shkaktuar shqetësim të madh. Ai u bën apel qytetarëve të zonës që, nëse e kanë gjetur portofolin ose kanë parë diçka që mund të ndihmojë në gjetjen e tij, të kontaktojnë me të ose të njoftojnë redaksinë.
“Ju lutem, të ma kthejnë”, është apeli i qytetarit. Nëse dikush e ka gjetur, mjafton ta dorëzojë te personi që e ka humbur ose pranë autoriteteve, pasi dokumentet brenda tij janë të rëndësishme për të zotin.

