Gjatë tubimit të mbajtur përpara godinës së Kryeministrisë, një nga qytetarët e pranishëm ka artikuluar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke renditur ato që ai i quajti prova të korrupsionit dhe standardeve të dyfishta të qeverisjes. Protestuesi e vuri theksin te ndryshimi drastik mes pasurisë së zyrtarëve dhe gjendjes së qytetarëve të thjeshtë, duke përmendur emra konkretë të përfolur në debatin publik. “Kundërshtari ynë është Edi Rama! Pse nuk duhet t’ia japim besën Edi Ramës? Sepse Balluku ka 300 apartamente, Ermal Beqiraj ka vilë 3 milionë euro, Ergys Agasi ka 300 mijë euro orën, Zegjineja ka 300 milionë lekë të vjetra apartamentin. Edhe patronazhistët nuk janë keq, 300 lekë një sufllaqe,” deklaroi ai. Më tej, i pranishmi në protestë solli në vëmendje kontrastin e thellë social dhe ligjor që sipas tij ekziston sot në Shqipëri. “Me Ramën, ai që nuk paguan energjinë elektrike shkon në burg, ndërsa ai që vjedh miliona euro fle në vilat qeveritare. Ai që nuk gjen mikun për legalizimin e shtëpisë i vjen fadroma, kurse oligarkut i shtohen 5 kate dhe ministri shkon i pret shiritin e inaugurimit,” përfi fjalën e tij qytetari. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
