Një fotografi e publikuar në rrjetet sociale ku Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, shfaqej duke luajtur shah në plazh me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, me mbishkrimin "Dy pushtete, një tavolinë dhe shumë strategji... pjesa tjetër është thjesht lojë", duket se e ka gjetur "prapaskenën" e vet financiare.
Prapa pushimeve dhe "strategjive" buzë detit fshihet një tender me vlerë miliona eurosh i hapur nga Agjencia e Prokurimit Publik. Sipas dokumenteve zyrtare të tenderit me numër reference REF-94644-07-28-2026, objekti i prokurimit është:
“Riparim i digave ekzistuese të liqeneve akullnajore nr.1 dhe nr.2 Kusar dhe rikonstruksioni i kanalit të Malit Kusar-Fushë Studen-Letem (L=11 km për 900ha)”.
Dokumentet konfirmojnë se: Autoriteti Kontraktues: Bashkia Librazhd (drejtuar nga Mariglen Disha)
Burimi i Financimit: Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Fondi Limit: 145,850,130.00 Lekë të reja (rreth 1.5 milion euro pa TVSH)
Data e shpalljes dhe mbylljes: Procedura është çelur më 29 korrik 2026 dhe afati i dorëzimit të dokumenteve ka qenë data 13 gusht 2026. Pse pikërisht Fushë-Studeni?
Ky investim masiv prej 1.5 milion eurosh i financuar drejtpërdrejt nga Ministria e Bujqësisë për bashkinë e Dishës vjen fill pas një tjetër investimi kapital në të njëjtën zonë. Më parë, në Fushë-Studen u financua ndërtimi i një observatori me vlerë rreth 300 mijë euro nga Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve.
Përqendrimi i fondit publik në këtë fshat turistik ka ngritur dyshime të forta. Zëra vendorë dhe denoncime shprehin se në zonën e Fushë-Studenit kanë blerë prona mjaft zyrtarë e pushtetarë të lartë, veçanërisht pas projektit të asfaltimit të rrugës ndërlidhëse Librazhd-Bulqizë, çka e ka kthyer zonën në një pikë të nxehtë për ndërtimin e vilave private.
Në këtë kuadër, "strategjia e shahut" në shezlong mes ministrit që lëshon fondet dhe kryebashkiakut që hap tenderin, duket se ka pasur si objektiv lëvizjen e milionave të taksapaguesve drejt të njëjtit destinacion.

