Lufta e presidentit Nayib Bukele kundër bandave kriminale në El Salvador ka hyrë në një fazë të re. Pas më shumë se katër vitesh arrestimesh masive, qindra të dyshuar po dalin tashmë përpara drejtësisë në të njëjtën kohë, në procese ku avokatët thonë se kanë vetëm pak minuta për të mbrojtur dhjetëra apo edhe qindra persona. Një raport i ri i Human Rights Watch ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohen këto gjyqe. Organizata thotë se ka shqyrtuar katër aktakuza që përfshijnë më shumë se 600 të pandehur dhe një vendim gjyqësor ku mbi 120 persona u dënuan në të njëjtin proces. Për raportin janë intervistuar edhe 15 avokatë mbrojtës. Dëshmitë e tyre përshkruajnë një sistem ku mbrojtja përballet me pengesa që nga momenti i parë. Avokatët pretendojnë se në raste të caktuara nuk kanë marrë kopje të dosjeve, nuk kanë mundur të komunikojnë privatisht me klientët dhe u është dhënë shumë pak kohë për të paraqitur argumentet e tyre. Në një prej rasteve të dokumentuara, një avokat publik kishte vetëm 10 minuta për të mbrojtur 102 persona. Në një tjetër proces, një mbrojtës kishte 20 deri në 30 minuta për 200 të pandehur, ndërsa një avokat privat deklaroi se kishte pasur vetëm 30-40 sekonda për të mbrojtur klientin e tij. “Gjyqet masive në El Salvador janë një tallje me drejtësinë”, deklaroi Juanita Goebertus, drejtoresha për Amerikat në Human Rights Watch. Sipas saj, proceset janë ndërtuar për të prodhuar vendime fajësie dhe jo për të peshuar individualisht provat ndaj çdo të akuzuari. Një prej vendimeve të analizuara nga organizata tregon përmasat e sistemit. Më shumë se 120 persona u shpallën fajtorë për “anëtarësim të paligjshëm” dhe u dënuan me 30 ose 45 vjet burg. Asnjë prej të pandehurve nuk u shpall i pafajshëm.
Sipas HRW, për pjesën dërrmuese të personave të dënuar me 30 vjet burg, lidhja me bandat mbështetej kryesisht në dëshmitë e njërit prej dy dëshmitarëve anonimë, të cilët kishin arritur marrëveshje me prokurorinë, së bashku me dokumentacionin e policisë dhe profilet kriminale të hartuara prej saj.
Avokatët pretendojnë se raportet policore mund të bazohen në informacione që mbrojtja nuk ka mundësi t’i verifikojë. Në disa raste, sipas tyre, dëshmitarët e prokurorisë dëshmojnë pas ekraneve, me identitet të fshehur dhe zë të deformuar.
Edhe vetë gjyqtarët që drejtojnë proceset mbeten anonimë. Çështjet zhvillohen përpara Tribunaleve Kundër Krimit të Organizuar dhe, sipas HRW, identitetet e gjyqtarëve nuk u bëhen të ditura as avokatëve. Legjislacioni salvadorian lejon fshehjen e emrit të gjyqtarit që shqyrton një çështje.
Gjyqet masive janë kapitulli i fundit i ofensivës së Bukeles kundër bandave që dikur kontrollonin zona të tëra të El Salvadorit.
Gjendja e jashtëzakonshme u vendos në mars të vitit 2022, pas një vale vrasjesh, duke pezulluar disa garanci kushtetuese dhe duke zgjeruar ndjeshëm kompetencat e forcave të sigurisë. Që prej atëherë janë arrestuar mbi 93 mijë persona, përfshirë më shumë se 3 mijë të mitur.
Sipas vlerësimeve të cituara nga Human Rights Watch, rreth 120 mijë njerëz ndodhen aktualisht në burgjet e El Salvadorit, ose afërsisht 2 për qind e popullsisë së vendit, duke e vendosur atë mes shteteve me normat më të larta të burgosjes në botë.
Qeveria e Bukeles e ka mbrojtur ofensivën si një instrument të domosdoshëm për të çmontuar organizatat kriminale që për dekada ushtruan dhunë dhe kontroll territorial. Autoritetet i atribuojnë politikës së sigurisë uljen e fortë të dhunës së bandave dhe të vrasjeve në vend.
Por Human Rights Watch argumenton se lufta kundër bandave nuk mund të eliminojë detyrimin për të provuar individualisht fajësinë e çdo të akuzuari. Organizata kërkon krijimin e një mekanizmi të pavarur për rishikimin e rasteve të personave të arrestuar gjatë gjendjes së jashtëzakonshme dhe lirimin e atyre që mbahen pa prova të besueshme.
Pas arrestimit të dhjetëra mijëra njerëzve, debati mbi ofensivën e Bukeles po zhvendoset kështu nga mënyra se si të dyshuarit përfjnë pas hekurave, te ajo që ndodh kur qindra prej tyre vendosen njëherësh përpara një gjykate. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

