Një situatë e paprecedentë ka përfshirë sistemin e drejtësisë në vend, ku pagat e magjistratëve, funksionarëve dhe personelit të administratës gjyqësore e asaj të prokurorisë nuk po ekzekutohen nga Drejtoria e Thesarit. Përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar sot, Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për këtë bllokim financiar që cenon funksionimin e institucioneve. Kjo përplasje vjen pas përfundimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese (Vendimi nr. 15, datë 17.02.2026), sipas të cilit, nga data 1 gusht 2026, përllogaritja e pagave të magjistratëve duhet të kryhet mbi bazën e formulës së re, me efekt prapaveprues edhe për periudhën prill 2023 – korrik 2026. Në zbatim të këtij detyrimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimin nr. 435 (datë 26.08.2026) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë me vendimin nr. 144 (datë 28.08.2026) miratuan pagën referuese bazë dhe ngarkuan njësitë buxhetore të nisnin ekzekutimin e pagesave. Megjithatë, më 2 shtator 2026, procesi është bllokuar në fazën e ekzekutimit financiar si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të Drejtorisë së Thesarit. Shoqatat bëjnë me dije një detaj të veçantë: nga të dhënat e administruara, vetëm në zyrat e dy prokurorive në vend janë ekzekutuar pagat me förllogaritjen e re, ndërsa për pjesën tjetër të sistemit pagesat mbeten të bllokuara. Ky fakt, sipas tyre, vërteton se ekzekutimi financiar është plotësisht i mundur dhe e bën mosekzekutimin në pjesën tjetër të pajustifikueshëm. Pasojat e këtij bllokimi nuk prekni vetëm magjistratët, por edhe administratën gjyqësore dhe të prokurorisë, punonjësit e të cilave kanë mbetur pa marrë pagat në afat. Përmes deklaratës, shoqatat i bëjnë thirrje urgjente Ministrisë së Financave dhe vetë Ministrit të Financave që të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e situatës dhe të garantojnë se strukturat në varësi të tyre nuk pengojnë vendimet detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Në përmbyllje, Unioni i Gjyqtarëve dhe dy shoqatat paralajmërojnë se në mungesë të një zgjidhjeje të menjëhershme, do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, përfshirë kërkimin e përgjegjësisë ligjore e penale për personat dhe strukturat përgjegjëse që po pengojnë kryerjen e pagesave. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

