Lajme Zone
'Qetësohuni dhe flisni me fakte', Rama flet për Channel 4 News për projektin e Kushner në Zvërnec: Do të jetë në përputhje me standardet e BE-së
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

'Qetësohuni dhe flisni me fakte', Rama flet për Channel 4 News për projektin e Kushner në Zvërnec: Do të jetë në përputhje me standardet e BE-së

Në një intervistë për Channel 4 News, kryeministri tha se në projekt janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe se do të respektojë standardet e Bashkimit Europian.

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin turistik të Jared Kushner në Zvërnec, si një nga projektet më të jashtëzakonshme që do të ndodhin në Europë, një projekt që sipas tij nuk ka si synim të shkatërrojë një vend të bukur por ta rigjenerojë atë. Në një intervistë për redaktoren e lajmeve ndërkombëtare në Channel 4 News, Lindsey Hilsum, insiston se projekti nuk synon të dëmtojë natyrën dhe se do të zbatohet sipas standardeve të Bashkimit Europian. LEXO edhe...Meta xheloz për mesazhin e Ramës? Kryemadhi: Sa më thonë ‘zemra’ mua... ashtu e kam! Zemra ime do të vijë të dëshmojë në gjyq “Ajo që u publikua në Instagram ishte thjesht një ngacmim. Projekti ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë. Ky do të jetë një nga projektet më të jashtëzakonshme që do të ndodhin në Europë pas shumë kohësh. Nuk do të jetë ai që njerëzit imagjinojnë. Projekti nuk synon të shkatërrojë një vend të bukur, por ta rigjenerojë atë”, tha ai. Rama u pyet edhe për shqetësimet e ngritura nga Komisioni Europian teksa vendi po përgatitet të mbyllë grupkapitujt e negociatave për anëtarësim në vitin 2027, dhe nguli këmbë se idea për një projekt që nuk përputhet me standardet e BE-së është e pabesueshme. “ Ideja se mund të ecim përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet e BE-së është e pabesueshme. Prandaj them vetëm kaq: qetësohuni dhe flisni me fakte”, deklaroi Rama. Intervista u transmetua nga Channel 4 News, i cili e përshkruan Nartën si një nga zonat bregdetare më të paprekura dhe me biodiversitetin më të pasur në Europë, ndërsa vë në dukje se projekti i planifikuar nga Ivanka Trump dhe Jared Kushner ka nxitur protesta në Shqipëri, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”. Intervista e plotë: Lindsey Hilsum:: Faleminderit shumë, zoti Kryeministër, që na pritët. Protestuesit kanë gati 60 ditë që protestojnë. Si ndiheni kur protestuesit janë jashtë zyrës suaj natë pas nate? Edi Rama: Është diçka e mrekullueshme për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë, njerëz u vranë me plumba të vërtetë ndërsa protestonin paqësisht. Kam reflektuar shumë mbi këtë protestë dhe kam arritur në përfundimin se për njerëzit nuk bëhet fjalë për faktet, dhe me të drejtë, por për pritshmëritë më të larta që i nxjerrin në rrugë. Kjo nuk është diçka e keqe. Është e mrekullueshme. Prandaj thashë se është fantastike. Kështu që i kuptoj. Lindsey Hilsum: A keni rishqyrtuar ndonjë nga politikat tuaja si pasojë e këtyre protestave? Edi Rama: Cilat politika? Lindsey Hilsum:: Politikat lidhur me projektin në Sazan dhe Zvërnec, prej nga nisi gjithçka, për shkak të rrezikimit të habitatit të flamingove dhe habitateve të tjera atje. Edi Rama: Jo. Nuk ka nisur asnjë projekt. Lindsey Hilsum:: Unë e kam parë. Edi Rama: Jo. Lindsey Hilsum:: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi? Edi Rama: Do t’ju tregoj çfarë keni parë, por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, sa i përket Sazanit, që e përfshitë në pyetjen tuaj, në Sazan nuk ka as projekt dhe as marrëveshje. Përfshirja e Sazanit këtu është krejt e panevojshme, sepse ende nuk kemi asgjë në Sazan. Lindsey Hilsum:: Por zoti Kushner dhe zonja Trump i lidhën të dy projektet, apo jo? Ata thanë se projektet janë të lidhura. Edi Rama: Po, ideja është e lidhur. Lindsey Hilsum:: Atëherë ma shpjegoni, sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti kishte nisur dhe më pas ishte ndalur. Edi Rama: Jo. Projekti nuk ka nisur në Zvërnec. Lindsey Hilsum:: Atëherë çfarë pashë me gardhet e kështu me radhë? Edi Rama: Do t’ju shpjegoj. Nuk është fillimi i projektit. Janë vetëm përgatitje për kryerjen e punimeve paraprake, përpara se të jepet leja, bazuar në vlerësimin mjedisor, gjeologjik dhe hidrologjik. Lindsey Hilsum:: Por zakonisht vlerësimi mjedisor bëhet përpara se të futen buldozerët, sepse ata mund të dëmtojnë mjedisin. Zakonisht dërgohen disa shkencëtarë për të bërë vlerësimin. Edi Rama: Buldozerët janë përdorur për të hapur kalimin për njerëzit, për komunitetin, për të krijuar rrugë përmes pronës private, në mënyrë që njerëzit të mos pengoheshin të lëviznin. Lindsey Hilsum:: Por njerëzit kalonin edhe më parë në rrugën me rërë. Ata u bllokuan vetëm pasi u vendos gardhi. Edi Rama: Përsëri, nëse doni faktet, unë po jua them faktet. Lindsey Hilsum:: Zoti Kushner tha se ju ishit në jaht me ta kur zbuluan ishullin në vitin 2020. Edi Rama: Më ftuan t’i bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant, rrugës për në Mal të Zi. Ishte jahti i Nat Rothschild. Pranova ftesën dhe shkova. Aty takova Jared-in dhe Ivanka-n. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë. Por mund t’ju them me siguri se nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin. Disa muaj më vonë, u takova me Jared-in në Davos. Ai më shprehu interesin për të eksploruar mundësinë e investimit. Sigurisht që i thashë po. Si mund t’i thosha jo? Për mua kjo ishte gjëja më normale. Ky do të jetë një nga zhvillimet më të jashtëzakonshme që do t’i ndodhin Europës pas shumë kohësh. Nuk kanë ndodhur shumë gjëra të jashtëzakonshme në Europë këto vitet e fundit. Lindsey Hilsum:: Pse është kaq i jashtëzakonshëm? Edi Rama: Sepse nuk do të jetë ashtu siç e imagjinojnë njerëzit, gabimisht. Ashtu siç e imagjinoni edhe ju, gabimisht. Lindsey Hilsum:: Unë nuk po imagjinoj. Kam parë atë që Jared Kushner publikoi në Instagram dhe disa nga planet e tjera. E kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare. Edi Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një prezantim paraprak. Projekti ka evoluar, procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të njohur botërisht dhe projektues peizazhi me përvojë të madhe në zonat ligatinore. Në të njëjtën kohë, ne po kryejmë në mënyrë të pavarur vlerësimin e ndikimit në mjedis. Projekti nuk synon të shkatërrojë një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë. Lindsey Hilsum:: Komisioni Europian ka shprehur shqetësim dhe, sigurisht, anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet mjedisore dhe gjithashtu për ndryshimet në ligjin mjedisor të vitit 2024, i cili krijon një lloj përjashtimi për investimet strategjike. A mendoni se mund ta rishikoni edhe një herë këtë? Edi Rama: Është mirë, madje shumë mirë, që Komisioni është i shqetësuar. Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Ne jemi në negociata për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian. Prandaj, vetë ideja se mund të ecim përpara me një projekt që nuk përputhet me standardet europiane është e papranueshme. Ajo që po them është: qetësohuni, flisni për faktet, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u nxitoni të thoni se gjithçka është katastrofike. Lindsey Hilsum:: Duket sikur ju kanë lënduar personalisht këto akuza. Edi Rama: Jo, jo. Nuk jam i lënduar. Lindsey Hilsum:: Megjithatë, duket se i merrni shumë personalisht. Është interesante. Edi Rama: Nuk jam i lënduar. Lindsey Hilsum:: Sepse duket se i merrni shumë personalisht. Edi Rama: Dëgjoni, gjithçka është personale. Kushdo që e bën punën e tij ose të saj me pasion, e përjeton personalisht. Por nuk jam i lënduar. Kjo më ka ndihmuar. Siç ju thashë më parë, për mua protesta e qershorit, jo kjo e tanishmja, ishte njëkohësisht një konfirmim se vendi është në një nivel tjetër dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë. Share U.D/ReportTv.al edi rama resorti ne zvernec Jared Kushner protestat kunder qeverise Komento Komente Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri? Po 64.2% Jo 29.2% Nuk e di 6.6% Vota total: 8315 Sondazhi i ditës: Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?