Lajme Zone
'Qetësohen gjakrat' në PS! Nga Xhafaj te Braçe, ministra e deputetë me superlativa për buxhetin
PolitikëPamfleti

'Qetësohen gjakrat' në PS! Nga Xhafaj te Braçe, ministra e deputetë me superlativa për buxhetin

Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj ishin ndër zërat kritikë, por sot në Kuvend u shfaqën ndryshe. Ata folën me superlativa të larta për buxhetin, ashtu si gjithë ministrat dhe deputetët e tjerë.

Seanca parlamentare sot Pas 'kundërshtive' në Asamblenë e PS-së për përjashtimin e Elisa Spiropalit, seanca e Buxhetit 2027 solli një atmosferë tjetër. Të gjithë socialistët folën me superlativa për buxhetin... Show i Asmblesë Socialiste duket se ka mbaruar. U fol për kritika, rebelime e akzua. Por duket se gjithçka mbeti në Lalëz, pasi socialistët u vunë sërish në rresht. Erion Braçe dhe Fatmir Xhafaj ishin ndër zërat kritikë, por sot në Kuvend u shfaqën ndryshe. Ata folën me superlativa të larta për buxhetin, ashtu si gjithë ministrat dhe deputetët e tjerë.

Erion Braçe zgjodhi ta nisë fjalën duke iu kundërvënë Sali Berishës. Duke kujtuar falimentimin e firmave piramidale, ai ironizoi ish-kryeministrin për kritikat ndaj ekonomisë, duke theksuar se drejtuesit e skemave të vitit 1997 janë larguar nga skena publike, ndërsa politikani që drejtonte vendin vazhdon të flasë për ekonominë.

“Buxheti i këtij viti përmbush të gjitha detyrimet e tij dhe ul në kufijtë e poshtëm rreziqet për të dhe prej tij, pra rreziqet për ekonominë. Nga perspektiva e 30 viteve më parë, disiplina ligjore fiskale ka një rëndësi shumë të madhe. Nisur nga kjo, dua të them se buxheti ka të ardhura të planifikuara dhe shpenzime në rritje. Borxhi publik është ulur në 52,4% dhe investimet publike janë tri herë më të larta se deficiti buxhetor. Ky buxhet nuk i bëhet barrë ekonomisë kombëtare. Paga mesatare arriti në 967 euro, deficiti mbeti në 2,3% dhe balanca primare ishte pozitive. Për ata që i dëgjuan dhe thonë se nuk i kuptuan, dua të them se këto shifra janë elemente të qëndrueshmërisë ekonomike. Buxheti jo vetëm që nuk bëhet barrë, por shërben edhe si stimul për zgjerimin e aktivitetit ekonomik në vend", tha ai.

Edhe Fatmir Xhafaj e lavdëroi buxhetin. Ai vlerësoi financimin prej 13 miliardë lekësh për institucionet e drejtësisë, por kërkoi që rritja e fondeve të shoqërohet me rezultate konkrete. “Mbështetja financiare për institucionet e pavarura është një nga aspektet më të rëndësishme të politikave buxhetore. Financimi i institucioneve të drejtësisë të përfshira në analizën buxhetore është rritur në 13 mld lekë për vitin 2027. Ky është një angazhim financiar shumë i rëndësishëm, por duhet të ushtrojmë me më shumë forcë çështjen e rezultateve”, deklaroi Xhafaj. Edhe pse jo deputet, pjesë e debateve u bë edhe Pandeli Mjako, i cili ju përgjigj Berishës për videot erotike. Edhe ai u shfaq si flamurtar i fortë i PS. “Socialistët një mijë herë të bien në tokë, sërish do të ringrihen! Berisha nuk i mund dot socialistët! Ta harrojë! Arsyeja është e thjeshtë! Berisha nuk mund të jetë një ëndërr për të ardhmen europiane edhe të atyre djemve e vajzave që protestojnë sot! Askush nuk i shpëton asaj që është! Berisha më shumë se askush!”, tha ai. Ndërkohë emrat e tjerë, padyshim vijuan me superlativa. Bledi Çuçi e mbrojti projektbuxhetin në një përballje me Jorida Tabakun, duke kundërshtuar etiketimet e opozitës dhe duke e cilësuar shifrën prej 10 miliardë eurosh si historike. Ai renditi masat për pensionistët, familjet me fëmijë, studentët dhe punonjësit e policisë.

“Është fakt që është buxheti më i madh që ka kapur historia e Shqipërisë”, deklaroi Çuçi.

Deputeti socialist argumentoi se modeli fiskal i qeverisë ruan lehtësitë për biznesin e vogël dhe shpërndan më shumë fonde për kategoritë në nevojë. Ai përmendi dyfishimin e bonusit mujor të pensionistëve, mbështetjen për fëmijët deri në pesë vjeç, uljen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe rritjen e bursave. Çuçi kërkoi gjithashtu që gjatë shqyrtimit nen për nen të rishikohen pagat e punonjësve të Gardës së Republikës.

Taulant Balla e ktheu debatin në një përballje politike me demokratët. Ai renditi shtatë arsye përse opozita, sipas tij, duhet të mbështeste buxhetin, duke përmendur ushqimet bazë, strehimin, mbështetjen për fëmijët dhe lehtësitë fiskale.

“Mes fustanit dhe bukës është më e rëndësishme të ulim çmimin e bukës”, u shpreh Balla, duke ironizuar kundërshtimet për ndryshimet në TVSH.

Ai vijoi me argumentet për mbështetjen e familjeve, studentëve dhe kategorive të tjera përfituese, ndërsa në fund e shoqëroi thirrjen për votimin e buxhetit me batutën: “Votojeni buxhetin 2027 se ju bën mirë për shëndetin”.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mbrojti projektbuxhetin si dokumentin që përcakton prioritetet e qeverisë. Ai argumentoi se konsolidimi i financave publike nuk e pengon shtetin të rrisë investimet dhe mbështetjen sociale.

“Ndërsa vazhdojmë të ulim borxhin publik, rrisim investimet”, deklaroi Malaj.

Ministri iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të opozitës për taksat, shpenzimet dhe mënyrën e shpërndarjes së fondeve, duke mbrojtur objektivat e qeverisë për vitin e ardhshëm.

Delina Ibrahimaj e përqendroi fjalën te kostot e jetesës dhe mbështetja sociale. Ajo argumentoi se ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve dhe se qeveria heq dorë nga 12,8 miliardë lekë të ardhura vjetore për këtë masë.

“Kostot e jetesës dhe shpenzimet për ushqime janë shqetësimet kryesore të familjeve”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja përmendi edhe financimin e pensioneve, politikat e punësimit dhe programin për mundësimin e 10 mijë banesave, duke i paraqitur si pjesë të orientimit social të buxhetit.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, përmes një videomesazhi, e lidhi buxhetin me objektivin e një Shqipërie europiane. Ajo tha se rritja ekonomike duhet të reflektohet te shpenzimet e përditshme, të ardhurat e pensionistëve dhe mundësitë për të rinjtë.

“Një ekonomi më e fortë duhet të ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve”, u shpreh Koçiu.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi financimin prej 29,6 miliardë lekësh për sektorin e drejtësisë, duke veçuar hapjen e pesë zyrave të reja të ndihmës juridike falas dhe funksionimin e qendrës për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve.

“Buxheti nuk matet me miliarda, por me atë që ndryshon në jetën e qytetarëve”, tha Gogu.

Ai theksoi se pritja e gjatë në gjykata dhe pamundësia për të paguar një avokat janë kosto që rëndojnë drejtpërdrejt mbi qytetarët dhe që duhet të adresohen përmes politikave të drejtësisë.

Ministrja Adea Pirdeni u ndal te reforma e administratës publike, modernizimi i shërbimit civil dhe zhvillimi profesional i punonjësve. Ajo i lidhi këto masa me përgatitjen e institucioneve shqiptare për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

“Ambicia jonë për një Shqipëri anëtare në BE kërkon një administratë të aftë të përmbushë standardet europiane”, deklaroi Pirdeni.

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, prezantoi financimet për Skemën Kombëtare të fermerëve, sigurinë ushqimore, laboratorët dhe infrastrukturën e ujitjes e kullimit. Ai përmendi edhe vijimin e rimbursimit të TVSH-së për fermerët dhe dyfishimin e fondit për këtë masë.

“Ky projektbuxhet synon uljen e kostove të prodhimit dhe rritjen e mundësisë së investimit në sektor”, deklaroi Salla.

Ministri argumentoi se fondet për vitin 2027 synojnë të forcojnë prodhimin vendas dhe të ndihmojnë sektorin bujqësor të përgatitet për standardet europiane.

Por deklarata që e lidhi më drejtpërdrejt debatin e buxhetit me zhvillimet në Partinë Socialiste erdhi nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Spahiu. Ajo kritikoi opozitën se po i kushtonte më shumë vëmendje Asamblesë së socialistëve sesa përmirësimit të projektbuxhetit.

“Vëmendja e tyre kryesore është se çfarë po bën PS. Vëmendja e tyre duhet të ishin qytetarët”, deklaroi Spahiu.

Ministrja kërkoi nga opozita të paraqiste alternativa konkrete për shërbimet publike dhe të mos e kthente diskutimin në sulme politike. Ajo kritikoi edhe thirrjet për protesta të dhunshme, duke kërkuar që debati të përqendrohej te qytetarët.

Ndërkohë, Elisa Spiropali u paraqit në Kuvend, pavarësisht përjashtimit nga strukturat partiake. Ajo u ul te vendi i saj, teksa vijon të heshtë. Pra duket se show i Lalëzit mbaroi dhe tani të gjithë para për partinë. /Pamfletibuxheti ps brace xhafaj Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Politike Shqipëria e korrupsionit dhe oligarkëve, aty ku pushteti vendos kush merr punë e kontrata! 18 Nëntor 2026, 21:3021:30Politike “Rritja për bujqësinë as gjysmë kokrre veze”, Korreshi ironizon buxhetin: Fermerëve u jepni një palë çizme në muaj 18 Nëntor 2026, 21:2621:26Politike Kurthi i Xi-së ndaj Trumpit: Si Pekini mund të fitojë pa lëshuar asgjë 18 Nëntor 2026, 20:5120:51Politike Ina Zhupa akuza qeverisë: Buxhet për të vjedhur, rëndoni mbi të varfrit për të favorizuar të pasurit 18 Nëntor 2026, 20:3520:35Politike Spahiu i drejtohet opozitës në Kuvend: Boll me protesta të dhunshme, kthehuni te qytetarët 18 Nëntor 2026, 18:4918:49Politike “Himni juaj është vjedhja”, Gjekmarkaj kundër buxhetit 2027: Nga 10 miliardë euro, 6 do t’i grabisni 18 Nëntor 2026, 18:1418:14Politike