Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit shembi mesditën e së hënës një objekt 5-katësh me konstruksion beton-arme, të ndërtuar pa leje në Qeparo dhe të destinuar për hotel.
Sipas IKMT-së, subjekti kishte pretenduar se prej kohësh kishte ndërtuar një objekt njëkatësh me një kat nëntokë, për të cilin kishte aplikuar për leje legalizimi pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Megjithatë, brenda pak ditësh, në objekt kanë vijuar punimet për ndërtimin e kateve të tjera.
Sipas policisë, vijimi i punimeve është lejuar nga tre punonjës të Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë Himarë, të cilët monitoronin zonën ku po ngrihej objekti. Për shpërdorim detyre janë shpallur në kërkim kryeinspektori Dorjan Hoxha, 46 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe inspektorët Andi Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë, dhe Mateo Koshi, 31 vjeç, banues në Gjirokastër.
Policia bën me dije se po punohet për kapjen e tyre dhe individualizimin e përgjegjësisë penale për secilin.
Objekti pa leje po ndërtohej nga Lulzim Bujari, 39 vjeç, nga Tirana, i cili u arrestua në flagrancë gjatë kontrolleve në terren për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit.
Në vijim të masave të marra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:
Nenkomisar Ferit Merkaj, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
Komisar Emiljano Prenga ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;
Nenkomisar Klodjan Petani , ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet

