Zgjedhjet e së dielës në Gjermani nuk ishin zgjedhje federale dhe Alternativa për Gjermaninë nuk “fitoi Gjermaninë”. Në Berlin doli e para e majta e Die Linke. Por në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, AfD fitoi rreth 38 për qind të votave, duke lënë pas socialdemokratët dhe duke i shkaktuar CDU-së së kancelarit Friedrich Merz një rezultat historikisht të dobët. Dy javë më parë, AfD kishte fituar bindshëm edhe në Saksoni-Anhalt. Këto nuk janë më episode të izoluara të politikës provinciale gjermane. Ato tregojnë një ndryshim të madh në mënyrën se si politika po zhvillohet në Evropë. Historia e këtyre zgjedhjeve nuk është vetëm historia e emigracionit, e pakënaqësisë me qeverinë apo e frikës nga ndryshimet kulturore, siç mhen ta paraqesin pseudoanalistët e Shqipërisë, por edhe shumë sivëllezër të tyre në Evropë. Politika e sotme është historia e energjisë, e çmimeve, e luftës në Ukrainë dhe e një strategjie ruse që prej vitesh përpiqet të shfrytëzojë pikërisht dobësitë e demokracive perëndimore. LEXO edhe...Zgjedhjet në Rusi/ Dalin rezultatet e para, partia ‘Rusia e Bashkuar’ e mbështetur nga Putini drejt një fitoreje të thellë Lufta moderne nuk zhvillohet vetëm me tanke. Historia, e parë me kujdes, tregon se fronti i luftës së Putinit nuk është Ukraina, por nuk është as ajo që shumë thonë, se Putini do të sulmojë një vend tjetër të NATO-s pas Ukrainës. Bashkimi Evropian e përkufizon sot veprimtarinë hibride ruse si një kombinim të sabotimit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjes në infrastrukturë, manipulimit të informacionit dhe përpjekjeve për të cenuar proceset demokratike dhe zgjedhore. Parlamenti Evropian ka shkuar edhe më tej, duke deklaruar se ekzistojnë prova për mbështetje ruse ndaj forcave ekstremiste dhe për përpjekje për të krijuar rrjete ndikimi brenda politikës evropiane. Kjo nuk do të thotë se miliona gjermanë që votojnë AfD-në janë instrumente të Vladimir Putinit. Një përfundim i tillë do të ishte jo vetëm i padrejtë, por edhe politikisht i verbër. Njerëzit votojnë për arsye reale: për çmimet, emigracionin, pensionet, sigurinë, pakënaqësinë ndaj elitave politike dhe, gjithnjë e më shumë, për ekonominë. Strategjia më efikase e një fuqie të huaj nuk është të shpikë pakënaqësinë. Është ta gjejë atë, ta ushqejë dhe pastaj ta drejtojë. Gjermania është shembulli më i mirë. Për dekada ajo ndërtoi një pjesë të rëndësishme të modelit të vet industrial mbi energjinë relativisht të lirë ruse. Para luftës, më shumë se gjysma e gazit të importuar prej saj vinte nga Rusia. Bundesbank vëren se varësia e madhe nga gazi rus e bëri ekonominë gjermane veçanërisht të ekspozuar ndaj goditjes së vitit 2022. Në kulmin e krizës, çmimi i gazit në tregun evropian arriti rreth 12 herë mesataren e vitit 2019. Dhe ka një hollësi edhe më të rëndësishme. Bundesbank shkruante këtë vit se Rusia kishte filluar të reduktonte furnizimet me gaz drejt Evropës që në vitin 2021, përpara pushtimit të Ukrainës, duke e përdorur furnizimin me energji për të fituar ndikim gjeopolitik. Pra, energjia nuk ishte thjesht viktimë e luftës. Është pjesë e politikës. Evropa arriti më pas të zvogëlonte dramatikisht varësinë nga Rusia. Por çmimi ekonomik dhe politik i këtij shkëputjeje nuk u zhduk. Sot kontinenti po përjeton përsëri çmime të larta të energjisë dhe rezerva relativisht të ulëta gazi. Shkaqet e krizës së tanishme janë më të gjera dhe përfshijnë edhe konfliktin në Lindjen e Mesme e vështirësitë e furnizimit me LNG. Megjithatë, në Gjermani kostoja e energjisë është përsëri një temë qendrore politike. Dhe këtu AfD ofron një përgjigje jashtëzakonisht të thjeshtë: rikthejeni gazin rus. Vetëm dy ditë përpara zgjedhjeve të së dielës, Reuters raportoi se drejtues të AfD-së dhe një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të Putinit po përgatiten për bisedime mbi mundësinë e rikthimit të gazit rus në Gjermani. AfD kërkon heqjen e sanksioneve energjetike ndaj Rusisë dhe rikthimin e bashkëpunimit ekonomik. Në qershor, një zyrtar i lartë i AfD-së ishte në Shën Petersburg, ku u takua me drejtues të Gazpromit dhe me këshilltarin e Putinit, Kirill Dmitriev, dhe argumentoi publikisht për riparimin e Nord Stream dhe rivendosjen e furnizimeve ruse. Kjo është arsyeja pse debati për AfD-në nuk kufizohet vetëm te emigrantët dhe myslimanët, ose, më saktë, sepse debati rreth tyre është thjesht maskë e problemeve të vërteta. Retorika kundër emigracionit është pjesa më e dukshme e ofertës politike të AfD-së. Por pas saj ekziston një paketë shumë më e rëndësishme gjeopolitike: kundërshtim ndaj sanksioneve kundër Rusisë, kundërshtim ndaj një pjese të mbështetjes për Ukrainën, kërkesë për normalizimin e marrëdhënieve me Moskën dhe rikthimin e bashkëpunimit energjetik rus. Analiza të politikës gjermane kanë vënë në dukje se AfD është sot forca kryesore në Bundestag që kërkon vazhdimisht një rikthim te bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me Rusinë. Këtu interesat e AfD-së dhe interesat e Kremlinit nuk kanë nevojë të jenë identike që rezultati të jetë i dobishëm për Moskën. Putini nuk ka nevojë të bindë gjermanët se pushtimi i Ukrainës ishte i drejtë. Kjo do të ishte një detyrë shumë më e vështirë. Atij i mjafton që një numër gjithnjë e më i madh evropianësh të arrijnë në një përfundim shumë më praktik: lufta kushton tepër, sanksionet kushtojnë tepër, energjia kushton tepër dhe ndoshta është më mirë të bëjmë përsëri biznes me Rusinë. Kjo është një fitore shumë më e vlefshme se çdo slogan propagandistik. Ka edhe raste më të drejtpërdrejta. Parlamenti Evropian ka folur për akuza të besueshme se politikanë evropianë janë paguar për të shpërndarë propagandë ruse. Në vitin 2024 ai përmendi posaçërisht rastin e politikanit të AfD-së Petr Bystron dhe rrjetin “Voice of Europe”, të cilin autoritetet çeke e identifikuan si pjesë të një operacioni rus ndikimi. AfD i ka kundërshtuar akuzat më të gjera se vepron si instrument i Moskës, dhe një debat i Bundestagut në vitin 2025 tregoi se sa e ashpër mbetet kjo përplasje politike. Por lufta hibride nuk matet vetëm me zarfet me para, agjentët sekretë apo fermat e internetit. Forma e saj më e sofistikuar është ajo në të cilën interesi i agresorit përputhet me pakënaqësinë reale të qytetarit. Nëse një punëtor gjerman sheh faturën e energjisë dhe pyet pse gazi kushton kaq shumë, nuk është propagandë. Fatura është reale. Nëse një fabrikë humbet konkurrueshmërinë për shkak të energjisë së shtrenjtë, problemi është real. Nëse një pensionist shqetësohet për koston e jetesës, shqetësimi është real. Propaganda fillon më pas, kur nga një problem kompleks ofrohet një shpjegim i vetëm: fajin e kanë sanksionet, Ukraina, Brukseli dhe qeveritë që refuzojnë gazin e lirë rus. Kjo është politikisht shumë më e fuqishme sesa një kanal televiziv rus. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm në Gjermani. Në Francë, Itali, Sllovaki, Hungari dhe vende të tjera, partitë që kërkojnë një marrëdhënie më të butë me Moskën kanë gjetur terren te votuesit e lodhur nga inflacioni, lufta, shpenzimet ushtarake dhe pasiguria ekonomike. Nuk janë të gjitha të njëjta dhe marrëdhëniet e tyre me Rusinë ndryshojnë. Por për Kremlinin rezultati strategjik mund të jetë i njëjtë: një Evropë më e përçarë për Ukrainën, më skeptike ndaj sanksioneve dhe më pak e gatshme të paguajë koston e sigurisë së saj. Putinit, në fund, nuk i duhet domosdoshmërisht një Evropë proruse. I mjafton një Evropë që nuk arrin të bjerë dakord për Rusinë. Kjo është arsyeja pse rezultati i Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore duhet parë përtej kufijve të atij landi. AfD nuk mori pushtetin në Gjermani të dielën. Por një forcë politike që kërkon ndryshimin rrënjësor të politikës gjermane ndaj Rusisë mori afro katër në dhjetë vota në një pjesë të vendit. Kjo është një e dhënë elektorale gjermane. Por është gjithashtu një informacion strategjik për Moskën. Lufta në Ukrainë zhvillohet me dronë, raketa dhe ushtarë. Lufta tjetër zhvillohet me faturën e gazit, me algoritmin e rrjeteve sociale, me lodhjen e votuesit dhe me premtimin se gjithçka mund të bëhet përsëri më e lirë nëse Evropa ndryshon kurs. Në atë front nuk ka një vijë beteje që mund të shihet në hartë. Dhe pikërisht për këtë arsye është shumë më e vështirë të kuptohet se kush po fiton. Ajo që është edhe më e paqartë është qëndrimi i Uashingtonit. Pas fitores së AfD-së në Saksoni-Anhalt, Donald Trump nuk reagoi si një president amerikan që vështron me shqetësim forcimin e një partie evropiane që kërkon zbutjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndryshimin e kursit ndaj Ukrainës. Ai e përshëndeti rezultatin, e cilësoi atë si një sukses të madh dhe e shpjegoi kryesisht me kundërshtimin ndaj politikës gjermane të emigracionit. Reagimi shkaktoi pakënaqësi në Berlin, pikërisht sepse u perceptua si ndërhyrje në debatin e brendshëm politik gjerman. Këtu krijohet një paradoks që Evropa ende nuk e ka sqaruar. Për dekada, strategjia perëndimore ndaj Moskës mbështetej mbi një bosht relativisht të qartë: Shtetet e Bashkuara dhe Evropa mund të kishin mosmarrëveshje për tregtinë, shpenzimet ushtarake apo energjinë, por përballë Rusisë ekzistonte një interes strategjik i përbashkët. Sot kjo siguri nuk është më aq e vetëkuptueshme. Kur presidenti amerikan përshëndet suksesin e një force politike që kërkon një kurs krejt tjetër të Gjermanisë ndaj Moskës, pyetja nuk është më vetëm se çfarë po bën Putini për të përçarë Evropën. Pyetja është se sa e bashkuar mbetet vetë aleanca perëndimore përballë kësaj strategjie. Dhe pikërisht këtu lufta hibride bëhet edhe më e ndërlikuar. Sepse Putinit mund të mos i duhet të fitojë ushtarakisht në Kiev, të pushtojë një vend tjetër të NATO-s apo të bindë evropianët të duan Rusinë. Mund t’i mjaftojë që Evropa të ndahet, që mbështetja për Ukrainën të kthehet në barrë politike, që sanksionet të shihen gjithnjë e më shumë si shkaku i problemeve ekonomike dhe që Uashingtoni e kryeqytetet evropiane të mos jenë më të sigurt nëse po luftojnë të njëjtën betejë. Nëse arrin deri aty, Putini nuk ka nevojë të fitojë në Ukrainë për të fituar në Evropë. P.J/ReportTv.al Rusi BE CDU Friedrich Merz AfD gjermani Thoma Gëllçi vladimir putin Komento Komente Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 6.6% Të gabuar 88.4% Nuk e di 5% Vota total: 5790 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?

