Lajme Zone
Pushimet në Tiranë kthehen në makth për turistët italianë: Sulmohen në rrugë nga 20 të mitur
BotëJOQ Albania

Pushimet në Tiranë kthehen në makth për turistët italianë: Sulmohen në rrugë nga 20 të mitur

Pushimet e gjashtë 20-vjeçarëve nga Venosa e Italisë (Potenza) në Shqipëri u shndërruan në një makth dhe zgjatën më pak se 24 orë, pas një agresioni të dhunshëm nga një grup të miturish në rrugët e Tiranës. Ngjarja, e cila ka bërë bujë në mediat italiane dhe është treguar nga një prej viktimave.

Pushimet e gjashtë 20-vjeçarëve nga Venosa e Italisë (Potenza) në Shqipëri u shndërruan në një makth dhe zgjatën më pak se 24 orë, pas një agresioni të dhunshëm nga një grup të miturish në rrugët e Tiranës. Ngjarja, e cila ka bërë bujë në mediat italiane dhe është treguar nga një prej viktimave.

Të rinjtë mbërritën në Tiranë më 29 korrik. Rreth orës 21:30 të po asaj mbrëmjeje, pasi u vendosën në banesën që kishin marrë me qira, dolën në grup prej gjashtë vetash për të darkuar. Sapo dolën në rrugë, njëri prej tyre hyri në një dyqan të vogël për të blerë një shishe ujë, ndërkohë që një grup të rinjsh vendas iu afruan duke i pyetur se nga vinin. Pasi morën përgjigjen se ishin italianë, gjashtë studentët u nisën drejt Sheshit Skënderbej, por u ndoqën nga një grup prej rreth 20 adoleshentësh, të moshës 16 deri në 18 vjeç. Fillimisht, grupi i të miturve nisi t'i qëllojë me ujë, shishe dhe gurë, ndërsa italianët u munduan t'i shmangnin për të shmangur çdo konflikt në një vend të huaj.

Situata doli jashtë kontrollit kur agresorët rrethuan njërin prej tyre, duke i kërkuar para dhe duke e kërcënuar drejtpërdrejt me thikë. Kalimtarët e rastit nisën të largoheshin drejt punonjësve të policisë që ndodheshin në zonë, ndërkohë që banda e të miturve vazhdoi ndjekjen, duke i qëlluar me gurë dhe duke goditur me grushte e mjete të forta ata që mbetën prapa. Megjithëse pjesa më e madhe e të rinjve arriti të shpëtonte, njëri prej tyre u bllokua, u rrëzua përtokë dhe u dhunua brutalisht.

Një nga aspektet më të rënda të denoncuara nga të rinjtë është sjellja e efektivëve të parë të policisë në vendngjarje, të cilët sipas tyre nuk reaguan ndaj kërkesave për ndihmë, ndërsa përpjekjet për të kontaktuar numrat e urgjencës përmes kalimtarëve rezultuan të pasuksesshme në fillim. Fatmirësisht, në vendngjarje ndërhynë efektivë të tjerë policie, të cilët vunë në ikje agresorët dhe thirrën një ambulancë. I riu i plagosur mori ndihmën e parë në vendngjarje pasi pësoi lëndime në pjesë të ndryshme të trupit.

Të tronditur nga ngjarja, grupi vendosi të anulojë pushimet dhe të kthehet menjëherë në Itali. Më 30 korrik, në orën 06:00 të mëngjesit, ata u nisën me fluturimin e parë për në shtëpi, ku i plagosuri u dërgua për kontroll mjekësor në spitalin e Venosës. “Më mirë të hash ndonjë dru, sesa të reagosh dhe të rrezikosh plagë me thikë që mund të ishin fatale,” – përfn rrëfimin e tij i riu italian.