David Beckham ka ndarë me ndjekësit disa nga momentet më të veçanta të pushimeve verore me familjen, ku nuk kanë munguar skenat romantike me bashkëshorten e tij, Victoria Beckham, si dhe një takim me legjendën braziliane të futbollit, Ronaldo.
Ish-futbollisti anglez publikoi të premten një seri fotografish në Instagram, ku në një prej tyre shfaqet duke puthur Victorian në buzë, ndërsa të dy ndodhen në det. Çifti duket se po kalon disa ditë pushimi në Mesdhe, në shoqërinë e fëmijëve të tyre, Romeo dhe Harper.
Sipas Daily Mail, familja Beckham po udhëton me jahtin e tyre, me itinerarin që ka përfshirë Spanjën, Ibizën dhe Saint-Tropez, përpara se udhëtimi të vijojë drejt Italisë.
Në një prej fotografive, Victoria shihet duke u zhytur në det. Beckham e shoqëroi imazhin me një koment me humor, duke treguar se bashkëshortja e tij nuk është veçanërisht e apasionuar pas oqeanit.
“Dikush nuk e do oqeanin, por asaj i pëlqeu kjo”, shkroi ai.
Një tjetër fotografi sjell çiftin në një moment romantik, teksa pozojnë të buzëqeshur. Beckham ka qenë gjithmonë i hapur për të shprehur publikisht dashurinë dhe admirimin për bashkëshorten e tij.
Në udhëtimin familjar kanë qenë edhe Romeo dhe Harper, ndërsa sipas postimeve të Beckham, pjesë e pushimeve kanë qenë edhe prindërit e tij.
Por një prej fotove që tërhoqi vëmendjen ishte ajo në fund të albumit, ku David Beckham shfaqet së bashku me djalin e tij Romeo dhe ish-yllin brazilian Ronaldo.
“20 vjet miqësi dhe ne ende vazhdojmë të fortë, siç mund ta shihni”, shkroi Beckham krahas fotografisë, duke iu referuar marrëdhënies së gjatë të miqësisë me ish-futbollistin brazilian.
Pushimet e familjes Beckham kanë sjellë kështu një përzierje momentesh familjare, skenash romantike dhe takimesh me miq të vjetër të Davidit, të krijuara gjatë viteve të karrierës së tij në futboll.

