Në fshatin turistik të Linit po kryhen punimet për furnizimin me ujë të rrjedhshëm dhe ndërtimin e sistemit të kanalizimeve. Prej vitesh, zona vuante mungesën e këtyre shërbimeve bazike, ndërsa shkarkimi i ujërave të zeza në liqenin e Ohrit shkaktonte ndotje, erë të pakëndshme dhe shqetësime për banorët dhe turistët. Megjithatë, ndërsa vijojnë punimet për realizimin e projektit, nuk kanë munguar debatet mes zbatuesve të tij dhe banorëve. Këta të fundit kërkojnë garanci për lidhjen e të gjitha familjeve me sistemin e kanalizimeve, si dhe rikonstruksionin e rrugëve të dëmtuara. Drejtuesi i punimeve, Elio Dodaj, thotë se problematikat do të marrin zgjidhje me përfundimin e projektit. Problematika e ujërave të zeza në Lin dhe në disa fshatra përgjatë liqenit të Ohrit ka qenë ndër kërkesat kryesore të UNESCO-s drejtuar qeverisë shqiptare. Sipas kësaj organizate, shkarkimet e patrajtuara përbënin rrezik për florën dhe faunën e liqenit, duke e bërë zgjidhjen e këtij problemi të rëndësishme edhe për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore. Lini është një nga fshatrat turistikë më të vizituar të juglindjes, falë natyrës, siteve kulturore dhe historisë së lashtë.
