Dy korsitë e rrugës Tiranë-Durrës do të bllokohen përkohësisht gjatë netëve të 14 dhe 15 gushtit. Punimet në mbikalimin e ri të Kasharit do të devijojnë trafikun drejt Durrësit, por nuk do të krijojnë pengesa për lëvizjen drejt aeroportit. Dy korsitë në drejtimin Tiranë–Durrës, në autostradë, do të bllokohen përkohësisht gjatë natës së 14 dhe 15 gushtit, ndërsa lëvizja drejt aeroportit do të vijojë normalisht. Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III”, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Punimet do të zhvillohen më 14 dhe 15 gusht 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00. Për garantimin e sigurisë rrugore, gjatë këtij intervali do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë–Durrës. Trafiku i mjeteve që udhëtojnë drejt Durrësit do të devijohet në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime lëvizjeje. ARRSH sqaron se mjetet me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës do të vijojnë lëvizjen pa pengesë. Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës gjatë zhvillimit të këtyre punimeve.
