Lajme Zone
Punëtorë nga Azia në Kosovë, të rinjtë tanë drejt Evropës – ku po dështon tregu i punës?
EkonomiTelegrafi

Punëtorë nga Azia në Kosovë, të rinjtë tanë drejt Evropës – ku po dështon tregu i punës?

Punëtorët e huaj po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në tregun e punës në Kosovë, në kohën kur një pjesë e madhe e të rinjve kosovarë po e shohin jashtë vendit perspektivën për punë dhe jetë më të mirë.

Punëtorët e huaj po bëhen gjithnjë e më të pranishëm në tregun e punës në Kosovë, në kohën kur një pjesë e madhe e të rinjve kosovarë po e shohin jashtë vendit perspektivën për punë dhe jetë më të mirë.Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm gjatë qershorit janë lëshuar mbi 400 leje të përkohshme qëndrimi për punë. Përveç qytetarëve nga vendet fqinje, një pjesë e aplikimeve vijnë nga shtete si Turqia, Filipinet dhe vende të tjera aziatike. Në anën tjetër, mbi 40 për qind e të rinjve të moshës 18 deri në 24 vjeç kanë deklaruar se janë të gatshëm të largohen nga Kosova, sipas një hulumtimi të Institutit Demokratik Kombëtar (NDI).Sociologu Besim Gollopeni thotë në podkastin 5 pyetje të Radios Evropa e Lirë se kjo situatë tregon një paradoks të tregut të punës në Kosovë: vendi po bëhet më tërheqës për punëtorët nga jashtë, por nuk po arrin t’u ofrojë të rinjve të vetë sigurinë dhe perspektivën që kërkojnë.“Shikuar nga një perspektivë pak më afatgjatë, ky do të përbënte një lajm shumë të mirë, që Kosova po bëhet gjithnjë më atraktive edhe për të huajt, për të ardhur këtu, për të punuar dhe jetuar”, shprehet Gollopeni.“Por, nga ana tjetër, shikuar nga realiteti me të cilin përballemi çdo ditë, atëherë kuptojmë që nuk kemi të bëjmë me një perspektivë për vetë banorët apo qytetarët e Kosovës”, thekson ai.Sipas Gollopenit, një nga arsyet kryesore që punëtorët nga vende si Filipinet, Bangladeshi dhe vende të tjera aziatike vijnë në Kosovë, është se këtu gjejnë mundësi punësimi dhe paga më të mira sesa në vendet e tyre të origjinës.“E kanë kuptuar se ka hapësirë për të punuar në profesione të caktuara dhe, natyrisht, paga mesatare në Kosovë tani është më e lartë sesa në ato vende të origjinës prej nga vijnë këta qytetarë”, thotë ai.Por, Gollopeni vlerëson se për një pjesë të punëtorëve të huaj, Kosova nuk është destinacion përfundimtar. “Shumë më shumë e shikojnë Kosovën si vend tranzit, për të emigruar në vende të tjera, sesa që vijnë e punojnë në Kosovë dhe mendojnë të qëndrojnë për kohë të gjatë”, thotë ai.Pse po largohen të rinjtë kosovarë?Në të njëjtën kohë, Gollopeni thotë se Kosova po humb një pjesë të fuqisë së saj të re punëtore.“Në moshën 18 deri 24 vjeç, çdo i dyti i ri apo e re e ka si synim të largohet nga vendi”, thotë ai në 5 pyetje, duke sqaruar se faktorët shtytës për këtë lidhen kryesisht me pasigurinë financiare në Kosovë.Ai përmend mungesën e kontratave, të ardhurat jo të rregullta, pasigurinë në punë dhe kushtet e dobëta të punës, si disa prej faktorëve që i shtyjnë të rinjtë drejt emigrimit.“Nëse ne zgjohemi në mëngjes, me pasigurinë se a do të na zgjasë puna gjashtë muaj, një vit, dy vjet, tre vjet, atëherë çfarë motivi do të kemi për të qëndruar dhe për të jetuar në Kosovë?”, shton ai.Një pjesë e të rinjve që largohen janë të arsimuar dhe kanë profesione të kërkuara në tregjet evropiane.Gollopeni përmend infermierinë, shkencat shëndetësore dhe teknologjinë, si fusha ku Kosova përgatit kuadro, por një pjesë e tyre përfjnë duke punuar jashtë vendit.“Imagjinoni sot sa të rinj e të reja i përgatisim në nivele të larta të arsimimit, pra mbarojnë studimet universitare, dhe në vend se të kyçen në tregun e punës në Kosovë, ata apo ato emigrojnë në vende të tjera”, thotë ai.A rrezikon Kosova të mbetet me fuqi të importuar punëtore?Nëse trendi i emigrimit të të rinjve vazhdon, ndërsa nevoja për punëtorë nga jashtë rritet, Kosova mund të bëhet gjithnjë e më e varur nga fuqia e huaj punëtore. “Në Kosovë, çdo ditë e më shumë, dhe çdo vit që ne kalojmë, nevoja për fuqi punëtore të importuar nga vendet e ndryshme, sidomos nga vendet aziatike, do të rritet, pa mëdyshje”, thotë Gollopeni në 5 pyetje.Por, sipas tij, nëse Kosova dëshiron t’i mbajë të rinjtë, dhe t’i tërheqë punëtorët e huaj për periudha më të gjata, duhet të krijojë një treg pune më të sigurt dhe më formal./Radio Evropa e Lirë/