Foto Pamfleti / Trump dhe zëvendëspresidenti J.D..Vance ia atribuojnë trazirat në Francë emigracionit, por nuk kanë reaguar publikisht ndaj protestave kundër qeverisë së Edi Ramës në Shqipëri. Heshtja e tyre bie në sy, pasi protestuesit shqiptarë kundërshtojnë edhe një projekt turistik luksoz të lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan. Presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti J.D.Vance kanë fajësuar emigracionin për trazirat e dhunshme në Francë, por nuk kanë komentuar publikisht valën e protestave kundër qeverisë në Shqipëri, ku demonstruesit kanë vënë në shënjestër edhe një projekt të debatueshëm turistik të lidhur me kompaninë e investimeve të themeluar nga Jared Kushner, dhëndri i Trump.
Kontrasti mes qëndrimeve të administratës amerikane, vjen në një kohë kur të dyja vendet po përballen me protesta në rritje, ku të rinjtë janë në ballë të demonstratave, ndërsa përplasjet me policinë dhe sulmet ndaj objekteve publike kanë shënuar përshkallëzim.
Të dielën, Trump shkroi në rrjetin e tij Truth Social: “Franca po digjet! Emigracioni i njerëzve nga një botë krejtësisht tjetër, njerëzve me urrejtje në zemrat e tyre, e ka shkatërruar atë vend dikur të madh. Mbyllni kufijtë dhe merrni situatën nën kontroll, para se të jetë tepër vonë!”.
Edhe Vance ia atribuoi dhunën emigracionit, duke argumentuar se qeveritë liberale perëndimore nuk kanë arritur të përballen me çështjet e integrimit dhe të përputhshmërisë kulturore. “Liberalët perëndimorë importuan Botën e Tretë në Francë dhe vende të tjera, në emër të diversitetit dhe dhembshurisë”, shkroi Vance në platformën X. “Ata shpërfillën çështjet themelore të integrimit dhe përputhshmërisë”, nënvizoi ai.
As Trump dhe as Vance nuk reaguanr publikisht ndaj përshkallëzimit të protestave në Shqipëri, ku demonstruesit kundërshtojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama dhe një projekt turistik luksoz të mbështetur nga një kompani investimesh e themeluar nga Kushner.
Newsweek i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë një koment përmes postës elektronike, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Çfarë po ndodh në Francë?
Franca përjetoi gjatë fundjavës një nga episodet më të rënda të trazirave civile të viteve të fundit. Në mbarë vendin, u zhvilluan protesta kundër rritjes së kostos së jetesës dhe përkeqësimit të kushteve në shkolla.
Sipas autoriteteve, rreth 550.000 persona morën pjesë në demonstratat e së shtunës, ndërsa organizatorët e vlerësuan pjesëmarrjen në afërsisht 800.000 vetë. Protestat ishin zhvilluar gradualisht gjatë disa javëve.
Në fillim, ato u nxitën nga kërkesat e nxënësve dhe studentëve për ambiente më të mira shkollore, më shumë mësues dhe kushte më të përshtatshme arsimore. Më pas, lëvizja u zgjerua, duke përfshirë pakënaqësitë për presionin ekonomik dhe cilësinë e shërbimeve publike.
Grupe të dhunshme u vunë flakën objekteve, plaçkitën dyqane dhe sulmuan ndërtesa publike në disa qytete. Në Limoges, një zjarr shkaktoi dëme të rënda në bashkinë historike të qytetit, ndërsa në zona të tjera u sulmuan biznese dhe prona publike.
Autoritetet franceze, raportuan mijëra arrestime dhe qindra efektivë policie, xhandarë e zjarrfikës të plagosur. Presidenti Emmanuel Macron i dënoi shkatërrimet dhe në një fjalim televiziv drejtuar vendit të dielën në mbrëmje, premtoi se përgjegjësit do të përballen me pasojat ligjore.
Ndërkohë Trump, ia faturoi trazirat emigracionit, duke kërkuar mbylljen e kufijve të Francës. Edhe Vance e shfrytëzoi situatën, për të përsëritur pretendimin se qeveritë evropiane kanë dështuar në politikat e integrimit dhe të asimilimit.
Edhe protestat në Shqipëri janë përshkallëzuar
Në Shqipëri, demonstratat e udhëhequra nga studentët kundër qeverisë së Ramës janë përshkallëzuar pas muajsh protestash kryesisht paqësore, të nxitura nga akuzat për korrupsion dhe kundërshtimi ndaj një projekti turistik luksoz në bregdetin jugor të vendit.
Projekti lidhet me një kompani investimesh të themeluar nga Kushner. Përveç kundërshtimit ndaj zhvillimit turistik, protestuesit kanë ngritur shqetësime për arsimin, papunësinë, koston e jetesës dhe korrupsionin e pretenduar.
Mijëra demonstrues kanë dalë në rrugët e Tiranës, ndërsa protestat janë shtrirë edhe në qytete të tjera, ku lëvizjes i janë bashkuar nxënës të shkollave të mesme. Mediat vendase, kanë raportuar se në Durrës protestuesit dëmtuan një zyrë poste dhe bllokuan rrugë me barrikada të djegura, duke i zhvendosur përplasjet edhe përtej kryeqytetit.
Përshkallëzimi është shoqëruar me sulme ndaj ndërtesave qeveritare dhe bizneseve, zjarre dhe përplasje me policinë e ndërhyrjes së shpejtë. Forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmat.
Pamjet e publikuara nga vendngjarjet kanë treguar protestues që hedhin gurë dhe bomba molotov në drejtim të kordonëve të policisë. Protestat përbëjnë një sfidë të rëndësishme politike për Ramën, i cili ka refuzuar thirrjet për dorëheqje dhe ka mbrojtur bilancin e qeverisjes së tij.
Të dielën, ai tha se demonstratat po rrezikojnë ambicien e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, në vend që të përbëjnë një kërcënim për qeverinë e tij. “Shqiptarët duhet të mendojnë shumë qartë: A duan këtë, a duan atë, apo duan BE-në?”, deklaroi Rama.
Komisioni Evropian dënoi përdorimin e dhunës, por rikonfirmoi mbështetjen për të drejtën e protestës paqësore. Ndërkohë, policia shqiptare njoftoi se qindra persona ishin proceduar për vepra penale gjatë demonstratave, ndërsa dhjetëra efektivë dhe protestues kishin mbetur të plagosur.
Vëmendje të veçantë ka tërhequr edhe projekti turistik i lidhur me kompaninë e investimeve të Kushner. Kundërshtimet ndaj tij kanë nisur shumë përpara përshkallëzimit të fundit, me protesta të zhvilluara që gjatë verës. Agjencia Reuters, ka raportuar se nuk ka gjetur prova për shkelje nga ana e Kushner në lidhje me një mosmarrëveshje të veçantë për tokën e shitur për zhvillimin e projektit.
Pse ekipi i Trump është përqendruar vetëm te Franca?
Trump dhe Vance e kanë shfrytëzuar situatën në Francë për të përsëritur kritikat ndaj politikave evropiane të emigracionit. Deklaratat e tyre publike janë përqendruar te emigracioni, integrimi dhe pasojat politike të asaj që ata i cilësojnë si dështime të qeverive liberale.
Në të kundërt, administrata Trump nuk ka komentuar publikisht protestat në Shqipëri. Ky dallim është domethënës, duke pasur parasysh ngjashmëritë mes zhvillimeve në të dyja vendet: të rinjtë në rrugë, demonstratat masive, episodet e dhunës dhe përplasjet gjithnjë e më të ashpra me policinë.
Megjithatë, shkaqet që i kanë nxitur protestat nuk janë të njëjta. Në Francë, demonstratat janë përqendruar te kostoja e jetesës, shërbimet publike dhe kërkesat e nxënësve për shkolla më të mira. Në Shqipëri, pakënaqësitë për arsimin dhe vështirësitë ekonomike, janë ndërthurur me kundërshtimin ndaj qeverisë së Ramës dhe akuzat për korrupsion.
Projekti turistik i lidhur me Kushner, i jep protestave shqiptare një dimension shtesë, për shkak të lidhjes familjare të investitorit me presidentin amerikan. Megjithatë, deri tani, Trump dhe Vance kanë zgjedhur të flasin për trazirat në Francë, ndërsa për protestat në Shqipëri kanë ruajtur heshtjen publike./Pamfleti nga “Newsweek”trump francë shqipëri protesta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Dje udhëheqës studentësh për liri, sot Komandant policie për të shtypur studentët 19 Tetor 2026, 12:2312:23Forum Rama duhet të largohet 19 Tetor 2026, 10:4910:49Forum Lea Ypi: Unë do e kisha dhënë dorëheqjen që në qershor! 18 Tetor 2026, 20:2520:25Forum Shqipëria përballë brutalitetit të pushtetit dhe revoltës së të rinjve 18 Tetor 2026, 12:2612:26Forum Shqipëria pa kryetar të shërbimeve sekrete... 18 Tetor 2026, 11:3111:31Forum Ben Blushi: Pse po protestojnë fëmijët 18 Tetor 2026, 10:2010:20Forum

