Churchilli, Roosevelti dhe Stalini (Konferenca e Jaltës) / Rusia ëndrron, por BRSS-ja ka përfunduar në koshin e plehrave të historisë. Në Jaltën e vitit 1945, Stalinit iu njohën territoret që Ushtria e Kuqe kishte pushtuar tashmë. Sot, Putini kërkon t’i jepen territoret ukrainase që nuk ka arritur t’i marrë me forcën e armëve... Të enjten në Shenzhen, Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin pritet të ulen për herë të parë në të njëjtën tryezë në kuadër të samitit të APEC. Mediat e kanë pagëzuar tashmë takimin si “Jalta e Re”. Por ky krahasim është i nxituar.
Nga të tre liderët, vetëm njëri e dëshiron vërtet një skenar të tillë. I dyti do të ndihej i nderuar nga një rol i tillë, ndërsa i treti, ndonëse është mikpritësi, ka bërë vazhdimisht të ditur se s’ka ndërmend të përfshihet në një marrëveshje të këtij lloji.
Ai që e kërkon me ngulm një Jaltë të re është Vladimir Putini, i cili as nuk përpiqet ta fshehë këtë synim. Pas bisedimeve në Abu Dhabi, kryenegociatori rus, Vladimir Medinski, kërkoi krijimin e një “sistemi gjithëpërfshirës të sigurisë në Evropë”, që të shërbente si një Jaltë dhe Potsdam i ri, i përshtatur me kohën.
Më pas, ai shtoi se Moska do të ishte e kënaqur “vetëm kur të nënshkruhej një marrëveshje paqeje sipas kushteve tona”. Pra synimi i Kremlinit është i qartë: një luftë që Rusia nuk po arrin ta fitojë në fushën e betejës, ta shndërrojë në një pazar mes fuqive të mëdha për të ardhmen e sigurisë evropiane.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vazhdon të këmbëngulë se Moska nuk ka hequr dorë nga objektivat e shpallura në vitin 2024. Sipas gazetës gjermane “Bild”, në diskutimet jozyrtare janë hedhur madje edhe ide për largimin e Finlandës nga NATO-ja dhe ndarjen e Moldavisë në tri republika.
Kremlini i ka mohuar këto pretendime, ndërsa Helsinki i ka cilësuar si një skenar “absolutisht skandaloz”. Pavarësisht nëse këto propozime janë të vërteta apo jo, ato tregojnë se deri ku shkon përfytyrimi i Moskës për një rend të ri ndërkombëtar.
Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, e ka përmbledhur më së miri këtë ambicie. Në Jaltën e parë, Stalinit iu njohën territoret që Ushtria e Kuqe kishte pushtuar tashmë; sot, Putini kërkon t’i jepen territoret ukrainase që nuk ka arritur t’i pushtojë.
Trumpi mund të thet nga një skenar i tillë. Një fotografi përkrah dy liderëve të tjerë të fuqishëm do t’i pëlqente. Por edhe më shumë, do t’i pëlqente roli i një burri shteti që vendos për çështjet madhore të botës.
Javët e fundit ai ka shprehur dëshirën për të diskutuar edhe për Ukrainën, ndërsa vazhdon ta akuzojë Volodymyr Zelensky-n se nuk dëshiron paqen. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se në takimin e së enjtes do të diskutohet mbi armët bërthamore dhe Iranin dhe jo Ukrainën. Arsyeja e dhënë, është se “Kina nuk është realisht pjesë e këtij procesi”. Madje, në program nuk parashikohet as një takim i veçantë mes Trumpit dhe Putinit. Negociatat për Ukrainën po zhvillohen në kanale të tjera, në Abu Dhabi, Moskë dhe Dublin.
Arsyeja kryesore pse Shenzheni nuk mund të jetë një Jaltë e re është vetë Kina. Në një analizë të botuar nga Bloomberg, Daniel Ten Kate argumenton se vizioni i Partisë Komuniste Kineze për rendin botëror, është shumë më i përqendruar te interesat e brendshme sesa mendohet zakonisht. Pekini nuk synon domosdoshmërisht të nënshtrojë demokracitë perëndimore. Ajo që kërkon është rivendosja e “rendit”. Por në fjalorin diplomatik të Pekinit, rend do të thotë stabilitet, tregti, rihapje e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalonte një e treta e naftës së importuar nga Kina përpara luftës me Iranin, furnizime të sigurta me minerale të rralla dhe një armëpushim tregtar me Uashingtonin.
Pra nuk do të thotë të marrësh përsipër rolin e ndërmjetësit për ndarjen e territoreve, sipas dëshirës së një partneri që ndodhet në vështirësi. Më 30 tetor, Xi Jinping ia bëri të qartë këtë qëndrim presidentit gjerman Frank-ëalter Steinmeier, duke theksuar se konflikti në Ukrainë është “një konflikt evropian, në të cilin edhe evropianët duhet të jenë të pranishëm në tryezën e negociatave”. Edhe për çështjen e çarmatimit bërthamor, të cilën Trumpi e konsideron një nga temat kryesore, Pekini ka dhënë një përgjigje të prerë: përfshirja e Kinës “në këtë fazë” nuk do të ishte “as e drejtë, as e arsyeshme dhe as realiste”.
Por ka edhe një arsye më të fortë. Jalta mbetet simboli i një kohe kur tri fuqi të mëdha vendosnin fatin e popujve të tjerë, pa pyetur ata që prekeshin drejtpërdrejt nga vendimet e tyre. Pekini e konsideron Tajvanin çështje të brendshme dhe nuk ka asnjë interes të legjitimojë një tryezë ku fuqitë e mëdha negociojnë ndarjen e botës në sfera ndikimi.
Sepse nesër, dikush mund të kërkojë të diskutojë edhe për Tajvanin. Dhe pastaj është Evropa, ajo që sipas një batute të njohur “nuk ekziston” dhe “nuk ka as numër telefoni”. Megjithatë, gjatë javëve të fundit, ajo ka bërë më shumë sesa i njihet.
Në Dublin, liderët kanë përcaktuar përbërjen e një delegacioni negociator ku do të përfaqësohen institucionet e Bashkimit Evropian dhe pesë vendet kryesore evropiane: Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Polonia.
Jared Kushner ka deklaruar se asnjë marrëveshje paqeje nuk mund të arrihet pa praninë e evropianëve në tryezën e negociatave. Edhe Putin është detyruar të pranojë pjesëmarrjen e tyre në raundin e ardhshëm të bisedimeve.
Që prej vitit 2022, Bashkimi Evropian ka vënë në dispozicion të Ukrainës më shumë se 200 miliardë euro. Kancelari gjerman Friedrich Merz, ka kujtuar se arkitektura e sigurisë evropiane nuk ka nevojë të ndërtohet nga e para, pasi “ajo tashmë ekziston”.
Ndërsa kryeministri estonez, Kristen Michal, ka denoncuar atë që e quan kurthi i Moskës. Diskutimi për një arkitekturë të re sigurie përpara arritjes së paqes, është pikërisht ajo që kërkon Putini. Në fund të fundit, Ukraina, e cila godet pothuajse çdo natë rafineritë ruse, është bërë tashmë një pjesë e rëndësishme e kapaciteteve ushtarake të Evropës.
Por nuk mjafton vetëm të ekzistosh. Duhet të jesh i pranishëm në momentin e duhur dhe të kesh një zë të përbashkët. Evropa nuk ka vendosur ende se kush do ta përfaqësojë në negociata. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, ka vënë në dukje se Moska nuk ka marrë ende asnjë telefonatë për këtë çështje.
Pra, mbetet e paqartë nëse dhe kur do të merret një vendim. Ndërkohë në Itali, si në radhët e qeverisë, ashtu edhe në opozitë, ka ende politikanë që ëndërrojnë rikthimin e marrëdhënieve të dikurshme me Rusinë, në vend që të mbështesin ushtarakisht Kievin.
Pra rreziku nuk është që Shenzheni të shndërrohet në një Jaltë të re. Rreziku i vërtetë është që Evropa të mbërrijë sërish me vonesë, pikërisht kur të vijë koha për të marrë atë që i takon dhe për të mbrojtur interesat që ka fituar me përpjekjet e saj.
Sepse një gjë duhet të jetë e qartë: Bashkimi Sovjetik nuk ekziston më. Ai i përket koshit të plehrave të historisë. Bashkë me të, duhet të mbetet edhe ideja se fatet e popujve mund të vendosen pas dyerve të mbyllura, nga një grusht fuqish të mëdha./Pamfleti nga “Linkiesta”shenzheni jalta Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Opinion Elisa, pse të habiti sikterisja? 15 Nëntor 2026, 18:5318:53Opinion Asambleja e Babos, kush guxon të flasë? 15 Nëntor 2026, 17:1417:14Opinion Ben Blushi, sipas meje 15 Nëntor 2026, 16:0916:09Opinion A mund ta bëjë gjumin e qetë Edi Rama? 14 Nëntor 2026, 20:0520:05Opinion Pushteti, qëllimi më i lartë dhe thelbi i fjalimit të Edi Ramës 14 Nëntor 2026, 19:4519:45Opinion Nuk rrëzohet Rama me Elisën dhe Veliajn o Doktor, por me qytetarët dhe demokratët! 14 Nëntor 2026, 16:5516:55Opinion

