Keni vënë re se kohët e fundit gripi dhe virozat po na mbërthejnë më shpesh se dikur? Nuk është thjesht ndjesia juaj, por një fenomen që shkencëtarët e kanë analizuar pas periudhës së pandemisë së COVID-19.
Një studim i ri, i botuar në revistën shkencore PLOS Global Public Health, tregon se masat që morëm për të shpëtuar nga koronavirusi, siç ishin maskat dhe distancimi, ndryshuan rrënjësisht mënyrën se si qarkullojnë viruset e tjera të frymëmarrjes.
Gjatë viteve të pandemisë, mungesa e ekspozimit ndaj viruseve të zakonshme bëri që imuniteti ynë kolektiv të dobësohej. Kur ne kufizuam kontaktet, viruset nuk qarkulluan si zakonisht, duke na lënë pas dore me imunitetin natyror ndaj gripit apo virusit RSV. Për pasojë, tani që jeta është kthyer në normalitet, viruset po gjejnë një popullatë më të pambrojtur dhe po përhapen shumë më shpejt se në të kaluarën.
Kjo shpjegon pse kulmet e virozave nuk ndodhin më në fund të dimrit, siç ndodhte dikur në mars, por po shfaqen që në muajin dhjetor.
Përtej bezdisjes së një gripi të thjeshtë, shkencëtarët nga Instituti Max Planck paralajmërojnë se ky ndryshim ka ndikuar edhe në shëndetin e zemrës.
Studimi vë në dukje se infeksionet respiratore shërbejnë si një faktor rreziku për komplikacione kardiovaskulare, si infarkti apo goditjet në tru, duke e bërë rritjen e mbulimit me vaksina dhe monitorimin e shëndetit akoma më të rëndësishme. Në thelb, mënyra se si trupat tanë kanë ndërvepruar me viruset vitet e fundit ka ndryshuar "kalendarin" e epidemive, duke na bërë të gjithëve më të ekspozuar ndaj këtyre sëmundjeve sezonale.

