Përmendja e Prishtinës në një këngë, bashkëpunimet me producentin kosovar Gentuar Memishi dhe paraqitjet e përsëritura me shqiponjën dykrenare kanë krijuar një histori interesante mes yllit kanadez dhe publikut shqiptar. Por cila është arsyeja e këtij afrimiteti?
Drake është një prej artistëve më të suksesshëm të muzikës botërore, por vitet e fundit emri i tij ka marrë një vëmendje të veçantë edhe në mesin e shqiptarëve. Shkak janë disa detaje në projektet dhe paraqitjet e tij publike, të cilat kanë bërë që fansat të pyesin nëse pas tyre fshihet një lidhje më e veçantë me Shqipërinë dhe Kosovën.
Një nga momentet e para që ngjalli interes ishte publikimi i këngës “Polar Opposites”, pjesë e albumit “For All the Dogs”, në vitin 2023. Në tekstin e saj, reperi përmend Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, ndërsa në videoklip shfaqet me një xhaketë të kuqe, në pjesën e pasme të së cilës është vendosur shqiponja dykrenare.
Referenca ishte e papritur për publikun shqiptar dhe u komentua gjerësisht në rrjetet sociale. Madje, videoklipi u publikua më 29 nëntor 2023, një ditë pas festës së Pavarësisë së Shqipërisë, duke e bërë këtë paraqitje edhe më të veçantë për fansat.
Por një tjetër detaj mund të ndihmojë për të kuptuar lidhjen profesionale të reperit me shqiptarët. Bëhet fjalë për Gentuar Memishin, producent dhe tekstshkrues nga Kosova, i njohur në industrinë muzikore si Gent!. Emri i tij është përfshirë në kreditet e disa projekteve të Drake, mes tyre “Polar Opposites”, “Privileged Rappers”, “Calling For You” dhe “What Would Pluto Do”.
Ky bashkëpunim ka shtuar kureshtjen nëse prania e një producenti shqiptar në ekipin e tij mund të ketë ndikuar në njohjen dhe përdorimin e simboleve tona. Megjithatë, kjo mbetet një mundësi dhe nuk ka ndonjë deklaratë që të konfirmojë se Memishi është arsyeja pas zgjedhjeve artistike të Drake.
Interesimi u rikthye edhe në vitin 2026, kur reperi u shfaq me një kapele me flamurin shqiptar dhe më pas me një varëse gjigante në formën e shqiponjës dykrenare, të mbuluar me diamante.
Bizhuteria u pa në videoklipin e këngës “Ya Hit”, ku Drake bashkëpunon me Future, Travis Scott dhe Loe Shimmy. Pamjet e varëses u shpërndanë edhe nga revista muzikore “XXL”, ndërsa krijimi është lidhur me argjendarin Alex Moss.
Kështu, nga një varg që përmend Prishtinën te veshjet dhe bizhuteritë me simbolin kombëtar shqiptar, Drake ka krijuar një seri paraqitjesh që nuk kalojnë pa u vënë re nga publiku kuqezi.
Por a ka një arsye personale pas tyre? Kjo është pjesa që mbetet ende mister. Reperi nuk ka shpjeguar publikisht domethënien e shqiponjës dykrenare në paraqitjet e tij dhe nuk ka konfirmuar ndonjë prejardhje shqiptare.
Për momentin, ajo që mund të thuhet me siguri është se Drake ka bashkëpunuar me profesionistë shqiptarë të muzikës dhe ka përdorur disa herë simbole të identitetit tonë kombëtar. Nëse pas kësaj qëndron një interesim personal për kulturën shqiptare, ndikimi i bashkëpunëtorëve të tij apo thjesht një zgjedhje artistike, mbetet për t'u zbuluar.

