Lajme Zone
“PS po konsolidon hartën elektorale”/ Bozdo: Shkrihen Dimali dhe Poliçani në dëm të interesave të shqiptarëve. Propozoj rritje të numrit të bashkive në qarkun e Beratit
PolitikëBalkanWeb
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

“PS po konsolidon hartën elektorale”/ Bozdo: Shkrihen Dimali dhe Poliçani në dëm të interesave të shqiptarëve. Propozoj rritje të numrit të bashkive në qarkun e Beratit

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit dhe njëkohësisht anëtari i Komisionit për Reformën Territoriale, Eno Bozdo, ka reaguar kundër propozimit të Partisë Socialiste për reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke e cilësuar atë si një lëvizje që synon forcimin e kontrollit politik mbi territorin.

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Beratit dhe njëkohësisht anëtari i Komisionit për Reformën Territoriale, Eno Bozdo, ka reaguar kundër propozimit të Partisë Socialiste për reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive në kuadër të Reformës Administrativo-Territoriale, duke e cilësuar atë si një lëvizje që synon forcimin e kontrollit politik mbi territorin. Sipas Bozdos, propozimi i PS-së përbën vazhdimësi të reformës territoriale të vitit 2015, të cilën ai e konsideron “shkatërrimtare”, ndërsa thekson se gjatë dëgjesave publike në qarqe qytetarët kanë kërkuar shtim të njësive vendore dhe rritje të përfaqësimit, e jo reduktimin e tyre. Ai argumenton se propozimi nuk mbështetet në kriteret bazë të funksionimit të pushtetit vendor, si ofrimi i shërbimeve, subsidiariteti dhe autonomia financiare. Duke iu referuar qarkut të Beratit, Bozdo kundërshton veçanërisht propozimin për shkrirjen e Bashkisë Dimal, duke theksuar se ekziston një konsensus i gjerë mes komunitetit dhe forcave kryesore politike që kjo bashki jo vetëm të mos shkrihet, por të forcohet përmes investimeve në infrastrukturë dhe mbështetjes së fermerëve.

Po ashtu, ai kundërshton edhe shkrirjen e Bashkisë Poliçan, duke argumentuar se ekzistenca e saj është jetike për ofrimin e shërbimeve ndaj 26 fshatrave të zonës, të cilët, sipas tij, po përballen me braktisje për shkak të mungesës së investimeve dhe shërbimeve publike. Bozdo deklaron se Partia Demokratike do të publikojë së shpejti propozimin e saj për Reformën Administrativo-Territoriale në qarkun e Beratit, i cili, sipas tij, parashikon rritjen e numrit të bashkive në përputhje me kërkesat e komuniteteve dhe standardet evropiane.

Në përfundim, ai u bën thirrje qytetarëve të kundërshtojnë këtë propozim, duke e cilësuar atë si një nismë që, sipas tij, i shërben vetëm interesave politike të qeverisë dhe jo nevojave të qytetarëve.

Postimi i plotë:

Propozimi i Partisë Socialiste për reduktimin e mëtejshëm të numrit të bashkive, duket lexuar si vazhdimësi e konsolidimit të hartës së saj elektorale, pas reformës shkatërrimtare territoriale të vitit 2015.

Së pari, në të gjitha dëgjesat publike të bëra në qarqe, është kërkuar rritja e numrit të njësive vendore dhe rritja e përfaqësimit, dhe jo ulja e tij!

Së dyti, propozimi i PS nuk mbështetet në asnjë nga kriteret bazë të funksionimit të pushtetit vendor, si ofrimi i shërbimeve, subsidiariteti, autonomia financiare etj…!

Së treti, për të kuptuar se çfarë po ndodh, shikoni propozimin e PS për Qarkun Berat:

Shkrihet Bashkia Dimal edhe pse ka një konsensus shumë të madh, nga komuniteti dhe nga të dy forcat politike kryesore PD dhe PS, që kjo njësi jo vetëm të mos shkrihet por të forcohet më tej. Sepse ajo ka shumë nevojë për investime në infrastrukturë dhe mbështetje për fermerët e mrekullueshëm të zonës,

Shkrihet Bashkia Poliçan, kur ekzistenca e saj është domosdoshmëri për të ofruar shërbime për 26 fshatra që po braktisen çdo ditë për mungesë shërbimesh dhe investimesh, dhe ku komuniteti kërkon me forcë që bashkia jo vetëm të ekzistojë por edhe të forcohet!

Me pak fjalë, PS po e çon deri në fund kontrollin e saj politik mbi territorin, në dëm të interesave primare të shqiptarëve.

Propozimi i PD, që shumë shpejt do të bëhet publik, për Qarkun e Beratit propozon rritje të numrit të bashkive, si kërkesë dhe nevojë e komuniteteve dhe si domosdoshmëri për tu afruar me standardin evropian!

Është koha për të kundërshtuar me forcën më të madhe, tej dallimeve politike, këtë propozim që i shërben vetëm qeverisë më të korruptuar dhe të kriminalizuar ndonjëherë! © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb