PS e Ramës, në sprovën më serioze të reagimit ndaj disidencës brenda saj
Nga Preç Zogaj

Nga Preç Zogaj Në ligjërimin tonë të pas vitit 1990 fjala “disidencë” i është taksur si kundërshti vetëm regjimit komunist. E kuptueshme. Përballja me diktaturën përbën shkallën më të lartë të mospajtimit dhe sakrificës.
Por disidenca si e tillë manifestohet edhe në regjimin shumëpartiak. Natyrisht, jo me çmimin që paguan në diktaturë.
Disidenca reagon kundër homogjenizmit të partive, që është një gjë krejt tjetër nga disiplina e nevojshme partiake; kundër sundimit absolut të liderit që është një gjë krejt tjetër nga karizma. Kundër injorimit të rregullave duke imponuar voluntarizmin banditesk, që është një gjë krejt tjetër nga autoriteti.
Buisjet periodike të disidencës, në kuptimin e mospajtimit dhe rebelimit brenda partive, e kanë shoqëruar jetën tonë politike gjatë gjithë viteve të demokracisë. Mënyra si i janë qasur e si i kanë trajtuar dy partitë kryesore PD dhe PS ka përcaktuar të ardhmen e tyre.
Kur kanë nxjerrë shpatën janë dobësuar e zvogëluar. Kur e kanë trajtuar diveristetin dhe kritizimin si vlerë janë forcuar e rritur.
Vetë Edi Rama ka ardhur në krye të PS-së si një lloj “disidenti” brenda saj në kohën kur e drejtonte Fatos Nano. Në rastin e Ramës Partia Socialiste e zgjidhi e para nxjerrjen e pasuesit si të ndryshëm. Madje si dikush që ka konsumuar papajtueshmëri të hapur me liderin historik. Një ngjarje përcaktuese për rikthimin e saj në pushtet.
Edi Rama e drejton PS-në prej më shumë se dy dekadash tashmë, në mandantin e katërt në pushtet. Në përgjithësi ka arrritur ta mbajë të bashkuar në përtëritje dhe rinovim, pa marrë mbrapsht në forma kryengritëse publike hatërmbetjen e të larguarve. Rastet e rralla të disidencës brenda partisë kanë përfunduar si rebelime të përkohshme ose largime në heshtje.
I fuqizuar në pushtet nga një mandat në tjetrin edhe falë peshqeshëve të njëpasnjëshme të opozitës, Rama ka ardhur duke u imponuar si zoti që bën shiun dhe diellin në Parti. Duke i shartuar partisë më të vjetër në vend dhe pushtetit të saj pika takimi me botën e krimit. Duke i diktuar improvizime, ektravaganca, vendime tipike të një lideri të mbyllur në habitatin e pushtetit të përceptuar e të ushtruar si të pakufishëm.
Mirëpo pushteti është një lloj kafshe të cilën sa më gjatë ta mbash aq më shumë të huan huqet e veta. Sa më shumë gropa të bësh rrugës aq më shumë i ngjitesh me thonj nga frika se do të paguash dhe kështu shtetari rrezikon të shumëfishojë me bëma mbijetese që nuk bëjnë gjë tjetër veç rrisin koston publike dhe private të daljes së tij nga skena. E gjithë kjo është vërtetuar me qindra shembuj.Për këtë arsye politikanët vizionarë dhe mendjehapur investohen për daljen njëlloj si për hyrjen. Në këtë marrrëdhënie mes hyrjes, vazhdimit dhe daljes faqebardhë nga skena njerëzit e tyre më të dobishëm do të ishin kritikët e tyre.
Ditët e fundit shohim se Rama dhe Partia e tij janë thirrur në provën me serioze të reagimit dhe trajtimit të disidencës brenda radhëve nga dy deputetë të saj: Erjon Braçe dhe Elisa Spiropali, të pakordinuar me njëri-tjetrin siç dallohet qartë, gjë që e përforcon vërtetësinë e shqetësimeve që po ngrenë, ashtu siç ndodh me ekzaminimet me dy diagnoza të pavarura në mjekësi.
Në kushtet kur PS vazhdon të ketë një kandidate për kryetare për bashkinë e Tiranës, zonjën Ogerta Manastrliu, njoftimi i Braçes se do të kandidojë për kryetar bashkie në Tiranë është më shumë se një shpallje e zakonshme. Është një akt i pastër mopajtimi me emërimet e pilotuara që Rama i nxjerr nga mënga si një prestixhitor, duke i befasuar online ata që promovohen dhe ata që shkarkohen. Kështu vendoset raporti poshtërues me bashkëpunëtorët, por kjo është temë më vete.
Braçe e di shumë mirë mënyrën si zgjidhen kandidatët e PS-së për kryebashkiakë. Besoj i shkon mendja se edhe nuk do të mund të jetë. Shumë gjëra do të varen nga ujrat që do të rrjedhin gjatë vitit.
Në opinonin tim Braçja e ka kapur kandidimin si një levë për t’u dhënë zë deformimeve që kanë dekantuar në Partinë Socialiste. Ku shquan si maja e mullarit personalizimi i vendimmarrjeve kryetari. Tej masës që ia jep vetë statusi i liderit. PS në përceptimin e gjerë publik është sot një njeri, një zë. Rama. Nuk është çështja se është protagonist. Protagonist i takon të jetë. Problemi është se e ka tharë fushën rreth e rrotull tij. Deri sa dolën Braçe dhe Spiropali atje nuk pipëtinte miza. Akti i Braçes është një sfidë, një rebelim kundër gjendjes. Do të varet prej tij sa do të mbajë e deri ku do të shkojë.
Elisa Spiropali ka bërë pak prononcime me jehonë të madhe në mediat sociale dhe klasike. Statusi i saj i para dy ditëve, një model i lakonizmit dhe elegancës, është skaneri i gjendjes. Sipas meje e një kazerme politike, që nuk mund të vazhdojë të mbetet e tillë, përndryshe e pret shpërbërja. Ajo nuk përmend emra, emrat do t’u bënin hije mendimeve, sidomos kur sekush i mendon vetë.
Njoh shumë socialistë që mendojnë njëlloj si Erjoni dhe Elisa. Përpara tyre. Mendoj se pika e ujit që ka derdhur gotën është një ndryshim kursi i kryeministrit në raport me drejtësinë me rastin e marrjes në mbrojtje të Belina Ballukut në ekstremin e së mundshmes dhe akomodimit të fuqisë së saj në parti dhe qeveri.
Duke ndërmarrë me këtë rast një fushatë verbale kundër organeve të drjtësisë. Për pasojë duke kthyer me kokë poshtë ekuacionin sikur problemi që ka vendi ynë sot është akuza dhe jo korrupsioni. Duke normalizuar pandehjen me justifikimin e prezumimit të pafajësisë, që vërtetë është një e drejtë e madhe. Çdo i pandehur është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë, por kjo mund të marrë vite, ndaj bota e qytetëruar e ka gjetur ekuilibrin mes prezumimit dhe hetimit si të pandehur duke e zhveshur nga pushteti subjektin gjatë kësaj periudhe.
Ky ndyshim kursi në Tiranë është reflektuar dhe do të vijojë të reflektohet në Berlin dhe në kryeqytete të tjera të vendeve të BE-së. Deri në vendime të llojit të vjetër që na lënë sërish në paradhomën e BE-së.
Shihet se imponimi deri në marrje zvarrë sa i takon vendimit të PS-së për çështjen Balluku ka lënë pas vraga të forta. Shumë deputetë e kanë parë veten si mish për top, ndërsa kishin dëgjuar të tjera gjëra në fushatë për drejtësinë.
Kjo e Erjonit dhe Elisës ngjan të jetë si një rrokullimë – një fjalë që Kadare e përdorte për të treguar një gjë që ndodh ngadalë, pakthyeshëm. Rama, grupi parlementar dhe forumet e Partisë janë në provë: si do t’i trajtojnë kritikën, papajtueshmëritë, mendimet dhe aktet antikonformiste. Do të marrin modelet e mira të sjelljes me disidencën e vetë Ramës e plot të tjerëve nga lideri historik Fatos Nano? Apo modelet e lidërve të tjerë historikë në ketë vend nga lufta e dytë e këndej?/ Mapo Top Channel
