Deklarata e bërë nga bashkëkryetari socialist i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, mbi mundësinë që Bashkia Prrenjas të shndërrohet në një njësi administrative të Bashkisë Librazhd, ka ngjallur reagime të forta në qytet.
Përtej bindjeve politike, qytetarët e Prrenjasit shprehen kundër një propozimi të tillë, duke e cilësuar atë si një cenim të identitetit dhe përfaqësimit të tyre.
Duke folur para kamerave, një prej banorëve argumenton se Prrenjasi nuk ka asnjë lidhje kulturore me Librazhdin, ndërsa thekson se një vendim i mundshëm ka gjasa të sfumojë qytetin e vogël. “Unë jam kundër dhe do ta argumentoj pse-në. Nuk mund të flas për të gjitha fushat sepse nuk jam ekspert. Flasim për kulturën, ne jemi të ndryshëm, që te traditat, folklori. Nuk kemi një lidhje historike. Nëse kthehet në qendër administrative, qytetarët nuk kanë më të drejtë të shohin një aktivitet kulturor. Jo se bashkia e Librazhdit do ta sfumojë, por po të zgjedhim edhe administratorin më të mirë të botës, me ato financa nuk mban dot një qendër e jo më dy. Ne nuk na pyeti njeri: A doni të shkoni në Librazhd apo të jeni më vete? Kemi një identitet dhe në qytetarëve këtu na dhemb”,-tha një banor. Një banor tjetër e cilësoi idenë për këtë ndryshim si të pjesë e një reforme të përshpejtuar. “Zhvillimet që ka marrë qyteti i Prrenjasit, edhe në kuadër të zhvillimeve të mëpërshme. Ka qenë ndër qytetet me zhvillim industrial, bujqësor dhe trashëgimi kulturor shumë të avancuar. E shikoj këtë reformë të shpejtuar”,-shprehet një nga banorët. Sipas tyre, një ndarje e tillë nuk është e drejtë, veçanërisht prej traditave të lidhura me Rrajcën. “Kjo nuk është e drejtë. Po iku bashkia e Prrenjasit për Librazhd, ky vend do të mbetet si në xhungël. Prrenjasi ka traditat e Rrajcës dhe është gabimi më i madh të ikë bashkia’,-thekson një prej banorëve. Kundërshtimi i banorëve është shtrirë edhe në rrjetet sociale, ndërsa në qytet pritet të nisë të firmoset gjerësisht një peticion kundër bashkimit të mundshëm të Prrenjasit me Bashkinë Librazhd. Prrenjasi ka qenë prej dekadash një bashki më vete, me histori, tradita dhe identitet të konsoliduar. Ndërsa Rrajca, një nga zonat më të njohura të bashkisë, shquhet për vlerat e saj natyrore dhe historike, duke përfshirë territorin e Parkut Kombëtar të Shebenik-Jabllanicës, çka forcon më tej veçantinë e kësaj bashkie në hartën administrative të vendit./CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

