1 ORE ME PARE Bilanci i protestës në Tiranë, 13 të lënduar; tre prej tyre me dëmtime në sy Ministria e Shëndetësisë publikon të dhënat paraprake për personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë protestës. Mes të lënduarve janë tetë protestues, tre efektivë policie dhe dy përfaqësues të medias. Katër protestues vijojnë trajtimin në Spitalin e Traumës. 13 persona kanë marrë ndihmë mjekësore gjatë protestës së sotme në Tiranë, sipas bilancit paraprak të bërë publik nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Mes të lënduarve janë tetë protestues, tre efektivë policie dhe dy përfaqësues të medias, të cilët janë trajtuar në spitale dhe poliklinika të kryeqytetit.
Numri më i madh i personave të lënduar është paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ku kanë kërkuar ndihmë mjekësore nëntë persona, konkretisht shtatë protestues dhe dy përfaqësues të medias. Njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtim në sy dhe po u nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga nëntë personat e paraqitur në Spitalin e Traumës, pesë janë larguar pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa katër protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor.
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur dy persona, një protestues dhe një efektiv policie. Të dy kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas kanë lënë ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë policie janë trajtuar në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, pasi kishin pësuar lëndime në sy. Edhe ata janë larguar pas marrjes së trajtimit të nevojshëm. Në total, tre persona kanë raportuar dëmtime në sy, mes tyre një protestues dhe dy efektivë policie.
Sipas të dhënave paraprake, nga 13 personat që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, nëntë janë larguar nga strukturat shëndetësore, ndërsa katër protestues vijojnë të marrin trajtim në Spitalin e Traumës. 1 ORE ME PARE Policia pritë protestuesve te 'Stadiumi Dinamo', disa të ndaluar Një tjetër vatër tensioni është regjistruar këtë të shtunë në kryeqytet, këtë herë pranë "Stadiumit Dinamo”, ku janë zhvendosur protestuesit pas disa orësh marshimi nëpër rrugët e Tiranës.
Sipas informacioneve nga terreni, turma është drejtuar drejt kësaj zone, por forcat e rendit kishin zënë pozicione për të ndërhyrë ndaj protestuesve.
Policia ka ndërhyrë gjatë mbërritjes së turmës, duke shoqëruar disa persona. Numri i saktë i të shoqëruarve nuk është përcaktuar ende.
Zhvillimet pranë Stadiumit Dinamo vijnë pas një sërë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë në disa zona të kryeqytetit.
Më herët, turma u grumbullua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Më pas, protestuesit u zhvendosën drejt sheshit “Skënderbej”, zonës së 9-katësheve dhe rrugëve të tjera të Tiranës.
Përplasje u regjistruan edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Ndërkohë, në rrugën “Mine Peza”, forca të shumta policore ndërhynë më herët për të kryer ndalime, por protestuesit u shpërndanë në rrugicat përreth, duke shmangur shoqërimet gjatë atij operacioni.
Pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme të forcave të rendit, protesta ka vijuar me zhvendosje të vazhdueshme të turmës, ndërsa përballja pranë stadiumit “Dinamo” shënon një tjetër episod të tensionuar të mbrëmjes. 1 ORE ME PARE Policia reagon pas tensioneve në Tiranë: Po përballemi me akte të vazhdueshme dhune, rrezikohet jeta e efektivëve Forcat e policisë Pas përplasjeve të forta gjatë protestës kombëtare në Tiranë, Policia e Shtetit ka reaguar me një deklaratë zyrtare, duke dënuar aktet e dhunës ndaj efektivëve dhe institucioneve. Policia u bën thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar, ndërsa paralajmëron se veprimet që cenojnë rendin dhe sigurinë publike do të trajtohen sipas ligjit. Policia e Shtetit ka reaguar pas disa orësh tensionesh dhe përplasjesh gjatë protestës së kësaj të shtune në Tiranë, ku janë regjistruar ndërhyrje me gaz lotsjellës, ujë me presion, hedhje gurësh dhe fishekzjarrësh.
Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit shprehet se efektivët janë përballur vazhdimisht me veprime të dhunshme, të cilat, sipas saj, kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë, por edhe sigurinë e qytetarëve.
“Gjatë protestës së ditës së sotme, punonjësit e Policisë së Shtetit janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e qytetarëve”, shprehet Policia e Shtetit.
Në vijim të reagimit, policia u drejtohet pjesëmarrësve në protestë, duke u kërkuar të distancohen nga personat që, sipas saj, po sulmojnë efektivët, institucionet dhe pronën publike e private.
“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët sulmojnë punonjësit e Policisë dhe institucionet, si dhe dëmtojnë pronën publike e private. U bëjmë thirrje qytetarëve të shmangin zonat ku po ushtrohen akte dhune dhe të mos bëhen pjesë e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.
Policia thekson gjithashtu se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj, por nënvizon se aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës nuk mund të justifikohen në kuadër të ushtrimit të kësaj të drejte.
“E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me ligj. Dhuna, sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimi i pronës publike e private janë të papranueshme dhe ndëshkohen me ligj. Çdo veprim i dhunshëm që rrezikon jetën e punonjësve të Policisë dhe të qytetarëve do të trajtohet në përputhje me ligjin”, paralajmëron Policia e Shtetit.
Në përfundim të reagimit, institucioni deklaron se efektivët do të vijojnë angazhimin në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
“Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në zbatim të ligjit dhe në shërbim të qytetarëve”, shprehet Policia e Shtetit.
Reagimi vjen në një kohë kur protesta ka kaluar nëpër disa zona të kryeqytetit, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshi “Skënderbej” deri te zona e 9-katësheve, dalja e Rrugës së Durrësit dhe rruga “Mine Peza”.
Gjatë këtyre zhvillimeve janë regjistruar përplasje të vazhdueshme mes protestuesve dhe forcave të rendit, ndërsa policia ka ndërhyrë disa herë për shpërndarjen e turmës. 1 ORE ME PARE Tensionet zhvendosen në Unazë, policia u bën pritë protestuesve Policia u ka bërë pritë protestuesve pranë Gjykatës Civile në Tiranë, teksa këta të fundit po marshonin nga zona e Vasil Shantos në drejtim të Unazës.
Sipas informacioneve nga terreni, forcat e policisë kanë ndërhyrë me automjete dhe furgonë, duke u dalë përballë protestuesve dhe duke bllokuar rrugën për të penguar vijimin e marshimit.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion në drejtim të turmës, në përpjekje për të shpërndarë protestuesit. Situata është tensionuar pranë Gjykatës Civile, ku protestuesit janë përballur me forcat e rendit të dislokuara në këtë aks rrugor.
Përplasjet në Unazë vijnë pas marshimit të një numri të madh protestuesish nga kryqëzimi i “21 Dhjetorit” drejt zonës së Vasil Shantos.
Ndërkohë, grupe të tjera protestuesish vijojnë të jenë të shpërndara në akse të ndryshme të Tiranës, duke bllokuar qarkullimin në disa prej rrugëve kryesore.
Gjatë orëve të fundit janë regjistruar përplasje të herëpashershme mes protestuesve dhe policisë, të shoqëruara me hedhje fishekzjarresh, gurësh dhe bombash molotov, si dhe me përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion nga forcat e rendit. 1 ORE ME PARE Përplasjet me policinë, i riu dëmtohet keq në sy; i nënshtrohet operacionit Protestuesi i dëmtuar Një protestues është plagosur në sy gjatë tensioneve dhe përplasjeve mes demonstruesve dhe forcave të policisë në kryeqytet.
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është goditur nga një plumb gome, duke pësuar një dëmtim në sy, të shoqëruar me gjakderdhje dhe dhimbje të forta.
Menjëherë pas incidentit, protestuesi është ndihmuar nga persona që ndodheshin pranë tij, të cilët e kanë larguar nga zona e përplasjeve.
Ai është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ka mbërritur për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore dhe po i nënshtrohet një operacioni për dëmtimin e pësuar.
Ngjarja është regjistruar gjatë protestës kombëtare të kësaj të shtune, e cila prej disa orësh është shoqëruar me tensione të forta në rrugët e Tiranës.
Gjatë përplasjeve, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës, ndërsa protestuesit kanë hedhur gurë dhe fishekzjarrë në disa prej zonave ku janë përballur me forcat e rendit. 1 ORE ME PARE Protestuesit mbërrijnë te “21 Dhjetori”, marshojnë drejt zonës së “Vasil Shantos” Një numër i madh protestuesish ka mbërritur në kryqëzimin e "21 Dhjetorit" dhe po marshon drejt zonës së "Vasil Shantos", duke vijuar lëvizjen nëpër rrugët e kryeqytetit.
Në këtë zonë vihet re një pjesëmarrje e lartë e protestuesve, të cilët po marshojnë në grup, ndërsa gjatë lëvizjes kanë vijuar bllokimin e kryqëzimeve kryesore.
Ndërkohë, turma është ndarë në disa grupe, të cilat janë shpërndarë në zona të ndryshme të Tiranës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve më të rëndësishme rrugore.
Më herët, në disa zona të kryeqytetit u regjistruan përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve pati hedhje fishekzjarresh, gurësh dhe bombash molotov në drejtim të efektivëve.
Forcat e policisë ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë protestuesit.
Pavarësisht përplasjeve me forcat e policisë, një numër i konsiderueshëm qytetarësh vijon të marrë pjesë në marshim, ndërsa protestuesit mbeten të shpërndarë në disa zona të Tiranës.
Situata vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa marshimi dhe bllokimi i qarkullimit rrugor vazhdojnë në disa akse kryesore të kryeqytetit. 1 ORE ME PARE Policia zbarkon me dhjetëra efektivë dhe automjete në rrugën “Mine Peza”! Pas disa orësh përplasjesh në zona të ndryshme të kryeqytetit, policia ka ndërmarrë një tjetër ndërhyrje, këtë herë në rrugën “Mine Peza”.
Një numër i madh efektivësh, të mbështetur nga automjete policore, kanë mbërritur në zonë për të kryer ndalime mes protestuesve që ndodheshin aty.
Por me afrimin e forcave të rendit, protestuesit janë shpërndarë me shpejtësi në rrugicat përreth, duke shmangur ndërhyrjen policore.
Sipas informacioneve nga vendngjarja, efektivët nuk kanë arritur të ndalojnë asnjë prej protestuesve gjatë këtij operacioni, të paktën deri në momentin e raportimit.
Ndërhyrja në rrugën “Mine Peza” vjen pas një pasditeje të tensionuar, gjatë së cilës protesta është zhvendosur vazhdimisht nëpër Tiranë.
Më herët, protestuesit u përballën me policinë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin “Skënderbej”, ku u përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Më pas, turma marshoi drejt zonës së 9-katësheve, përpara se të kthehej drejt qendrës.
Përplasje u regjistruan edhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë dhe policia ndërhyri me gaz lotsjellës.
Operacioni në rrugën “Mine Peza” shënon një tjetër zhvillim të protestës së kësaj të shtune, ndërsa demonstruesit, pas shpërndarjes nga rruga kryesore, janë larguar në drejtim të rrugicave përreth. 2 ORE ME PARE Protestuesit marshojnë drejt Rrugës së Kavajës, shpërndahen në akset kryesore të Tiranës Protestuesit janë shpërndarë në akset kryesore të Tiranës, ndërsa një pjesë e tyre po marshon drejt Rrugës së Kavajës.
Ndërkohë, grupe të tjera protestuesish ndodhen në Rrugën e Durrësit dhe pranë sheshit “Skënderbej”, në zonën e Bankës së Shqipërisë.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa herë pas here janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Gjatë incidenteve raportohet për hedhje fishekzjarresh dhe bombash molotov nga protestuesit, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë turmën.
Lëvizjet në disa drejtime vijnë pas përplasjeve pranë Ushtarit të Panjohur, ku protestuesit tentuan të marshonin drejt Parlamentit. Më herët, protestuesit bllokuan edhe kryqëzimin e 9-katësheve, duke vendosur kosha mbeturinash në rrugë.
Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë të qëndrojnë të dislokuara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në akse të tjera të kryeqytetit, ndërsa protesta vazhdon në disa zona të Tiranës. 2 ORE ME PARE Video/ Tym e flakë pranë selisë së PS, përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë Situata te selia e PS Tensionet në Tiranë janë zhvendosur pranë selisë së Partisë Socialiste. Pas marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer në qendër, ku janë përballur me forca të shumta policore. Demonstruesit kanë hedhur fishekzjarrë, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës, duke mbuluar zonën me tym të dendur. Përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë në Tiranë, ndërsa turma, pas marshimit nëpër rrugët e kryeqytetit, është rikthyer në drejtim të qendrës.
Protestuesit, të cilët më herët kishin mbushur rrugët në zonën e 9-katësheve, kanë ndryshuar drejtim dhe janë kthyer pas, duke vijuar marshimin deri te dalja e Rrugës së Durrësit, në drejtim të selisë së Partisë Socialiste.
Por aty janë përballur me një prani të madhe policore. Forcat e rendit kishin zënë pozicione për të penguar avancimin e turmës drejt selisë së socialistëve. Situata është tensionuar menjëherë. Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë, ndërsa policia është përgjigjur me gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Zona është mbuluar nga tymi i dendur, ndërsa shkëndijat dhe ndriçimi i fortë i fishekzjarrëve kanë krijuar skena kaotike në rrugë.
Kjo është një tjetër përplasje gjatë protestës kombëtare të së shtunës, e cila prej afro pesë orësh po shoqërohet me tensione të forta dhe ndërhyrje të vazhdueshme të policisë. Fillimisht, protestuesit u grumbulluan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Më pas, turma u zhvendos në sheshin “Skënderbej”, nga ku vijoi marshimin drejt Ushtarit të Panjohur dhe zonës së 9-katësheve.
Pavarësisht ndërhyrjeve të njëpasnjëshme, protestuesit nuk janë shpërndarë. Ata janë rigrupuar dhe kanë vazhduar marshimin, duke u kthyer sërish drejt qendrës së kryeqytetit.
Pas disa ditësh gjatë të cilave protestat kishin vijuar me tensione më të ulëta, kjo e shtunë ka rikthyer përplasjet e forta në Tiranë, me gaz lotsjellës, fishekzjarrë dhe bllokime në rrugë.
Përballja pranë selisë së PS-së është episodi më i fundit i një proteste që vijon të zhvendoset nëpër kryeqytet, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin në kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. 2 ORE ME PARE Protestuesit ndahen në disa grupe, marshime drejt Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit Protestuesit janë rikthyer sërish në qendër të Tiranës, në zonën pas Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa vijojnë të marshojnë në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Pjesa më e madhe e protestuesve po marshon drejt Kryeministrisë, ndërsa në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë dislokuar forca të shumta policie.
Ndërkohë, një grup protestuesish ka marrë drejtimin e Rrugës së Durrësit, me synimin për të mbërritur pranë Ministrisë së Arsimit, ndërsa një pjesë tjetër ndodhet në Rrugën e Kavajës.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa në disa zona të Tiranës po regjistrohen përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Gjatë incidenteve raportohet për hedhje bombash molotov nga protestuesit dhe përdorim të gazit lotsjellës nga forcat e rendit.
Lëvizjet e turmës vijnë pas përplasjeve të regjistruara pranë Ushtarit të Panjohur, ku protestuesit tentuan të marshonin drejt Parlamentit dhe hodhën fishekzjarre në drejtim të efektivëve.
Më herët, protestuesit bllokuan edhe qarkullimin në kryqëzimin e 9-katësheve, duke vendosur kosha mbeturinash në rrugë.
Protesta vijon të shtrihet në disa zona të kryeqytetit, ndërsa forcat e policisë mbeten të dislokuara në akset kryesore për të kontrolluar situatën. 2 ORE ME PARE Protestuesit mbushin rrugët e Tiranës, pjesëmarrje masive pavarësisht tensioneve Rrugët plot Pavarësisht përplasjeve të forta me policinë, gazit lotsjellës dhe ndërhyrjeve me ujë me presion, protestuesit nuk janë tërhequr. Një turmë e madhe qytetarësh vijon të marshojë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa aktualisht është përqendruar në zonën e 9-katësheve. Rrugët e Tiranës vijojnë të jenë të mbushura me protestues këtë të shtunë, në ditën e 12-të të mobilizimit studentor kundër qeverisë së Edi Ramës.
Edhe pse protesta është shoqëruar prej afro pesë orësh me tensione të forta, ndërhyrje të policisë dhe përplasje në disa zona të kryeqytetit, pjesëmarrja mbetet shumë e lartë.
Pamjet nga terreni tregojnë një turmë të dendur qytetarësh që ka mbushur rrugën në zonën e 9-katësheve, ku protestuesit janë zhvendosur pas largimit nga sheshi “Skënderbej”.
Me pankarta dhe flamuj në duar, pjesëmarrësit vijojnë marshimin, duke treguar se ndërhyrjet e njëpasnjëshme të forcave të rendit nuk e kanë shpërndarë përfundimisht protestën.
Gjatë orëve të fundit, turma është zhvendosur në disa nga zonat kryesore të Tiranës, nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt sheshit “Skënderbej”, më pas në drejtim të Ushtarit të Panjohur dhe aktualisht në zonën e 9-katësheve. Në disa prej këtyre pikave, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e protestuesve. Megjithatë, pjesëmarrësit janë rigrupuar dhe kanë vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Pjesëmarrja e lartë bie në sy veçanërisht pas orëve të gjata të tensioneve, gjatë të cilave janë regjistruar edhe zjarre në kazanët e mbeturinave, bllokime të qarkullimit dhe përplasje me forcat e rendit.
Ndryshe nga tri-katër ditët e fundit, kur protestat vijuan me tensione më të ulëta, këtë të shtunë situata është përshkallëzuar sërish, ndërsa qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë.
Turma e madhe në zonën e 9-katësheve tregon se protesta vijon të ruajë intensitetin dhe pjesëmarrjen, pavarësisht ndërhyrjeve të policisë dhe zhvendosjeve të vazhdueshme nëpër Tiranë. 2 ORE ME PARE Turma zhvendoset drejt Parlamentit, përplasje të forta pranë Ushtarit të Panjohur Tensione dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë po regjistrohen pranë Ushtarit të Panjohur, ndërsa turma po tenton të vijojë marshimin drejt Parlamentit.
Gjatë përplasjeve, protestuesit kanë hedhur fishekzjarre në drejtim të efektivëve të policisë, duke tensionuar më tej situatën në këtë zonë të kryeqytetit.
Një numër i madh protestuesish është larguar nga sheshi “Skënderbej” dhe ka marshuar drejt zonës së 9-katësheve, për të kaluar më pas nga Ushtari i Panjohur dhe për të mbërritur pranë godinës së Kuvendit. Në kryqëzimin e 9-katësheve, protestuesit kanë vendosur kosha mbeturinash në rrugë, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Ndërkohë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, forcat e policisë kanë krijuar një kordon për të penguar kalimin e protestuesve. Në protestën e kësaj të shtune vihet re një pjesëmarrje masive, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe më herët.
Përplasjet pranë Ushtarit të Panjohur vijnë pas incidenteve të regjistruara në sheshin “Skënderbej” dhe pranë selisë së Partisë Socialiste, ku gjatë orëve të fundit janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Situata vijon të jetë e tensionuar, ndërsa protestuesit po përpiqen të avancojnë drejt Parlamentit. 2 ORE ME PARE Pesë orë gaz, ujë, përplasje dhe kaos! Protestuesit nuk tërhiqen, revolta zhvendoset në rrugët e Tiranës Marshimi qytetar Pas disa ditësh relativisht të qeta, Tirana është përfshirë sërish nga tensionet e forta. Prej afro pesë orësh, protesta kombëtare po shoqërohet me përplasje, gaz lotsjellës, ujë me presion dhe zjarre në kazanët e mbeturinave. Pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të policisë, protestuesit nuk janë tërhequr. Turma ka kaluar në zonën e 9-katësheve dhe po marshon drejt Parlamentit, ndërsa trafiku në disa rrugë të kryeqytetit është rënduar ndjeshëm. Tirana i është rikthyer kaosit këtë të shtunë, në ditën e 12-të të protestës studentore, e cila është shndërruar në një mobilizim të gjerë qytetar kundër qeverisë së Edi Ramës.
Pas tri-katër ditësh gjatë të cilave protestat kishin vijuar, por tensionet kishin rënë ndjeshëm, situata është përshkallëzuar sërish. Prej afro pesë orësh, rrugët e kryeqytetit janë përfshirë nga përplasje të njëpasnjëshme mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Turma fillimisht u mblodh para Ministrisë së Arsimit rreht orës 14:00, ku pati përplasje me policinë. Më pas protestuesit u zhvendosën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Turma u shtri nga Kryeministria deri te Ministria e Brendshme, duke mbushur një pjesë të konsiderueshme të bulevardit.
Por grumbullimi u shoqërua shpejt me tensione. Policia ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve, duke përdorur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion. Nga ana tjetër, gjatë përplasjeve u hodhën gurë në drejtim të forcave të rendit.
Bulevardi u mbulua nga re të dendura gazi, ndërsa protestuesit u shpërndanë në disa drejtime. Një pjesë e tyre u zhvendosën drejt rrugës “Myslym Shyri”, ndërsa grupi më i madh u grumbullua në lulishten e sheshit “Skënderbej”.
Megjithatë, ndërhyrja e policisë nuk i dha fund protestës. Një pjesë e demonstruesve u rikthyen drejt bulevardit, ku u përballën sërish me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Në këtë zonë, disa protestues raportuan edhe ndjesi djegieje në trup pas ndërhyrjes së policisë, duke ngritur dyshime për përbërjen e ujit të përdorur nga automjetet ujëhedhëse. Këto pretendime nuk janë verifikuar.
Ndërkohë, policia përforcoi ndjeshëm praninë pranë Kryeministrisë. Forca të shumta u dislokuan përgjatë bulevardit, ku u vendosën edhe dy automjete ujëhedhëse, ndërsa efektivë të RENEA-s zunë pozicione pranë godinës së qeverisë.
Tensionet u zhvendosën më pas në sheshin “Skënderbej”, ku policia përdori vazhdimisht gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Në këtë zonë u panë edhe pjesëmarrës me shkopinj druri në duar, ndërsa forcat e rendit bllokuan një nga daljet e sheshit, pranë selisë së Partisë Socialiste.
Pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme, turma u largua nga sheshi “Skënderbej” dhe mori drejtimin e Ushtarit të Panjohur, duke e zhvendosur protestën në rrugë të tjera të kryeqytetit. Aktualisht, protestuesit kanë kaluar në zonën e 9-katësheve dhe po marshojnë drejt Parlamentit. Lëvizja e turmës po shoqërohet me vështirësi në qarkullimin e automjeteve, ndërsa trafiku në disa akse është rënduar.
Gjatë protestës janë regjistruar edhe zjarre në kazanët e mbeturinave, të cilët janë përdorur në disa raste si pengesa në rrugë. Tymi, ndërhyrjet policore dhe zhvendosjet e vazhdueshme të protestuesve kanë krijuar një situatë të vështirë për qarkullimin në kryeqytet.
Ajo që e dallon protestën e sotme nga ditët e fundit është rikthimi i përplasjeve intensive dhe shtrirja e tyre në disa zona të Tiranës. Pas një periudhe kur tubimet vijuan me tensione më të ulëta, këtë të shtunë përballjet me policinë kanë marrë sërish përmasa të gjera.
Pavarësisht përdorimit të vazhdueshëm të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, protestuesit nuk janë larguar përfundimisht nga rrugët. Ata janë rigrupuar disa herë dhe kanë vijuar marshimin, duke e zhvendosur protestën nga Kryeministria në sheshin “Skënderbej” dhe më pas drejt zonës së Parlamentit.
Në ditën e 12-të të mobilizimit, studentët vijojnë të refuzojnë ftesat e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke këmbëngulur se kërkesa e tyre është largimi i tij nga pushteti.
Pas afro pesë orësh tensionesh, protesta vijon në lëvizje. Turma po marshon drejt Parlamentit, ndërsa Tirana përballet sërish me bllokime trafiku, ndërhyrje policore dhe tensione që tashmë janë zhvendosur nga njëra rrugë në tjetrën. 2 ORE ME PARE Turma largohet nga sheshi “Skënderbej”, protestuesit marshojnë drejt zonës së "9-katësheve" Protestuesit largohen nga sheshi Situata në Tiranë vijon të jetë e tensionuar, ndërsa turma e protestuesve është larguar nga sheshi “Skënderbej” dhe po drejtohet drejt zonës së Ushtarit të Panjohur dhe "9-katësheve".
Zhvendosja vjen pas ndërhyrjeve të vazhdueshme të policisë me gaz lotsjellës në shesh, ku gjatë orëve të fundit ishte përqendruar një pjesë e madhe e pjesëmarrësve në protestën kombëtare.
Protestuesit kanë nisur të largohen në grup nga sheshi, duke vijuar marshimin nëpër rrugët e Tiranës. Me këtë lëvizje, ekziston mundësia që përplasjet dhe tensionet të zhvendosen edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Pak më herët, policia kishte përforcuar praninë në sheshin “Skënderbej”, duke vendosur forca të shumta pranë selisë së Partisë Socialiste dhe duke bllokuar një nga daljet e sheshit.
Ndërkohë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” vijon të jetë nën masa të forta policore, me një numër të madh efektivësh dhe dy automjete ujëhedhëse të vendosura pranë Kryeministrisë.
Gjatë pasdites, protesta është zhvendosur disa herë nga një zonë në tjetrën. Fillimisht, turma u grumbullua në bulevard, ku policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Më pas, protestuesit u drejtuan nga rruga “Myslym Shyri” dhe sheshi “Skënderbej”, ku ndërhyrjet e forcave të rendit vijuan.
Protesta e sotme shënon ditën e 12-të të mobilizimit studentor dhe ka mbledhur qytetarë të shumtë në mbështetje të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tashmë, me marshimin e turmës drejt Ushtarit të Panjohur, vëmendja zhvendoset në rrugët ku po kalojnë protestuesit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse policia do të ndërhyjë sërish për shpërndarjen e tyre. 3 ORE ME PARE Kaos në qendër të Tiranës, policia 'blindon' selinë e PS Situata në sheshin “Skënderbej” vijon të jetë kaotike, ndërsa policia ka bllokuar një nga daljet e sheshit, pikërisht në zonën ku ndodhet selia e Partisë Socialiste. Forca të shumta policore janë dislokuar në këtë pikë, duke penguar kalimin e protestuesve. Tensionet në Tiranë vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa sheshi “Skënderbej” mbetet një nga pikat kryesore ku janë përqendruar protestuesit dhe forcat e rendit gjatë pasdites së kësaj të shtune.
Policia ka bllokuar daljen në njërin prej cepave të sheshit, pranë selisë së Partisë Socialiste, ku është vendosur një prani e madhe efektivësh.
Forcat e rendit kanë krijuar një kordon policor në këtë zonë, duke penguar lëvizjen e protestuesve në drejtim të rrugës pranë selisë së socialistëve.
Bllokimi i kësaj daljeje vjen në një moment kur një pjesë e madhe e turmës ndodhet ende në sheshin “Skënderbej”, pas ndërhyrjeve të vazhdueshme të policisë me gaz lotsjellës.
Gjatë orëve të fundit, policia ka përdorur sasi të mëdha gazi për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa turma është zhvendosur disa herë mes sheshit dhe rrugëve përreth.
Paralelisht, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është blinduar me forca të shumta policore dhe dy automjete ujëhedhëse, të pozicionuara pranë Kryeministrisë.
Protesta kombëtare e kësaj të shtune, në ditën e 12-të të mobilizimit studentor, ka mbledhur një numër të madh qytetarësh që mbështesin kërkesën e studentëve për largimin e kryeministrit Edi Rama.
Me daljen pranë selisë së PS-së të bllokuar dhe praninë e shtuar të policisë në disa pika, lëvizja e protestuesve në sheshin “Skënderbej” është kufizuar, ndërsa situata mbetet e tensionuar. 3 ORE ME PARE "Lufta" zhvendoset në sheshin Skënderbej, përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve Pamje nga perplasja mes protestuesve dhe policise Përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë po regjistrohen në sheshin “Skënderbej”, ku situata është tensionuar pas hedhjes së fishekzjarreve në drejtim të efektivëve të policisë.
Sipas raportimeve , protestuesit kanë qëlluar me fishekzjarre drejt forcave të rendit, ndërsa policia është përgjigjur me hedhjen e bombave molotov. Pavarësisht ndërhyrjeve të policisë, një pjesë e protestuesve vijojnë të qëndrojnë në shesh, ndërsa efektivët përpiqen t'i shpërndajnë dhe t'i largojnë nga zona.
Përplasjet në sheshin “Skënderbej” vijnë pas incidenteve të rënda të regjistruara pranë selisë së Partisë Socialiste, ku disa efektivë policie janë përfshirë nga flakët pas hedhjes së molotovëve nga protestuesit. Njëri prej tyre dyshohet se ka marrë lëndime më të rënda, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar për gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë, situata mbetet kaotike edhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët përreth, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë uji për të zmbrapsur turmën.
Më herët, protestuesit u shpërndanë në disa zona të kryeqytetit, përfshirë Parkun Rinia, rrugën “Myslym Shyri”, zonën e “21 Dhjetorit” dhe ambientet pranë Ministrisë së Bujqësisë. Në këto zona u regjistruan djegie koshash mbeturinash, bllokime të qarkullimit dhe incidente me zjarr. Protesta kombëtare e kësaj të shtune, e cila nisi në orën 14:00, shënon ditën e 12-të të mobilizimit studentor dhe qytetar. Tubimi, i përqendruar fillimisht përpara Kryeministrisë, është shtrirë më pas në disa prej rrugëve kryesore të Tiranës.
Sipas bilancit paraprak të Ministrisë së Shëndetësisë, deri në orën 16:30, tetë persona kishin marrë trajtim mjekësor pas përplasjeve, mes tyre katër protestues, dy përfaqësues të mediave, një deputet dhe një efektiv policie.
Ndërhyrjet e forcave të rendit dhe përplasjet me grupet e protestuesve vijojnë, ndërsa ende nuk ka një bilanc përfundimtar të personave të lënduar apo të shoqëruar nga policia. 3 ORE ME PARE Tirana nuk gjen qetësi, Policia rrethon protestuesit në sheshin “Skënderbej” dhe blindon bulevardin Protestuesit në sheshin "Skënderbej" Tirana vijon të përjetojë tensione gjatë protestës kombëtare të kësaj të shtune, në ditën e 12-të të mobilizimit studentor kundër qeverisë.
Policia ka blinduar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vendosur një numër të madh efektivësh përgjatë zonës pranë Kryeministrisë. Në gatishmëri ndodhen edhe dy automjete ujëhedhëse, ndërsa forcat e rendit kanë përforcuar pozicionet për të penguar rikthimin e protestuesve në këtë hapësirë.
Paralelisht, situata mbetet e tensionuar edhe në sheshin “Skënderbej”, ku është përqendruar një pjesë e madhe e protestuesve.
Forcat e policisë kanë rrethuar turmën e grumbulluar në shesh dhe po hedhin vazhdimisht gaz lotsjellës në përpjekje për ta shpërndarë. Sasia e madhe e gazit ka krijuar re të dendura tymi, duke vështirësuar qëndrimin e qytetarëve në zonë.
Ndërhyrjet e njëpasnjëshme të policisë vijnë pas disa orësh përplasjesh, gjatë të cilave protestuesit janë zhvendosur nga njëra zonë e kryeqytetit në tjetrën.
Fillimisht, turma ishte grumbulluar në bulevard, nga Kryeministria deri te Ministria e Brendshme, përpara se policia të ndërhynte me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Një pjesë e protestuesve u zhvendosën drejt rrugës “Myslym Shyri”, ndërsa grupi më i madh u përqendrua në sheshin “Skënderbej”. Më pas, disa prej tyre tentuan të riktheheshin në bulevard, ku u përballën sërish me ndërhyrjen e policisë.
Protesta e sotme ka mbledhur studentë dhe qytetarë të shumtë që kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Studentët vijojnë të refuzojnë ftesat për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij.
Në këtë moment, dy nga pikat kryesore të protestës mbeten bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ka përqendruar forca të shumta dhe automjetet ujëhedhëse, si dhe sheshi “Skënderbej”, ku vijon ndërhyrja me gaz lotsjellës ndaj turmës së rrethuar. 3 ORE ME PARE Vijon kaosi në disa zona të Tiranës, një efektiv policie përfshihet nga flakët pranë selisë së PS-së Situata vijon të jetë kaotike në rrugët e kryeqytetit, ku përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë nuk kanë të ndalur. Tensione të forta janë regjistruar pranë selisë së Partisë Socialiste, teksa protestuesit kanë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve, duke bërë që disa prej tyre të përfshihen nga flakët.
Bëhet me dije se, një prej efektivëve ka pësuar lëndime më të rënda, ndërsa ende nuk ka informacion zyrtar për gjendjen e tij shëndetësore. Ndërkohë, përplasje të tjera po zhvillohen paralelisht në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku policia vijon të përdorë gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën.
Pavarësisht ndërhyrjeve të forcave të rendit, grupe protestuesish vijojnë të qëndrojnë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa një pjesë e tyre janë grumbulluar në sheshin “Skënderbej”, duke vazhduar protestën.
Më herët, policia përdori sasi të mëdha gazi lotsjellës pranë sheshit “Skënderbej”, por tensionet u zhvendosën drejt selisë së PS-së dhe zonave të tjera të qendrës.
Protesta kombëtare, e cila ka hyrë në ditën e 12-të, vijon të shoqërohet me përplasje të dhunshme, ndërsa forcat e policisë janë dislokuar në disa zona të Tiranës për të shpërndarë protestuesit. 3 ORE ME PARE Tetë të lënduar nga përplasjet në protestë, mes tyre dy gazetarë dhe një deputet Pamje nga protesta Tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës kombëtare të kësaj të shtune në Tiranë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, mes personave që kanë marrë trajtim mjekësor janë një deputet i Kuvendit, dy përfaqësues të mediave, një efektiv policie dhe katër protestues. Raportohet se, deputeti që ka kërkuar ndihmë mjekësore është Gjin Gjoni, i cili raportohet se ka shfaqur probleme me sytë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë trajtuar gjashtë persona, përfshirë deputetin, një përfaqësuese të medias dhe katër protestues. Të gjithë janë larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore.
Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias, gjendja shëndetësore e të cilëve raportohet e qëndrueshme.
Bilanci paraprak vjen pas tensioneve të regjistruara në disa zona të kryeqytetit, ku policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe autobotë uji për të shpërndarë protestuesit, ndërsa nga turma janë hedhur gurë dhe molotovë.
"Informacion mbi të lënduarit gjatë protestës 24 tetor 2026 ora 16:30
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë protestës së sotme, sipas informacioneve paraprake në SUT dhe QSUT janë paraqitur dhe kanë marrë trajtim:
Një deputet i Kuvendit të ShqipërisëNjë përfaqësuese e mediasKatër protestues
Të gjithë të lënduarit kanë lënë spitalin pas marrjes së trajtimit.
Një efektiv policieNjë përfaqësues i mediasGjendja shëndetësore stabël", thuhet në njoftimin e Ministrisë. 4 ORE ME PARE Përplasje me policinë, një vajzë ndihet keq në bulevard, ndërhyn ambulanca Një vajzë ka mbetur e lënduar gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë në bulevard. E reja është parë e shtrirë në tokë, ndërsa dyshohet se është goditur në kokë nga një prej bombolave të gazit lotsjellës të hedhura në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Nga pamjet, vajza shihet teksa kërkon ndihmë duke ngritur duart, ndërsa disa qytetarë i afrohen dhe përpiqen t'i japin ndihmën e parë. Ndërkohë, forcat e rendit kanë vijuar të përdorin gaz lotsjellës në zonë, edhe pse vajza e lënduar ndodhej e shtrirë në tokë.
Pak minuta më vonë, në vendngjarje ka mbërritur ambulanca, e cila ka marrë të renë dhe e ka transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore më të specializuar. Ende nuk ka informacion zyrtar për gjendjen e saj shëndetësore apo rrethanat e sakta të lëndimit.
Ngjarja është regjistruar në ditën e 12-të të protestave, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, si dhe me përdorimin e gazit lotsjellës dhe autobotëve me ujë në disa zona të kryeqytetit. 4 ORE ME PARE Tensione të forta në sheshin “Skënderbej”/ Policia hedh sasi të mëdha gazi, protestuesit me shkopinj druri në duar Protestuesit me shkopinj në duar Situata është tensionuar sërish në sheshin “Skënderbej”, ku policia po përdor sasi të mëdha gazi lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve. Ndërkohë, shumë prej pjesëmarrësve shihen me shkopinj druri në duar, ndërsa përballja mes turmës dhe forcave të rendit vijon. Sheshi “Skënderbej” është kthyer në një tjetër pikë të tensionuar të protestës kombëtare që po zhvillohet këtë të shtunë në Tiranë, në ditën e 12-të të mobilizimit studentor.
Forcat e policisë po hedhin sasi të mëdha gazi lotsjellës në drejtim të zonës ku janë grumbulluar protestuesit, duke mbuluar një pjesë të hapësirës me re të dendura tymi.
Ndërkohë, shumë protestues shihen të pajisur me shkopinj druri, të cilët i mbajnë në duar gjatë qëndrimit në shesh. Prania e këtyre objekteve shton shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm të përplasjeve. Ndërhyrja e policisë në sheshin “Skënderbej” vjen pas disa orësh tensionesh në zona të ndryshme të Tiranës, ku forcat e rendit kanë përdorur vazhdimisht gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmave.
Më herët, protestuesit ishin grumbulluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga Kryeministria deri te Ministria e Brendshme, përpara se ndërhyrja e policisë t'i shpërndante në disa drejtime.
Një pjesë e tyre u zhvendosën drejt rrugës “Myslym Shyri”, ndërsa grupi më i madh u përqendrua në lulishten e sheshit “Skënderbej”. Më pas, disa protestues u rikthyen në bulevard, ku policia ndërhyri sërish me gaz dhe ujë me presion.
Protesta e sotme ka mbledhur studentë dhe qytetarë të shumtë që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa studentët vijojnë të refuzojnë ftesat e tij për dialog.
Me përdorimin e vazhdueshëm të gazit lotsjellës dhe praninë e protestuesve me shkopinj druri në duar, sheshi “Skënderbej” mbetet një nga pikat ku po përqendrohen tensionet e kësaj pasditeje. 4 ORE ME PARE Policia ndërhyn në sheshin “Skënderbej”, hidhet gaz lotsjellës dhe molotovë Tensionet janë zhvendosur në sheshin “Skënderbej”, teksa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për të zmbrapsur protestuesit që po drejtoheshin drejt bulevardit "Dëshmorët e Kombit".
Sipas raportimeve nga vendngjarja, gjatë përplasjeve janë hedhur katër molotovë, ndërsa forcat e policisë kanë vijuar përdorimin e gazit lotsjellës për të shpërndarë turmën. Ndërkohë, pranë Teatrit të Kukullave, disa të rinj janë përplasur me efektivët e policisë, duke hedhur gurë në drejtim të tyre.
Përplasjet vijnë pas incidenteve të regjistruara në disa zona të Tiranës, ku më herët protestuesit dogjën kosha mbeturinash në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, ndërsa flakët përfshinë edhe derën e një prej hyrjeve të Ministrisë së Bujqësisë.
Protesta kombëtare, e cila ka hyrë në ditën e 12-të, vijon të shoqërohet me tensione dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe autobotë uji, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa zona të kryeqytetit. 4 ORE ME PARE Vijojnë përplasjet me policinë, protestuesit i vënë flakën Ministrisë së Bujqësisë Protestuesit i kanë vënë flakën njërës prej hyrjeve të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa përplasjet me forcat e policisë vijojnë në disa zona të kryeqytetit.
Si pasojë e zjarrit, është djegur dera e një prej hyrjeve të institucionit, ndërsa flakët janë shuar pas pak minutash. Ende nuk ka të dhëna për dëme të tjera materiale apo persona të lënduar nga incidenti.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në disa rrugë të Tiranës pas ndërhyrjeve të policisë me gaz lotsjellës dhe autobotë uji për t'i zmbrapsur.
Më herët, protestuesit dogjën disa kosha mbeturinash në mes të rrugës, në kryqëzimin e “21 Dhjetorit”, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve. Ndërkohë, grupe të tjera janë përqendruar pranë Bashkisë së Tiranës, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në sheshin “Skënderbej”.
Forcat e rendit janë dislokuar në disa zona të kryeqytetit, duke vijuar ndërhyrjet për shpërndarjen e protestuesve, pas përplasjeve të regjistruara fillimisht përpara Kryeministrisë.
Protesta kombëtare e kësaj të shtune, e cila nisi në orën 14:00, shënon ditën e 12-të të mobilizimit studentor dhe qytetar, ndërsa tensionet vijojnë në disa prej akseve kryesore të Tiranës. 4 ORE ME PARE Rikthehen tensionet në bulevard, Policia hedh gaz lotsjellës dhe ujë me presion Situata në bulevard Tensionet janë rikthyer në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku një grup protestuesish janë mbledhur sërish pas shpërndarjes së mëparshme nga forcat e rendit.
Policia ka rifilluar ndërhyrjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar përsëri zonën. Pamjet nga vendngjarja tregojnë protestues të shpërndarë përgjatë rrugës dhe mjete policore që përdorin ujë për të larguar turmën.
Ndërkohë, disa protestues kanë raportuar se kanë ndier djegie në trup pas kontaktit me ujin e hedhur nga mjetet e policisë.
Këto dëshmi kanë ngritur dyshime mes pjesëmarrësve se uji me presion mund të përmbajë substanca irrituese.
Përplasjet e reja vijnë pasi protestuesit ishin zhvendosur më herët drejt sheshit “Skënderbej” dhe rrugëve të tjera të Tiranës, pas ndërhyrjes së policisë pranë Kryeministrisë.
Edhe në sheshin “Skënderbej”, ku ishte grumbulluar pjesa më e madhe e turmës, policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e protestuesve.
Megjithatë, një pjesë e tyre janë rikthyer në bulevard, duke sjellë një tjetër përballje me forcat e rendit.
Protesta kombëtare e kësaj të shtune zhvillohet në ditën e 12-të të mobilizimit studentor, ndërsa qytetarë të shumtë u janë bashkuar studentëve në kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. 4 ORE ME PARE Policia ndërhyn edhe në sheshin “Skënderbej”, hidhet gaz lotsjellës Situata në shesh Ndërhyrja e policisë për shpërndarjen e protestuesve është zhvendosur edhe në sheshin “Skënderbej”. Forcat e rendit po përdorin gaz lotsjellës në zonën ku ishte grumbulluar pjesa më e madhe e turmës, ndërsa re të dendura tymi kanë mbuluar hapësirën përreth. Protesta kombëtare në Tiranë vijon të shoqërohet me ndërhyrje të policisë, ndërsa këtë herë gaz lotsjellës është hedhur edhe në zonën e sheshit “Skënderbej”, ku më herët ishte përqendruar grupi më i madh i protestuesve.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një re të dendur gazi që ka mbuluar zonën, ndërsa forcat e policisë janë vendosur përballë protestuesve.
Ndërhyrja vjen pasi turma ishte zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej”, pas përplasjeve të mëparshme pranë Kryeministrisë, ku policia përdori sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë pjesëmarrësit.
Në momentin e grumbullimit në lulishten e sheshit nuk ishin raportuar përplasje, por situata ka ndryshuar me ndërhyrjen e forcave të rendit dhe përdorimin e gazit lotsjellës.
Gjatë orëve të fundit, protesta është zhvendosur në disa zona të Tiranës. Një pjesë e pjesëmarrësve u drejtuan fillimisht nga rruga “Myslym Shyri”, ndërsa të tjerë u grumbulluan në sheshin “Skënderbej”. Paralelisht, grupe protestuesish kanë nisur të rikthehen drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Protesta e sotme zhvillohet në ditën e 12-të të mobilizimit studentor dhe ka mbledhur një numër të madh qytetarësh në mbështetje të studentëve.
Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa studentët vijojnë të refuzojnë ftesat e tij për dialog.
Me ndërhyrjen e policisë edhe në sheshin “Skënderbej”, përpjekjet për shpërndarjen e protestuesve janë shtrirë tashmë në disa prej zonave ku është zhvendosur turma gjatë pasdites. 4 ORE ME PARE Protesta shtrihet në disa zona të Tiranës, digjen kosha mbeturinash te “21 Dhjetori” Protesta kombëtare e kësaj të shtune është zhvendosur në disa zona të Tiranës, pas përplasjeve të regjistruara mes protestuesve dhe forcave të rendit përpara Kryeministrisë.
Në zonën e “21 Dhjetorit”, protestuesit kanë djegur disa kosha mbeturinash në mes të rrugës, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe krijuar pengesa në lëvizjen e tyre.
Ndërkohë, grupe të tjera protestuesish janë përqendruar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në rrugën “Myslym Shyri”, përgjatë Lanës, pranë Piramidës, në sheshin “Skënderbej”, si dhe në afërsi të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.
Forcat e policisë janë shpërndarë në disa pika të kryeqytetit, duke ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobotë uji për të zmbrapsur protestuesit, të cilët vijojnë të lëvizin në grupe nëpër rrugët e qytetit.
Protesta, e cila nisi në orën 14:00, ka mbledhur studentë dhe qytetarë të moshave të ndryshme. Në ditën e 12-të të mobilizimit, tubimi i paralajmëruar si protestë kombëtare është shoqëruar me përplasje dhe tensione në disa prej akseve kryesore të Tiranës. Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Tirana sërish mes gazit, ujit dhe tensioneve; përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve 24 Tetor 2026, 15:5315:53LIVE UPDATES Nis protesta, iu vihet flaka koshave të mbeturinave; studentët qëllojnë me gurë policinë 24 Tetor 2026, 14:3014:30LIVE UPDATES "Të Pashoq"/ Edi Rama, dorëhiqet apo arratiset? 21 Tetor 2026, 19:5719:57LIVE UPDATES Tirana sërish mes kaosit dhe tensioneve, mijëra të rinj në këmbë kundër Ramës 20 Tetor 2026, 18:5018:50LIVE UPDATES Minutë pas minute/ Një javë kaos, nis protesta te Ministria e Arsimit; e gjithë Shqipëria në këmbë 19 Tetor 2026, 12:3012:30LIVE UPDATES Tirana në kolaps/ Tym e flakë kudo, përplasje të forta mes protestuesve dhe policisë 18 Tetor 2026, 19:3519:35LIVE UPDATES

