Protestuesit që prej muajsh zhvillojnë tubime kanë vijuar protestën edhe gjatë seancës së sotme, duke përdorur një mënyrë simbolike për të kundërshtuar zhvillimet politike. Ata kanë lëshuar një pulë në rrugën para Kuvendit, e cila është strukur pas efektivëve të policisë. “Keni frikë nga veza! Keni frikë nga pula! Deputetë frikacakë!”, kanë thirrur protestuesit.
Paralelisht me këtë protestë, në anën tjetër të Parlamentit janë mbledhur edhe mbështetës të opozitës, të cilët kundërshtojnë reformën e re territoriale që pritet të votohet në Kuvend. Tubimi i mbështetësve të Berishës është zhvilluar me një numër më të ulët protestuesish, ndërsa forcat e policisë kanë krijuar perimetër sigurie në zonën përreth.

