Studentë dhe pedagogë janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit, ku po kërkojnë ndryshime dhe po shprehin pakënaqësitë e tyre. Një prej studentëve, bëri thirrje për mobilizimin dhe bashkimin e studentëve shqiptarë, duke marrë si shembull protestat në Serbi.
Studenti akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vandalizuar shtetin shqiptar dhe kërkoi që ai të mbajë përgjegjësi për situatën. Sipas tij, qeveria po përpiqet të demoralizojë protestuesit, ndërsa u shpreh se studentët duhet të qëndrojnë të bashkuar për t’i dhënë më shumë forcë protestës. Ai theksoi gjithashtu se studentët kanë të drejtë të ruajnë anonimitetin, në kushtet kur, sipas tij, kryeministri publikon protestuesit në rrjetet sociale.
“Unë dua që studentët të bëhen bashkë dhe t’i japin tjetër energji protestës. Unë jam student si gjithë të tjerët. Nëse ne unifikohemi, mendoj se do të bëhemi shumë. Kryeministri ka vandalizuar gjithë shtetin shqiptar dhe për këtë duhet të mbajë përgjegjësi. Rama po gjen tentativa për të demoralizuar studentët. Kryeministri të ikë sa ka së paku dy gishta dinjitet. Çdokush ka të drejtë që të maskohet, derisa kryeministri i nxjerr protestuesit në rrjetet sociale. Fitorja e studentëve në Serbi të motivon. Ne e përjashtojmë kategorikisht mundësinë që të ndalojmë së kërkuari dorëheqjen. Nuk kemi çfarë të flasim me kryeministrin Rama, sepse ka 14 vite që e kemi parë çfarë di të bëjë”, tha studenti.

