Protesta e zhvilluar këtë të shtunë në Tiranë është shoqëruar me tensione të forta dhe përplasje fizike, fillimisht mes studentëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike, e më pas mes protestuesve dhe forcave të policisë. Tubimi nisi me marshimin e mbështetësve të PD-së nga selia blu drejt Kryeministrisë, ku në krye të tyre qëndronin deputetët Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti dhe Tedi Blushi. Kreu i PD-së, Sali Berisha, nuk ishte i pranishëm në protestë.
Ndërkohë, studentët ishin mbledhur para Ministrisë së Arsimit, ku kishin nisur protestën e tyre që prej orës 14:00. Ata kundërshtuan përfshirjen e përfaqësuesve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike në tubimin e tyre, duke krijuar një kordon ndarës dhe duke mbajtur një banderolë me mbishkrimin: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Përplasjet verbale mes dy grupeve nuk munguan dhe situata kaloi më pas në përplasje fizike. Mes protestuesve pati debate të ashpra, ndërsa disa prej tyre shprehën kundërshtimin ndaj klasës së vjetër politike dhe përpjekjeve për të përfshirë protestën studentore në aktivitetin e opozitës.
Tensionet u përshkallëzuan më tej kur disa protestues u vunë flakën dy kazanëve të mbeturinave dhe i shtynë në drejtim të forcave të policisë. Gjithashtu, drejt efektivëve u hodhën sende të ndryshme, ndërsa policia u kundërpërgjigj me spraj dhe gaz lotsjellës.
Më pas, persona të maskuar hodhën gurë në drejtim të policisë, duke bërë që të ndërhynte edhe autoboti i ujit për shpërndarjen e turmës.
Pas përplasjeve para Ministrisë së Arsimit, protestuesit u zhvendosën drejt Rrugës së Durrësit dhe vijuan marshimin në drejtim të Kryeministrisë. Gjatë lëvizjes, ata tentuan të bllokonin rrugën duke vendosur gurë dekorativë në mes të saj dhe duke zhvendosur kazanët e mbeturinave.
Edhe përgjatë marshimit pati përplasje me policinë, e cila përdori autobotin e ujit për të zmbrapsur protestuesit. Në disa momente, efektivët lëshuan ujë të përzier me lëndë irrituese. Situata u tensionua sërish para Kryeministrisë, ku protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të godinës dhe forcave të policisë. Ndërkohë, autobotët ndërhynë për të shuar flakët dhe për të shpërndarë turmën.
Gjatë qëndrimit para Kryeministrisë, disa të rinj u panë duke shkulur gurë nga trotuari dhe duke i hedhur në rrugë, në përpjekje për t’i përdorur gjatë përplasjeve me policinë.
Forcat e rendit vijuan ndërhyrjen përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke i zmbrapsur protestuesit nga zona pranë Kryeministrisë deri në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes.
Pas disa orësh tensione dhe përplasjesh, protesta u drejtua drejt fundit. Policia arriti të shpërndajë pjesën më të madhe të protestuesve dhe krijoi një kordon përgjatë bulevardit, ku mbeti vetëm një numër i vogël pjesëmarrësish, pa incidente të tjera të raportuara.
Ndërkohë, mjetet e rënda ndërhynë për të pastruar gurët dhe mbeturinat e hedhura në rrugë, duke mundësuar më pas edhe normalizimin e qarkullimit të automjeteve.
Protesta e sotme u zhvillua në një klimë të tensionuar, mes kërkesës së studentëve për të ruajtur pavarësinë e tubimit të tyre dhe përpjekjeve të mbështetësve të opozitës për t’iu bashkuar protestës.
Zhvillimet gjatë ditës: 19:03
Protestuesit lënë bulevardin, mjetet e rënda nisin punën për heqjen e gurëve të hedhur
Aktualitet 18:14
Policia shpërndan protestuesit, boshatiset bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
Aktualitet 17:15
Tensionohet protesta para Kryeministrisë, hidhen fishekzjarrë drejt autoboteve
Aktualitet 17:06
Molotovë te Kryeministria, policia i shuan me autobot, tenton të shpërndajë protestuesit
Aktualitet 16:50
Protestuesit vendosen para Kryeministrisë, nis heqja e gurëve të trotuareve
Aktualitet 16:27
Përleshja vijon edhe përgjatë marshimit, protestuesit bllokojnë rrugën me gurë në formë cilindri dhe me kosha mbeturinash
Aktualitet 16:16
Protestuesit zmbrapsen nga policia, nisen drejt Kryeministrisë
Aktualitet 15:50
Përshkallëzohet situata te Ministria e Arsimit, persona të maskuar po hidhnin gurë drejt policisë, ndërhyn autoboti i ujit
Aktualitet 15:47
Protestuesit i vënë flakën dy kazanëve të mbeturinave dhe i shtyjnë drejt policisë, hidhen edhe sende të tjera, efektivët i kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës
Aktualitet 15:45
Vijon protesta përpara Ministrisë së Arsimit, Mbështetësit e PD-së qëndrojnë larg protestës së thirrur nga studentët
Aktualitet 15:21
“E prishët një herë në vitin 1990, ju ka mbaruar koha”/ Përplasje fizike mes demokratëve dhe protestuesve te Ministria e Arsimit, përzenë personin që i kundërshtoi
Aktualitet 14:47
“Berisha, mos më leh si qeni pas gardhit”/ Tensionet mes protestuesve të PD-së dhe atyre te Ministria e Arsimit, debat mes tyre: Çfarë studenteje je ti?
Aktualitet 15:21
“E prishët një herë në vitin 1990, ju ka mbaruar koha”/ Përplasje fizike mes demokratëve dhe protestuesve te Ministria e Arsimit, përzenë personin që i kundërshtoi
Aktualitet 14:34
Studentët krijojnë kordon për të mos lejuar PD të afrohet në protestën e tyre, i presin me banderolë: Rama n’burg, Berisha n’burg
Aktualitet 14:28
Video/ Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit, shoqërohet një person nga policia
Aktualitet 14:00
Studentët protestojnë sot para Ministrisë së Arsimit, protestuesit: Poshtë diktatura, Rama n’burg, Berisha n’burg
Aktualitet 14:04
Deputetët në krye të protestës, mungon Berisha/ Pas qëndrimit përpara Kryeministrisë, PD nis marshimin drejt Ministrisë së Arsimit, aty ku janë studentët
Aktualitet Top Channel

