Edhe në ndeshjen mes Tiranës dhe Laçit është shfaqur fryma e protestës, pasi tifogrupi “Fanatics” është larguar nga stadiumi vetëm pesë minuta pas nisjes së takimit, në shenjë solidariteti me protestën e studentëve. Përmes një mesazhi nga ana e tyre, tifozët kanë bërë të ditur se vendimi për t’u larguar nga tribunat vjen si një formë mbështetjeje për studentët dhe kauzën e tyre. “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”, thuhet në banderolën e tifogrupit, i cili shpreh qëndrimin e tyre ndaj situatës. Në reagimin e tyre, “Fanatics” u kanë bërë thirrje edhe grupeve të tjera të tifozëve që t’i bashkohen studentëve, duke e zhvendosur mesazhin e solidaritetit përtej tribunave të stadiumit.
