Protestat në Francë janë përshkallëzuar sërish këtë të shtunë, me përplasje mes demonstruesve dhe policisë në Marsejë, ndërsa në Paris mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar pabarazinë sociale dhe mungesën e financimit për shërbimet publike. Sipas The New York Times, tensionet u rritën në disa prej qyteteve ku u organizuan demonstrata. Në Marsejë, përplasjet shpërthyen pranë Porte d’Aix, ku ishte planifikuar të përfnte një marshim i autorizuar. Të rinj, shumë prej të cilëve kishin mbuluar fytyrat me maska kundër gazit apo maska skijimi, tërhoqën pllaka të mëdha metalike në rrugë për të ngritur barrikada.
Disa protestues hodhën gurë dhe shishe drejt policisë, ndërsa të tjerë ndezën fishekzjarrë në drejtim të efektivëve. Policia reagoi duke hedhur sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe, në një moment, përparoi me mburoja e shkopinj gome për të zmbrapsur turmën.
Gazi lotsjellës përfshiu edhe një rrugicë pranë zonës së demonstrimit, duke detyruar protestuesit të tërhiqeshin me nxitim drejt sheshit.
Në Paris, vendndodhja e demonstratës u ndryshua në momentin e fundit. Pavarësisht kësaj, mijëra qytetarë u mblodhën në zonën e përcaktuar në pjesën juglindore të kryeqytetit.
Sipas The New York Times, ndryshimi i vendit të protestës shkaktoi pakënaqësi te një pjesë e pjesëmarrësve, të cilët e konsideruan vendimin një përpjekje për të kufizuar dukshmërinë e demonstratës.
“Është një strategji për t’i përçarë dhe dekurajuar njerëzit”, tha Vincent Charache, 35 vjeç, një punonjës bashkiak që udhëtoi për dy orë me tren nga Nevers për të protestuar kundër hendekut në rritje mes të pasurve dhe të varfërve.
Ndërsa Meylan Eponoh, 19 vjeç, student i punës sociale, u shpreh se demonstruesit po kundërshtonin edhe financimin e pamjaftueshëm të shkollave në zonat e banuara nga shtresat punëtore.
“Ata duan të na bëjnë të padukshëm në periferi të Parisit”, tha ai, duke shprehur shpresën se marshimi do të ndryshonte itinerar për të hyrë në qendër të qytetit.
Ndryshe nga situata në Marsejë, në Orléans demonstrata përfi në mënyrë paqësore. Mijëra protestues që dolën në rrugë gjatë mëngjesit u mblodhën në një zonë ku vullnetarët shpërndanin ushqime dhe pije.
Në një skenë të ngritur në këtë hapësirë, politikanë, mes tyre kryebashkiaku i Trappes, Ali Rabeh, si dhe nxënës të shkollave të mesme, mbajtën fjalime përpara turmës, duke nxitur brohoritje nga pjesëmarrësit.
Sipas të dhënave të bëra publike nga zyrtari i Ministrisë së Brendshme franceze, Laurent Nuñez, deri gjatë së shtunës ishin arrestuar 135 persona.
Shumica e tyre u ndaluan gjatë kontrolleve policore, pasi dyshohet se kishin armë ose sende të tjera të ndaluara. Mes sendeve të gjetura kishte pajisje për lëshimin e fishekzjarrëve dhe një shpatë japoneze të stilit samurai.
Nuñez vlerësoi se rreth 35 mijë persona kishin marrë pjesë në protestat në mbarë vendin, një numër më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të së shtunës së kaluar. “Do të mbetemi jashtëzakonisht vigjilentë gjatë pasdites së sotme”, deklaroi ai.
Autoritetet franceze kanë angazhuar rreth 70 mijë efektivë policie në të gjithë vendin, në kuadër të masave të sigurisë për protestat. Top Channel

