Protestat e banorëve të Durrësit kundër projektit TID duket se kanë sjellë një zhvillim të ri sa i përket të ardhmes së projektit, i cili parashikonte ndërhyrje të rëndësishme në zonën historike të qytetit. Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar, me një vendim të datës 30 korrik, VKM-në “Për shpalljen e zonës së re për zhvillim, në njësinë administrative Durrës, Bashkia Durrës, dhe caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si njësi zbatuese”. Vendimi lidhet me zonën nr. 5 të rindërtimit në Durrës, e cila përfshin një pjesë të konsiderueshme të zonës historike të qytetit, përfshirë edhe hapësirën ku ishte parashikuar zbatimi i projektit TID, të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Shfuqizimi i VKM-së vjen pas muajsh protestash nga banorët e Durrësit, të cilët kanë kundërshtuar projektin, veçanërisht për shkak të rrezikut të shembjes së banesave të tyre.
Gjatë protestave nuk kanë munguar as përplasjet me policinë, ndërsa banorët kanë deklaruar vazhdimisht se do të vijojnë kundërshtimin e projektit deri në marrjen parasysh të kërkesave të tyre.
Vetëm pak javë më parë, përfaqësues të 74 familjeve që rrezikojnë të preken nga shembjet protestuan përpara Bashkisë së Durrësit, duke kërkuar ndalimin e projektit dhe mbrojtjen e banesave të tyre.
Vendimi i fundit i qeverisë rikthen në pikëpyetje fatin e projektit TID dhe mënyrën se si do të vijojë ndërhyrja e planifikuar në këtë pjesë të Durrësit. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

