Lajme Zone
Protestat, mesazhi i arqipeshkvit të Shkodrës: Detyrë e qeverisjes që të marrë vendimet e vështira! Dhuna të dënohet, dialog me qytetarët! Begaj mbledh nesër krerët e komuniteteve fetare
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 3 burime — Krahaso mbulimin →

Protestat, mesazhi i arqipeshkvit të Shkodrës: Detyrë e qeverisjes që të marrë vendimet e vështira! Dhuna të dënohet, dialog me qytetarët! Begaj mbledh nesër krerët e komuniteteve fetare

Mesazhi i Imzot Giovanni Peragine në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës, i bëri jehonë të mirës së përbashkët, drejtësisë e barazisë shoqërore.

Qeveria duhet të veprojë pa vonesë dhe të marrë vendime të vështira në të mirë të vendit që po kalon një “krizë shoqërore”, thotë Giovanni Peragine, arqipeshkëv i Arqidioqezës Metropolitane Shkodër-Pult. Mesazhi i tij në vigjilje të festës së Zojës së Shkodrës, i bëri jehonë të mirës së përbashkët, drejtësisë e barazisë shoqërore. “Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj”, tha Imzot Giovanni Peragine. LEXO edhe...Vijon rrëmuja në Tiranë, protestuesit bllokojnë rrugën me tabelën e dekorit (VIDEO) Ndërsa vijoi se protesta e 4 muajve shpreh pakënaqësinë e thellë, arqipeshkëvi tha se dhuna duhet dënuar qartë e pa rezerva, por nevojitet dialog me qytetarët. “Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë”, u shpreh Imzot Giovanni Peragine. Duke iu rikthyer përgjegjësisë që institucionet kanë, Imzot Giovanni Peragine përfi se shërbimi është shprehia e autoritetit. “Autoriteti është, para së gjithash, përgjegjësi dhe jo privilegj. Kush merr një përgjegjësi publike është i thirrur t’i shërbejë shoqërisë dhe ta ruajë të mirën e përbashkët”, përfi arqipeshkëvi. Nesër në orën 12:00 presidenti Bajram Begaj ka thirrur në një mbledhje krerët e komuniteteve fetare. Fjala e plotë: Shumë të dashur vëllezër dhe motra,​ Të nderuara autoritete civile, Në vigjiljen e festës së Zojës së Shkodrës, pajtores së qytetit tonë, si qytetarë, gjendemi përpara një figure që është e lidhur thellësisht me historinë dhe identitetin e Shkodrës. Nëpërmjet Virgjërës Mari jemi të thirrur ta vështrojmë qytetin tonë: historinë e tij, identitetin, plagët, shpresat dhe, mbi të gjitha, të ardhmen e tij. Zoja e Shkodrës nuk është vetëm një figurë që i përket përshpirtërisë katolike. Për shumë breza shkodranësh, ajo ka qenë një prani amnore që ka shoqëruar jetën e qytetit. Përpara kësaj figure janë lutur njerëz të brezave të ndryshëm; janë lutur në çaste gëzimi dhe sprove, në kohë lirie dhe përndjekjeje. Prandaj, Zoja është e lidhur thellësisht me kujtesën shpirtërore të Shkodrës. Por kujtesa, kur është e vërtetë, nuk na lidh vetëm me të kaluarën, por na bën të përgjegjshëm për të ardhmen. Në këtë vit dëshiroj t’ia drejtoj mesazhin tim qytetit të Shkodrës, duke u nisur pikërisht nga kuptimi i fjalës “qytet”. Në traditën latine, fjala civitas nuk tregonte thjesht një territor me kufij të përcaktuar, rrugësh dhe ndërtesash, por, mbi të gjitha, një bashkësi qytetarësh, një mënyrë të jetuari së bashku, një realitet ku çdo qytetar nuk është një person i veçuar, por është pjesë e një bashkësie dhe, njëkohësisht, ndien përgjegjësi për ndërtimin e saj. Tradita e krishterë na kujton se njeriu nuk jeton vetëm përpara Hyjit dhe vetvetes, por jeton edhe me të tjerët dhe për të tjerët. Jeta nuk është një përvojë individuale dhe e veçuar: ne jemi pjesë e një bashkësie dhe, në njëfarë mënyre, e mira dhe brishtësia e të tjerëve na përkasin të gjithëve. Jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit dhe asnjëri nuk mund t’i thotë tjetrës: “nuk kam nevojë për ty”. Figura e trupit mbart edhe një domethënie të thellë qytetare. Jemi njerëz të ndryshëm, me përgjegjësi, aftësi, kushte jetese dhe histori, por të gjithë i përkasin së njëjtës bashkësi. Prandaj, askush nuk mund ta konsiderojë veten të shkëputur nga jeta e të tjerëve. Sikurse terë trupi vuan kur vuan një gjymtyrë, ashtu kur një pjesë e qytetit vuan, i gjithë qyteti është i thirrur ta marrë përsipër atë vuajtje; kur një pjesë zhvillohet dhe përparon, ky zhvillim duhet të bëhet një mundësi e mirë për mbarë bashkësinë. Kjo është logjika e së mirës së përbashkët: një qytet është vërtet një bashkësi kur e mira e njërit nuk ndahet nga e mira e tjetrit. Sepse askush nuk mund të jetë plotësisht i lumtur në një qytet ku të tjerët harrohen, përjashtohen ose lihen pas. Nëpërmjet këtij mesazhi dëshiroj të theksoj edhe rolin që ka besimi në ndërtimin e bashkësisë qytetare. Prania e bashkësive të ndryshme fetare, ajo e vëllezërve myslimanë dhe ortodoksë, së bashku me praninë katolike, duhet të shihet si një pasuri e vërtetë për mbarë qytetin. Në fakt, besimi, si përvojë takimi dhe dashurie me Zotin, nuk mund të mbetet i kufizuar në jetën private, por është i thirrur të shprehet në një mënyrë jetese, në marrëdhënie, në vëmendje ndaj tjetrit dhe në përgjegjësi ndaj bashkësisë. Një besim i vërtetë, pikërisht sepse buron nga dashuria dhe çon drejt dashurisë, nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj jetës së qytetit dhe së mirës së njerëzve që e banojnë. Besimi, kur jetohet në mënyrë autentike, duhet të japë kontributin e vet në zhvillimin njerëzor dhe shpirtëror të shoqërisë. Kisha Katolike nuk pretendon të zërë vendin e institucioneve civile dhe as synon të ngatërrojë fushat dhe rolet përkatëse. Por çdo besimtar, i krishterë apo mysliman, si qytetar, është i thirrur ta jetojë me përgjegjësi qytetarinë e vet, duke sjellë në shoqëri dritën e besimit të tij përmes zgjedhjeve, punës, ndershmërisë dhe shërbimit të tij. Besimi nuk na largon nga qyteti, por na bën më të përgjegjshëm për të; besimi nuk na shkëput nga jeta e bashkësisë, por na nxit të marrim pjesë me më shumë vetëdije në ndërtimin e së mirës së përbashkët. Në këtë frymë, Kisha, sa herë që ndërhyn publikisht për çështje që prekin jetën dhe të mirën e përbashkët, udhëhiqet nga përgjegjësia e saj morale dhe ungjillore për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më njerëzore. Edhe përballë krizës shoqërore me të cilën po përballet këto ditë vendi ynë, bashkësitë fetare nuk mund të qëndrojnë indiferente. Përkundrazi, ato kanë përgjegjësinë të kontribuojnë në formimin e ndërgjegjes së qytetarëve, në mënyrë që vendimet e atyre që ushtrojnë përgjegjësi publike të orientohen drejt së mirës së të gjithëve. Protestat e këtyre ditëve dëshmojnë pa dyshim një pakënaqësi të thellë shoqërore, që nuk mund të shpërfillet. Për katër muaj, një numër i konsiderueshëm qytetarësh kanë protestuar në mënyrë paqësore kundër një sistemi që favorizon disa dhe penalizon shumë të tjerë, por zëri i tyre nuk ka gjetur dëgjimin dhe përgjigjet e duhura. Kjo nuk e justifikon dhunën, e cila duhet dënuar qartë dhe pa asnjë rezervë, por nxjerr në pah përgjegjësinë e autoriteteve për të dëgjuar qytetarët, për të hapur rrugë dialogut dhe për të trajtuar me vendosmëri shkaqet e pakënaqësisë. Vetëm përmes drejtësisë, barazisë dhe dialogut të sinqertë mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë, ku askush të mos ndihet i përjashtuar dhe ku e mira e përbashkët të mbizotërojë mbi çdo interes personale. Përgjegjësia e autoriteteve nuk matet me deklarata, por me vendime konkrete. Asnjë interes privat nuk mund të vihet mbi të mirën e vendit dhe asnjë pushtet nuk mund ta zëvendësojë detyrimin për t’u dhënë përgjigje qytetarëve. Kur besimi te institucionet tronditet dhe paqja shoqërore vihet në rrezik, është detyrë e atyre që qeverisin të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të veprojnë pa vonesë, duke marrë me guxim edhe vendime të vështira, nëse këtë e kërkon e mira e vendit tonë. Shqipëria nuk meriton të përjetojë sërish plagët e rënda të së kaluarës së saj. Në këtë drejtim, domethënës është edhe termi që përdoret për të treguar qendrën e jetës qytetare: “Bashkia”. Fjala bashkia shpreh pikërisht atë që është e përbashkët, atë që u përket të gjithëve dhe për të cilën të gjithë jemi të thirrur të kujdesemi. Qyteti është një e mirë e përbashkët, pra u përket të gjithëve. Qyteti i Shkodrës nuk u përket vetëm institucioneve të tij. Nuk u përket vetëm atyre që mbajnë përgjegjësi publike. Nuk u përket vetëm atyre që zotërojnë pasuri. Shkodra nuk u përket vetëm atyre që jetojnë në qendër të qytetit. Shkodra u përket të gjithë qytetarëve të saj dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt. Shkodra është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të ndihen përgjegjës për të. Duhet të theksojmë edhe se qytet nuk ndërtohet vetëm në tryezat e zyrave publike, por ndërtohet çdo ditë në familje, në shkolla, në vendet e punës, në shoqata, në bashkësitë fetare dhe në organizatat e shoqërisë civile. Qyteti ndërtohet përmes mënyrës se si e pranojmë njëri-tjetrin, se si i respektojmë hapësirat e përbashkëta dhe se si i edukojmë fëmijët tanë. Një qytet ndërtohet edhe përmes gjesteve të vogla të ndershmërisë, vëmendjes dhe solidaritetit. Askush nuk duhet t’ua kalojë të tjerëve përgjegjësitë e veta. Por kjo përgjegjësi na përket edhe neve si Kishë. Famullitë, bashkësitë rregulltare dhe institucionet tona janë të thirrura të jenë vende dëgjimi, mikpritjeje dhe afërsie ndaj njerëzve. Natyrisht, kjo përgjegjësi u përket në mënyrë të veçantë atyre që kanë marrë një mandat publik. Juve, përfaqësues të institucioneve civile, dëshiroj t’ju shpreh edhe në këtë rast respektin dhe mirënjohjen time për shërbimin që jeni të thirrur të kryeni. Por, duke iu referuar traditës së krishterë, ju kujtoj se autoriteti e gjen dinjitetin e vet në shërbim: autoriteti është, para së gjithash, përgjegjësi dhe jo privilegj. Kush merr një përgjegjësi publike është i thirrur t’i shërbejë shoqërisë dhe ta ruajë të mirën e përbashkët. Prandaj, institucionet duhet të kenë gjithmonë parasysh jo vetëm shifrat dhe projektet, por njerëzit konkretë: familjet në vështirësi, të rinjtë në vështirësi që e shohin të ardhmen e tyre vetëm jashtë atdheut, të moshuarit e vetmuar, të varfrit dhe personat me aftësi të kufizuara. Prandaj, një shoqëri tregon madhështinë e saj kur di t’u japë zë edhe atyre që askush nuk i dëgjon. Çdo person, pavarësisht gjendjes apo mundësive të tij, ka dinjitet dhe të drejtën për t'u dëgjuar e për të kontribuar në të mirën e përbashkët. Nëse duam ta kuptojmë vërtet qytetin tonë, duhet të mësojmë ta shohim jo vetëm nga qendra, por edhe nga periferitë e tij, si ato gjeografike, ashtu edhe ato njerëzore e shoqërore. Pikërisht aty duhet të dëgjohet zëri i atyre që kërkojnë më shumë drejtësi dhe barazi shoqërore, mundësi të barabarta për arsimim dhe kujdes shëndetësor, si dhe shërbime sociale të drejta e të barabarta për të gjithë, pa korrupsion dhe favorizime. Jemi në zemër të Vitit Jubilar, në të cilin përkujtojmë 130-vjetorin e shpalljes së Nënës së Këshillit të Mirë Pajtore të Shqipërisë. Ky jubile na fton të ripërtërijmë besimin dhe shpresën, duke ia besuar Zotit dhe Zojës të ardhmen e qytetit dhe të vendit tonë. Pas pak ditësh do të kremtojmë edhe dhjetëvjetorin e lumnimit të martirëve shqiptarë, të cilët, gjatë diktaturës komuniste, e paguan me jetën e tyre besnikërinë ndaj Krishtit. Kujtesa e tyre duhet të jetë një profeci për të ardhmen. Ata ishin dëshmitarë të besimit, por ishin edhe burra e gra të lidhur thellësisht me tokën e tyre, me popullin e tyre dhe me të mirën e atdheut. Ata e dhanë jetën për Krishtin dhe, pikërisht për këtë, e deshën më të vërtetë atdheun e tyre. Martirët na kujtojnë se një shoqëri e themeluar mbi dinjitetin e personit, lirinë, drejtësinë dhe respektin për tjetrin është një shoqëri që ia vlen të ndërtohet. Prandaj, mënyra më e mirë për t’i nderuar martirët tanë është që të angazhohemi, secili sipas përgjegjësisë së vet, për të ndërtuar sot një qytet më njerëzor dhe më të drejtë. Zojës së Shkodrës ia besojmë qytetin tonë, familjet, fëmijët dhe të rinjtë, të moshuarit dhe të sëmurët, ata që kanë mbetur këtu dhe ata që jetojnë larg. I kërkojmë të na ndihmojë ta ruajmë bashkëjetesën, t’i shërojmë ndarjet dhe të mos dorëzohemi përpara vështirësive. Me ndërmjetësimin e saj dhe të martirëve tanë, Zoti na dhëntë urtinë dhe guximin për ta bërë Shkodrën një shtëpi ku secili të ndihet edhe më shumë i pranuar, i respektuar dhe i dashur. P.J/ReportTv.al protestat kunder qeverise Giovanni Peragine Shkoder Arqidioqeza Metropolitane Shkodër-Pult Komento Komente Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend? Po 19% Jo 77.5% Disi 3.5% Vota total: 4477 Sondazhi i ditës: A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?