Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat, teksa ka folur mbi bilancin e të lënduarve nga protestat e dhunshme në vend. Berisha ka kundërshtuar deklaratat e Ramës për numrin e efektivëve të policisë të plagosur, duke pretenduar se dhjetëra protestues kanë mbetur të lënduar si pasojë e ndërhyrjes së forcave të rendit. Ai ka akuzuar kryeministrin për qëndrime dhe veprime që sjellin përshkallëzimin e situatës në vend. Deklarata e kreut të PD, Sali Berisha: “Edi Rama u shfaq më shumë se kurrë para shqiptarëve si një bastard i xhelatëve komunistë që u përket. Ai sot doli para shqiptarëve si një zëdhënës i prokurorisë së kohërave të shkuara. Akuzoi, apo paraqiti një galeri emrash, sipas tij të inkriminuar, me akuza nga më të ndryshmet, tek armët e ftohta, tek prodhimi dhe përdorimi i drogës, shkoi gjer tek incesti. Harroi se përmendja e litarit në shtëpinë e të varurit nuk është mençuri se po të kthehen tek dosja gjyqësore e tij e viteve ’90, do të gjejnë aty akuza që ai kurrë nuk duhet t’u bëjë të tjerëve. Ai tha se në asnjë vend të Evropës nuk ka ndodhur që të ketë më shumë policë të plagosur se protestues. I pafytyrë, i pander, i pamoral! Raporti i plagosjeve protestues-polic është të paktën minimumi 1 me 15, mund të jetë 1 me 30 sepse janë me dhjetëra qindra të plagosur që shmangin spitalet për t’iu shmangur persekutimit. E vërteta është që policët që kanë parë të plagosur numërohen me gishtat e duarve.
