Lajme Zone
Protesta qytetare, sistemi politik dhe Mbretëria
PolitikëCNA

Protesta qytetare, sistemi politik dhe Mbretëria

Sot në 98-vjetorin e shpalljes së Mbretërisë Shqiptare

Duke kremtuar sot 98-vjetorin e shpalljes së Mbretërisë Shqiptare, qytetarët e Shqipërisë dhe të mbarë kombit përkujtojnë me nderim të veçantë datën 1 shtator 1928, kur nisi dhe funksionoi një sistem politik vlerash kombëtare, sociale, ekonomike dhe juridike të afirmuara si më të suksesshmet dhe më të dëshirueshmet për ta.

Përkujtimi i kësaj date të shënuar në historinë e Shqipërisë, e gjen vendin pothuajse të destabilizuar nga mungesa e mosfunksionimit të demokracisë dhe drejtësisë, korrupsioni sistemik, shthurja e administratës qeverisëse, standardet e ulta të jetesës, pasiguria për jetën, krimi i organizuar dhe ai ordiner, ligji zgjedhor diskriminues ndaj barazisë së qytetarit, shthurja e vlerave të familjes dhe shoqërisë, e të tjera, me pasojë largimin masiv të shqiptarëve nga vendi. Ndërkohë që pritej e kundërta pas më shumë se tre dekadash regjim demokratik.

Alergjia publike që ka krijuar kjo situatë, po shprehet në protestat e filluara tre muaj më parë si lëvizje mjedisore, por që u shndërrua natyrshëm në një lëvizje qytetare të qëndrueshme si një sfidë ndaj realitetit politik 36 vjeçar, që e ka shkaktuar këtë gjendje.

Është vënë në pikëpyetje vetë regjimi, sistemi politik. Më saktë, ky sistem politik ka dështuar dhe qytetarët kërkojnë ndryshimin e tij. Duke marr shkas nga ky reagim i fuqishëm publik, është momenti për të evokuar faktin se regjimi i Mbretërisë Shqiptare, që zgjati vetëm 11 vjet, i la Shqipërisë një pasuri konceptesh, praktikash dhe institucionesh, standardi i të cilave, pothuajse në të gjitha planet, nuk është arritur nga asnjë qeverisje e mëpasme.

Po pse e duan shqiptarët Mbretërinë!?

Ka formësuar njësinë politike përkatëse pikërisht nga mbretëritë e tyre. Për herë të parë nën Monarkinë, shteti shqiptar u njoh nga të gjitha shtetet perëndimore, më së pari nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.

Me shpalljen e Mbretërisë, Mbreti Zog e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë, u thirr ekspertiza më e mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike e shteteve perëndimore. Statuti Themeltar, kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, kodi i procedurës civile, etj, të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientuan Shqipërinë drejt ndërtimit dhe funksionimit të një shteti modern, me orientim të qartë perëndimor europian.

Monarkia shqiptare e qeverisi vendin përmes një parlamenti të zgjedhur në mënyrë demokratike,duke iu dhënë fund politikave fragmentariste nga të cilat ishte kërcënuar jo pak përgjatëkohës pas themelimit të shtetit shqiptar.

Sikurse është e njohur, sistemi politik “Republikë Popullore e Shqipërisë”, i ardhur pas Mbretërisë dhe i instaluar nga regjimi komunist në 11 Janar 1946, e ktheu Shqipërinë në vendin me diktaturën më të egër ndër ish vendet komuniste dhe pasojat tashmë dihen. Ndërkohë, sistemi politik “Republikë Parlamentare”, i vendosur në vitin 1992, u provua se ka sjellë zhgënjimin e madh të shqiptarëve.

Duke evokuar realitetet si më sipër, e them me bindje të bazuar se, jo vetëm mbretërorët por, sipas opinionit të çertifikuar tashmë, shumica e shtetasve shqiptarë kërkojnë rikthimin e Monarkisë. Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.