foto nga protesta në Tiranë Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një resorti luksoz në Sazan dhe Vjosë-Nartë është shndërruar në një lëvizje që sfidon më gjerë modelin e zhvillimit dhe mënyrën e qeverisjes së Shqipërisë. Flamingoja, dikur vetëm simbol i mbrojtjes së një ekosistemi të brishtë, tashmë është kthyer në emblemën e një pakënaqësie që prek mjedisin, pronën publike, transparencën dhe llogaridhënien politike... Ajo që nisi si një fushatë kundër një projekti të debatueshëm të turizmit luksoz në bregdetin shqiptar, është shndërruar në një lëvizje të qëndrueshme protestash, e cila tashmë po sfidon drejtpërdrejt qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Demonstruesit po i lidhin gjithnjë e më shumë shqetësimet për mbrojtjen e mjedisit me pyetjet mbi korrupsionin, ndikimin politik, pronën publike dhe mungesën e llogaridhënies.
Protestat, që tashmë kanë hyrë në muajin e katërt, janë bërë të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, një emërtim që i referohet flamingove të zonës ligatinore të Vjosë-Nartës, ku është planifikuar një pjesë e zhvillimit turistik.
Ajo që nisi me banorë vendas dhe aktivistë të mjedisit është zgjeruar në protesta të përsëritura në Tiranë, duke përfshirë të rinj, grupe të shoqërisë civile dhe qytetarë që e shohin konfliktin si pjesë të një debati më të gjerë mbi mënyrën se si qeveriset dhe zhvillohet Shqipëria.
Në qendër të përplasjes qëndron një projekt i turizmit luksoz që përfshin ishullin e Sazanit dhe zonën bregdetare të Vjosë-Nartës. Projekti është lidhur me Jared Kushner dhe kompaninë e tij të investimeve, Affinity Partners.
Planet parashikojnë struktura hotelerie të nivelit të lartë, vila dhe objekte të tjera turistike, ndërsa qeveria shqiptare e ka paraqitur investimin si një projekt madhor të kapitalit të huaj dhe pjesë të strategjisë për zgjerimin e turizmit dhe modernizimin ekonomik të vendit.
Por për protestuesit, projekti është shndërruar në simbolin e një pyetjeje shumë më të madhe: kush përfiton nga transformimi i shpejtë ekonomik i Shqipërisë dhe me çfarë kostoje për mjedisin, pronën publike dhe interesin e qytetarëve?
Aktivistët mjedisorë, argumentojnë se zhvillimet turistike të përmasave të mëdha rrezikojnë ekosistemet e brishta bregdetare dhe habitatet e mbrojtura. Zona e Vjosë-Nartës, është një nga ligatinat e rëndësishme të Shqipërisë dhe strehon një numër të madh speciesh shpendësh, përfshirë flamingot.
Për këtë arsye, flamingoja është kthyer në simbolin kryesor të lëvizjes. Protestuesit mbajnë pankarta dhe instalacione në formë flamingoje, duke e përdorur shpendin si shenjë të kundërshtimit ndaj asaj që e konsiderojnë një model zhvillimi, që po ia nënshtron gjithnjë e më shumë bregdetin shqiptar ndërtimeve turistike.
Por konflikti nuk është më vetëm mjedisor. Protestuesit nuk kërkojnë më thjesht anulimin ose rishikimin e projektit të resortit. Demonstratat kanë marrë gjithnjë e më shumë karakter politik, me thirrje për dorëheqjen e Ramës, hetime mbi pretendimet për korrupsion dhe një shqyrtim më të gjerë të marrëdhënies mes pushtetit politik dhe investimeve të mëdha private.
Përshkallëzimi i protestave ka ardhur në një kohë kur janë publikuar një sërë raportimesh mbi aspektet ligjore, pronësore dhe financiare të projektit. Organizata e Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OÇRP), ka raportuar se Rama mbështeti ndryshime ligjore që lehtësuan kufizimet për zhvillimin në zona të mbrojtura, përpara se projekti të ecte përpara.
Raportimet e saj kanë shqyrtuar gjithashtu strukturat e pronësisë të lidhura me tokën ku është planifikuar zhvillimi dhe kanë zbuluar një mbivendosje me një hetim të veçantë të SPAK-ut për pastrim parash dhe trafik droge.
Në qershor, një urdhër gjykate vendosi nën masë parandaluese një llogari bankare që përmbante më shumë se 110 milionë euro. Dokumentet e shqyrtuara nga OÇRP, e lidhin origjinën e këtyre fondeve me shitjen e tokës të lidhur me projektin e resortit.
Personi që kishte shitur token, ishte gjithashtu objekt i hetimit të autoriteteve për dyshime mbi pastrimin e parave dhe përfshirjen në një grup të organizuar kriminal. Megjithatë, raportimi nuk ka vërtetuar ndonjë shkelje nga Jared Kushner, Ivanka Trump apo investitorët e resortit.
OÇRP ka theksuar në mënyrë specifike se nuk ka prova që ata të kenë pasur dijeni për hetimin e veçantë të SPAK-ut apo për pretendimet që lidhen me personat nën hetim.
Pavarësisht kësaj, ndërthurja e shqetësimeve mjedisore me pyetjet mbi pronësinë e tokës, procedurat administrative dhe akuzat për korrupsion ka zgjeruar ndjeshëm kuptimin politik të protestave.
Për shumë prej pjesëmarrësve, çështja nuk është më vetëm se çfarë do të ndërtohet në Sazan apo Vjosë-Nartë, por se si merren vendime të tilla dhe kush vendos për pasuritë strategjike të vendit. Demonstratat kanë nxjerrë gjithashtu në pah tensionet në rritje mes protestuesve dhe autoriteteve.
Përplasjet e para në zonën e projektit, veçanërisht ato me personelin e sigurisë private, u pasuan nga përshkallëzimi i protestave në Tiranë. Më pas, përplasjet u zhvendosën gjithnjë e më pranë qendrave kryesore të pushtetit politik. Faza e fundit e konfliktit e ka sjellë përplasjen drejtpërdrejt në zemër të kryeqytetit.
Sipas OÇRP-së, rreth 160 persona janë ndaluar që nga fillimi i trazirave, ndërsa një protestë e madhe pranë Parlamentit u shoqërua me angazhimin e rreth 1,600 forcave policore të pajisura për menaxhimin e turmave.
Pamjet e një punonjësi policie duke goditur një protestues të prangosur, shkaktuan kritika të reja ndaj autoriteteve. Punonjësi u pezullua dhe ndaj tij u hap një procedim disiplinor.
Nga ana e saj qeveria, ka mbrojtur qëndrimin ndaj projektit dhe ka refuzuar kërkesat për braktisjen e tij apo për dorëheqjen e kryeministrit.
Rama e ka paraqitur investimin si pjesë të strategjisë së Shqipërisë për zhvillimin e turizmit dhe modernizimin e ekonomisë. Ai ka argumentuar gjithashtu se rritja e pjesëmarrjes qytetare në protesta, është shenjë e një shoqërie më të angazhuar politikisht, ndërsa ka kritikuar taktikat që i konsideron të papranueshme nga një pjesë e demonstruesve.
Në të njëjtën kohë, kryeministri është përpjekur t’u përgjigjet shqetësimeve më të gjera mbi transparencën dhe mënyrën e qeverisjes. Ai ka prezantuar nismën “Besa”, të cilën e ka paraqitur si një përpjekje për të rritur transparencën dhe llogaridhënien publike.
Megjithatë, deri tani kjo nismë nuk ka zgjidhur konfliktin themelor me protestuesit, të cilët kërkojnë ndryshime më të gjera në mënyrën se si merren vendimet dhe ushtrohet pushteti.
Pikërisht përmasat dhe vazhdimësia e protestive, i kanë dhënë “Revolucionit të Flamingove” një rëndësi që shkon përtej fatit të një projekti të vetëm. Një pjesë e kritikave të lëvizjes tani drejtohen ndaj vetë modelit ekonomik të vendit.
Pra ndaj varësisë gjithnjë e më të madhe nga turizmi masiv dhe luksoz, përqendrimit të përfitimeve te investitorë të mëdhenj dhe shqetësimit se zhvillimi i shpejtë mund të kufizojë aksesin e qytetarëve në pasuritë natyrore dhe hapësirat publike.
Kjo është një prej arsyeve pse protesta ka fituar një dimension më të gjerë shoqëror. Shqipëria ka përjetuar vitet e fundit një zgjerim të shpejtë të turizmit dhe ka tërhequr miliona vizitorë, por protestuesit argumentojnë se rritja e numrit të turistëve dhe e investimeve nuk përkthehet automatikisht në siguri më të madhe ekonomike për qytetarët.
Emigrimi, çështjet e pronësisë, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe qasja në bregdet janë bërë pjesë e një debati që tashmë shkon përtej projektit të Sazanit dhe Vjosë-Nartës. Edhe vetë natyra e lëvizjes ka ndryshuar. Ajo nuk identifikohet më vetëm me banorët e zonës apo organizatat mjedisore që kundërshtuan projektin.
Në muajt e protestave janë përfshirë të rinj, familje, aktivistë, organizata të shoqërisë civile dhe qytetarë që e shohin çështjen e Sazanit dhe Vjosë-Nartës si pjesë të një problemi më të gjerë të transparencës dhe llogaridhënies.
Raportime të mëparshme mbi lëvizjen, kanë vënë në dukje pikërisht këtë kalim nga një kauzë lokale mjedisore drejt një mobilizimi më të gjerë qytetar. Kjo e ka bërë “Revolucionin e Flamingove” një sfidë politike për qeverinë.
Jo domosdoshmërisht sepse protesta ka një strukturë tradicionale politike apo një organizim të centralizuar, por sepse ka arritur të bashkojë disa çështje që zakonisht qëndrojnë të ndara: mbrojtjen e mjedisit, transparencën, administrimin e pronës publike, investimet e huaja, korrupsionin e pretenduar dhe shpërndarjen e përfitimeve ekonomike.
Për Partinë Socialiste të Edi Ramës, sfida është tashmë edhe ajo e kontrollit të narrativës politike. Sa më gjatë të vazhdojë protesta, aq më e vështirë bëhet që konflikti të trajtohet vetëm si një mosmarrëveshje për një projekt turistik.
Ndërkohë për protestuesit,, pyetja është nëse mobilizimi i vazhdueshëm mund të prodhojë ndryshime konkrete në politikat qeveritare, procedurat administrative dhe mekanizmat e llogaridhënies. Një pjesë e rëndësishme e kësaj përplasjeje, do të varet nga mënyra se si institucionet do t’u përgjigjen kërkesave për transparencë.
Vlerësimet mjedisore, dokumentet e projektit, procedurat e pronësisë dhe hetimet e institucioneve të drejtësisë, mund ta zhvendosin debatin nga rruga drejt institucioneve. Nëse këto procese perceptohen si transparente dhe të besueshme, konflikti mund të marrë një tjetër drejtim; nëse jo, përplasja politike mund të vazhdojë të thellohet.
Qeveria ka ndërmarrë gjithashtu hapa për të publikuar dokumentacionin e lidhur me projektet në Sazan dhe Vjosë-Nartë. Në fillim të shtatorit, Rama deklaroi se dokumentet, të dhënat, procesverbalet, statusi i negociatave, referencat ligjore dhe studimi mjedisor do të bëheshin të aksesueshme për publikun përmes një platforme të posaçme, të quajtur “Flamingo Mirror”.
Por beteja politike tashmë është zgjeruar përtej një dokumenti apo një procedure. Ajo lidhet me pyetjen se çfarë lloj zhvillimi dëshiron Shqipëria dhe sa hapësirë duhet t'i lihet kapitalit të madh privat në transformimin e territoreve me rëndësi të veçantë mjedisore dhe publike.
Në këtë kuptim, “Revolucioni i Flamingove” është bërë më shumë se një protestë kundër një resorti. Ai është shndërruar në një përballje mbi modelin e zhvillimit të Shqipërisë, mbi marrëdhënien mes pushtetit dhe investitorëve dhe mbi aftësinë e institucioneve për t’u dhënë qytetarëve përgjigje të besueshme.
Flamingoja, që në fillim ishte simboli i një ligatine dhe i një ekosistemi të rrezikuar, tashmë mbart një kuptim më të gjerë politik. Ajo përfaqëson një lëvizje që e ka kthyer një projekt kontrovers turistik në një debat kombëtar mbi mjedisin, pronën publike, transparencën, llogaridhënien dhe drejtimin e ardhshëm të Shqipërisë./Përshtati "Pamfleti" nga “Weekly Blitz”protesta shqipëria kursi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Aktualitet S'ka liri për Metën, lihet në burg ish presidenti 17 Shtator 2026, 14:3814:38Aktualitet Gjykata e Tiranës liron protestuesit: Arrestimi i tyre, i paligjshëm 17 Shtator 2026, 13:1013:10Aktualitet Protestuesit bllokojnë rrugët e Tiranës, përmbysin kazanët e mbeturinave para selisë së PD! 17 Shtator 2026, 12:3312:33Aktualitet Tensionet para Kuvendit, Policia paralajmëron qytetarët: Lironi rrugën, do veprojmë 17 Shtator 2026, 12:3012:30Aktualitet Përplasje fizike jashtë Kuvendit, protestuesit shtyhen me efektivët; shoqërohet Dritan Goxhaj 17 Shtator 2026, 12:1612:16Aktualitet Përshkallëzohen tensionet, protestuesit “shkulin” gardhin metalik; zgjerohet perimetri i sigurisë te Ministria e Brendshme 17 Shtator 2026, 11:5411:54Aktualitet

