I ftuar në studion e News24, analisti Agim Baçi ka analizuar vijimësinë e rezistencës qytetare në ditën e saj të 83-të, duke u ndalur te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, dështimi i Partisë Demokratike për t’u kthyer në alternativë dhe pafuqi e partive të reja opozitare. Baçi nënvizoi se lajmi kryesor është vazhdimësia e protestës, e cila prej 83 ditësh po vendos axhendën politike si në Partinë Socialiste, ashtu edhe në Partinë Demokratike. Megjithatë, ai vuri në dukje një paradoks të thellë: në vend që të godiste vetëm qeverinë, kjo lëvizje e vuri edhe opozitën përballë një skaneri të fortë dështimi. Sipas tij, opozita ka dy detyra kryesore, të menaxhojë zemërimin popullor dhe të ngjallë besueshmëri se është alternativa e duhur, gjëra të cilat nuk po i realizon. Analisti u shpreh se kur opozita korrupton shpresën, njerëzit dekurajohen sepse qeveritë natyrshëm deformohen me kalimin e kohës. Ai ironizoi vetëkënaqësinë e PD-së dhe reagimin e Sali Berishës ndaj thirrjeve të sheshit. Sipas Baçit, ekziston një standard i dyfishtë ku çdo kritikë ndaj Ramës konsiderohet zë opozitar, ndërsa thirrjet e protestuesve kundër Berishës etiketohen si “të nxitura nga Rama”. Ai theksoi se po të kishte reflektim, PD duhet të zgjidhte një alternativë të re udhëheqëse dhe jo të vazhdonte me të njëjtët emra që zbehin identitetin e lëvizjes qytetare. Lidhur me partitë e reja dhe faktorët e tjerë opozitarë, Baçi deklaroi se ata humbën një shans të madh duke mos arritur dot një kompromis për të krijuar një pol të përbashkët përfaqësues. Ai e cilësoi këtë dështim si rrjedhojë të egoizmit ekstrem dhe pamundësisë për të bërë politikë përmes ideve. I pyetur për paralajmërimet e grupit për dialog politik se shtatori do të sjellë “surpriza”, analisti u shpreh skeptik, duke nënvizuar se pa një ide të re dhe pa një alternativë reale politike, nuk mund të mposhtet pushteti aktual. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
