Protesta studentore kundër qeverisë po zgjerohet, ndërsa mijëra pedagogë iu bashkuan dje të rinjve në shenjë solidariteti me kërkesat e tyre. Pedagogët kanë paralajmëruar se do të dalin çdo ditë në shesh, duke nisur nga ora 10:00, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Përfshirja e pedagogëve shënon një zhvillim të ri në protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke e shtrirë kundërshtimin ndaj qeverisë edhe në radhët e stafit akademik të universiteteve. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen, duke e cilësuar këtë si një zgjidhje politike për situatën e krijuar në vend. Kovaçi akuzoi qeverinë se nuk ka dëgjuar kërkesat e studentëve dhe se në vend të dialogut ka zgjedhur t’u përgjigjet protestave me dhunë. Sipas tij, mungesa e reagimit ndaj protestave paqësore ka sjellë përshkallëzimin e revoltës së të rinjve. “Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët, është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk u përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar. Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që t’u përgjigjej protestuesve paqësorë, sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se ne kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorë jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm. U bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, deklaroi Kovaçi. Kreu i sindikatës shprehu shqetësimin për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve, veçanërisht të rinjve, duke kërkuar edhe vëmendjen e përfaqësive diplomatike ndërkombëtare në Tiranë.
Ndërkohë, një ditë më parë, studentët dhe të rinjtë refuzuan ofertën e kryeministrit Edi Rama për dialog, ndërsa protesta vijon të marrë mbështetje edhe nga pedagogët, të cilët kanë paralajmëruar vijimin e përditshëm të tubimeve deri në dorëheqjen e kreut të qeverisë. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

