3 të arrestuar, 18 nën hetim në gjendje të lirë dhe 44 të tjerë janë gjobitur me masë administrative, është ky bilanci i masave që ka marrë policia e Tiranës ndaj një grupi të vogël protestuesish në lidhje me tubimin e zhvilluar të shtunën në Tiranë.
Tre persona, një prej të cilëve i mitur, janë arrestuar për aktet e dhunshme gjatë protestës.
Sipas policisë, protestuesit janë të moshave nga 15 deri në 33 vjeç. Sipas hetimeve dhe dokumentimit me pamje filmike, ata dyshohet se kanë thyer trafikndarëset, stendat e reklamave, stacionet e urbanëve dhe nuk i janë bindur urdhrave të policisë. Njëri prej tyre ka goditur një efektiv të Policisë së Shtetit. Për 44 prej tyre janë vendosur masa administrative me gjoba, 2 prej të cilave janë në vlerën e 5 milionë lekëve të reja.
Masave të ashpra të paketës antidhunë, të miratuar nga qeveria me akt normativ, nuk u kanë shpëtuar as të miturit, faturat e të cilëve kanë kaluar në kurriz të prindërve ose kujdestarëve ligjorë.
Policia sërish bën thirrje për distancimin e të miturve nga aktet e dhunës dhe gjithashtu thekson se çdo person që përfshihet në dhunë do të identifikohet, pavarësisht se shumica prej tyre kanë qenë të maskuar dhe janë kujdesur të mos identifikohen. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet Policia e Tiranësprotestat e dhunshme
