Sot, më 13 tetor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, studentët dhe të rinjtë kanë thirrur një protestë kombëtare, duke rikthyer në vëmendje fuqinë e reagimit qytetar dhe kërkesën për ndryshime konkrete në arsim. Por pyetja kryesore nuk është vetëm sa të rinj do të dalin në shesh, por sa të vendosur do të jenë për t’i çuar kërkesat deri në fund. A do të ketë një strategji të qartë, organizim dhe objektiva të matshme, apo protesta do të mbetet një tubim disaorësh, që shuhet sapo turma shpërndahet? A do të ketë megafonë që do të kthehen në instrumente për të diktuar se kush duhet të flasë dhe çfarë duhet të thuhet? Apo do të ketë vendosmëri totale rinore, pa u bërë pis nga palë të treta?
Protesta e vitit 2018 mbetet një pikë referimi për këtë brez. Ajo nisi fuqishëm, me pjesëmarrje masive dhe me një energji që tronditi institucionet, por më pas lëvizja humbi gradualisht vrullin. Një nga debatet që shoqëroi atë protestë ishte roli i aktorëve politikë dhe i organizatave që pretendonin se përfaqësonin interesat e studentëve. A ekziston sot rreziku që zëri i të rinjve të mbulohet sërish nga ata që kërkojnë të flasin në emër të tyre? Dhe a mund të ruhet pavarësia e një proteste kur të tjerë përpiqen t’i japin drejtim, të përvetësojnë kauzën ose ta përdorin për interesa të ndryshme? Sfida është që studentët të mos mbeten thjesht pjesëmarrës në një protestë, por të jenë vendimmarrësit e saj, me kërkesa të qarta, përfaqësim transparent dhe përgjegjësi.
Përvoja e lëvizjeve studentore në vende të ndryshme të botës tregon se mobilizimi mund të sjellë rezultate kur shoqërohet me këmbëngulje, organizim të pavarur, komunikim të qartë dhe presion të vazhdueshëm institucional. A do të jetë protesta e 13 tetorit fillimi i një lëvizjeje të qëndrueshme, apo do të përsërisë historinë e vitit 2018, me një shpërthim fillestar energjie që zbehet pa i çuar kërkesat deri në fund?

