Vendimi vjen pas gjashtë ditësh protestash dhe përplasjesh në kryeqytet. Rama u ka shprehur mbështetjen efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa qeveria miraton fondin financiar për shpërblimin e tyre. Në kulmin e protestave që kanë përfshirë Tiranën, qeveria ka miratuar këtë të hënë një fond prej 740 milionë e 80 mijë lekësh për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Vendimi parashikon shpërblimin e 2,750 efektivëve për angazhimin e shtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Fondi do të përballohet nga rezerva e buxhetit të shtetit për vitin 2026. Miratimi i vendimit vjen në një moment kur Policia e Shtetit është angazhuar në përballimin e protestave të ditëve të fundit, të shoqëruara me përplasje të dhunshme dhe dëmtime të pronës publike e private. Gjatë një takimi të zhvilluar këtë të hënë me drejtuesit e Policisë së Shtetit, kryeministri Edi Rama shprehu mbështetjen për efektivët e angazhuar në menaxhimin e situatës, ndërsa dënoi aktet e dhunës gjatë protestave. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të përcaktojë listën e punonjësve përfitues dhe do të ndjekë procedurat për shpërndarjen e shpërblimit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit dhe do të botohet në Fletoren Zyrtare.
