Shoqërimet nga policia vijojnë edhe gjatë protestës së sotme studentore në Tiranë. Një video e mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon një automjet policie që, sipas dëshmive të qytetarëve, po transporton të mitur të shoqëruar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas denoncimit, bëhet fjalë për të mitur rreth 15 vjeç, të cilët janë shoqëruar nga efektivë të veshur civilë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkohë, protesta e të rinjve vijon prej 17 ditësh rresht, në një revoltë kundër klasës politike dhe sistemit politik që, sipas protestuesve, ka zhgënjyer qytetarët ndër vite.
Deri më tani, nuk ka një konfirmim të pavarur për moshën e personave që ndodhen në automjet dhe as për arsyet e shoqërimit të tyre.
Shoqërimi i të miturve ngre pikëpyetje që kërkojnë sqarim nga autoritetet, veçanërisht në një kohë kur protesta studentore po vijon prej 17 ditësh dhe veprimet e policisë ndaj protestuesve janë kthyer në një nga çështjet më të diskutuara të tubimeve.

